27 pedagogë të universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, nisëm për përvojë në SHBA
27 pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë e Drejtësisë në Universitetin "Ismail Qemali" në Vlorë, do të njihen me mënyrën amerikane të mësimdhënies dhe arritjet në fushën e ekonomisë e menaxhimit gjatë një përvoje disa-javore në "University of Memphis", një nga më të njohurit në SHBA. Rektori i Universitetit të Vlorës, prof.Tanush Shaska se, pjesë e programit do të jenë praktikat e përbashkëta për tema të ndryshme në auditor dhe shkëmbim përvojash, si dhe takime me drejtues të "University of Memphis", etj. Përvoja disa-javore e 27 pedagogëve të Universitetit të Vlorës në "University of Memphis", është pjesë e programit të bashkëpunimit mes dy institucioneve respektive të arsimit të lartë dhe në vijim të kontakteve të shumta të bashkëpunimit të vendosur në dy vitet e fundit nga Universiteti i Vlorës me institucione homologe në SHBA e shtete të tjera të Evropës perëndimore. Gjatë kësaj periudhe, janë nënshkruar marrëveshje me disa universitete të huaja, ku përfshihet Universiteti i Miçiganit(University of Michigan-Dearborn (UMD), të Oaklandit(Oakland University), me të cilat janë hedhur piketat e një bashkëpunimi afatgjatë që do të shtrihen në disa fusha si ajo e antropologjisë, arkeologjisë, dhe inxhinierisë dhe do të përfshijnë të gjitha nivelet e institucioneve respektive. Gjithashtu janë parashikuar shkëmbime programesh( exchange program), me synimin që, studentët amerikanë të vijnë në Vlorë për semestra të vecantë, kryesisht në fusha si arkeologji e Shqipërisë së Jugut, histori, matematikë etj. Bashkëpunimi me universitete në SHBA e të tjera në Evropën Perëndimore është pjesë e strategjisë së Universitetit të Vlorës, në procesin e transformimit dhe të shndërrimit të tij në institucion me profil dhe standarde bashkëkohore. Tre muaj më parë, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Clausthalit(Gjermani), që do të shtrihet në disa drejtime, duke përfshirë shkëmbimin e përvojave, të programeve dhe kualifikimin e pedagogëve. Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, 25 studentë të Universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës do të shkojnë për studime në Gjermani në fillim të vitit të ardhshëm akademik, në degët e Kimisë, Shkencat Materiale etj. Krahas kësaj, Universiteti i Vlorës, është në përfundim të procedurave për të institucionalizuar bashkëpunimin me universitete të tjera, mes të cilëve ai i Birmingamit(Angli), American University, etj.
...