Edi Rama, sjellësi i varferisë
Rreth vizitës që bëri kryetari me korrespondencë i Partisë Socialiste në një familje të varfër matjane
Një e dy, kudo nga shkon e vjen duke u endur, përtej së majtës e së djathtës, pra përtej Shqipërisë reale, Edi Rama ndjell, sjell e mbjell varfëri, duke ndjerë kënaqësi të madhe.
Po e bind veten doemos dhe po tërbohet nga pamundësia e nguljes së kulturës së varfërisë në këtë popull që në fakt nuk është i varfër, por edhe që nuk i mungojnë edhe njerëzit e varfër. Siç nuk i mungojnë të varfërit cdo populli kudo në botë edhe në shtetet më të zhvilluara. Por ajo që më shqetëson dhe që ma nxjerr të pabesueshëm totalisht Edi Ramën dhe suitën e tij vajtonjëse, vajtonjës që lyejnë sytë me qepë për të nxjerrë lotë se në fakt ato janë tallës dhe përbuzës cinikë ndaj njeriut, nxjerrin gjuhën pas shpinës së njerëzve, është kumti që përcjell sikur njerzit në Shqipëri u varfëruan këto katër vitet që drejtoi Sali Berisha.
A vërtetë u varfëruan shqiptarët në këto katër vjet apo jo. A mos ka ndodhur ndryshe. Besoj se po. Unë personalisht, falë punës që bëj dhe profesionit që kam, kam parë nëpër Shqipëri shumë herë më tepër se Edi Rama e krejt edrat e tij, krejt pjesët e tij. Nuk e ka sjellë varfërinë Sali Berisha, përkundrazi e ka larguar nga shumë njerëz e familje, me statistika, i ka nxjerrë nga kthetrat e varfërisë në katër vjet 200 mijë familje. Sepse në fakt Sali Berisha realisht mendon e punon për të mos pasur varfëri, të varfër dhe nuk tallet me varfërinë e fukarallëkun e tjetrit, nuk e nxjerr në pazar fukarallekun e tjetrit sepse nuk luan me dinjitetin e tjetrit. Siç luajti Edi Rama që shkon si hajdut në shtëpinë e matjanit Agim Gjoka, pa e lajmëruar, si gjuetar në kërkim të gjahut.
Ja një shembull që mund ta shumëfishojë Edi apo edrat e tij ose edhe shumëkush tjetër. Në një fshat të Kukësit, me 316 shtëpia, që e ka afër rrugën Durrës-Kukës, në çdo muaj, për tre vjet me radhë kanë hyrë nga 64 milionë lekë të vjetra, pasi njerëzit janë punësuar në ndërtimin e rrugës. Në qytetin e Kukësit gjen makinat më të mira që mund të gjenden në Shqipëri sepse njerëzve u ka sjellë shumë të ardhura puna në rrugën Durrës-Kukës. Nuk gjen vend në këtë qytet ku të parkosh makinën sepse është rritur numri i makinave luksoze biles me 45 përqind për tre vjet.
Po sa punë janë bërë nëpër gjithë Shqipërinë? Nuk kanë ardhur kinezë të punojnë punëtorë apo specialistë nëpër veprat e panumërta që janë ndërtuar nëpër Shqipëri. Gjithkund rrugë, kanale, shkolla, kopshte e plot e plot lloje objektesh që janë ndërtuar e që po ndërtohen. Aty punësohen njerëz, aty marrin rroga njerëz.
Edi Rama sjellësi e ndjellësi i varfërisë, ai që lumturohet ku gjen oaz varfërie sepse lumturohet të shajë e nxijë Shqipërinë, sepse kujton e mendon se të gjitha fajet janë të Sali Berishës, sepse mirë e ka, ai don të matet vetëm me Sali Berishën, nuk është budalla për këtë gjë, ani se janë larg hane shan hane bagdat, edhe pse ky ka qeverisur vetëm katër vjet dhe Edi me shokët e tij qeverisën 8 vjet, kujton se fillon e mbaron bota me të. Të shkojë në bashkinë e Tiranës dhe të shohë lypësit, të pamundurit, të shohë ato që ua merr nafakën përditë, ato që ua nxin jetën përditë, që ua zen diellin përditë dhe të mos hallakatet fshatrave të Shqipërisë se fshati shqiptar nuk e duron Edi Ramën. Nuk e beson kush se këto katër vjet u varfëruan njerzit, u keqësua gjendja e shqiptarëve. Nëse kjo ka ndodhur, ka ndodhur për shumë vite e shumë shkaqe, por më së shumti ka ndodhur nga poshtrimi që socialistët u kanë bërë shqiptarëve sepse zyrtarët socialistë nuk e kanë llogaritur për gjë njeriun shqiptar.
Shkoi para dy ditësh në një fshat të Matit, në German. Udhërrëfyesi i tij, Qemal Minxhozi, kandidat për deputet I PS, që është cinik e tallës i hollë ndaj matjanëve, deputet aktual i këtij fshati, që po e mbaron mandatin në këtë fshat, kishte gjetur familjen e Agim Gjokës në German që ti tregonte Ramës se sa mbrapa bote e sa mjeranë janë matjanët. Familjen e Agim Gjokës me 8 fëmijë e njeh gjithë Germani që ka mbi 1300 banorë e rreth 700 votues. Por nuk e paska pas ditur deputeti i saj, i atij fshati Qemal Minxhozi dhe e zbuloi tani për t’ia treguar Edi Ramës dhe gjithë shqiptarëve përmes ekraneve.
Po pyes, kot, po ku ke qenë ti or Qemal Minxhozi, që nuk e paske pas ditur e gjetur për katër vjet si deputet atë familje të Agim Gjokës në fshatin German, se je deputet i saj, që t’ia jepje falas së paku 100 dollarë. Por ti Qemal duket ke harruar çfarë është familja se ti bën pjesë tek ato lloj deputetësh që familjet i keni jashtë shtetit dhe këtu gjeni familje me qera…
Malësori nuk ndjehet krenar që t’ia nxjerrësh hallet në pazar or Qemal dhe ti e din këtë mirë ndaj duhej t’ia thoje atij gjatoshit që nuk njeh kod, doke e zakon shqiptari. Mos mendo se i bërë nder asaj familje që njerëzit tash dhe ta tregojnë me gisht. Kjo që bërë është poshtërsi dhe barrën më të rëndë e ke ti se je me origjinë nga Shllinja e jo ai Edi Rama që nuk di nga është kush është e kë ka, pasi s’ia di vlerën e shijen familjes dhe për të familja është gjë e panevojshme dhe koncept i dalë mode. Kjo familje e Agim Gjokës ka në pronësi dhjetë dynim tokë nën ujë të rrjedhshëm të gjithën, e ka shkollën vetëm 200 metër larg shtëpie, merr ndihmë të plotë ekonomike nga komuna, ka një fëmijë të sëmurë për të cilin merr pension të plotë. Fëmijët nuk i mësojnë në shkollë. Vetë kur ka qenë djalë I ri ka qenë shumë i fuqishëm sa për 500 lekë të vjetra në atë kohë ngrinte gomarin me supe. Qemal Mingjozi si duket shkoi vetë dhe çoi edhe Edi Ramën aty që ti ngrinte në supe Agim Gjoka. Në shtëpi ishte nëna 90 vjeçe e Agimit dhe foli aq sa mundej e gjora por Edi Rama donte Agimin dhe fëmijët që po merreshin me barin e jongjën. Zot në shtëpi të huaj u bë Qemal Mingjozi dhe një dajë që e pamë nga ekranet. Kur Rama i shkoi në shtëpi i prirë nga Qemal Minxhozi, për të cilin thonë në Mat se në atë fshat që kalon Qemali, patjetër do të ndodhin vdekje se ai vetëm për të ngushëlluar për vdekje shkon tek njerëzit dhe ndaj thonë ku shkon Qemali, nëse s’ka vdekur ndokush, patjetër do të vdesë, pra kur shkoi Rama me Qemalin, i zoti i shtëpisë Agim Gjoka ishte duke kositur jongjë në arën e tij larg shtëpie. Dhe kështu iu bë zot shtëpie Qemali. Rama turfullonte ndaj Qemalit. Fëmijët e Agim Gjokës nuk u gjetën në shtëpi. Ato janë të rritur por janë jo aq të aftë dhe fatkeqësi të tilla ka në shumë familje. Familje të tilla ka kudo në botë. Siç ka burra që nuk I ka parë kush të marrin në krahë fëmijët e tyre por ngrenë hopa fëmijët e botës për tu shfaqur si fëmijë e familje dashës. Kur s’je I zoti të kesh e të mbledhësh familjen tënde çfarë morali shet tek të tjerët. Banorët e Germanit dhe të Matit, kur panë kronikën televizive të sajuar nga Rama-Mingjozi, në shtëpinë vërtetë të varfër të Agim Gjokës, të varfër jo nga mungesa e pasurisë, jo nga mungesa e lekëve dhe resurseve, por nga pamundësia e paaftësia për të administruar të ardhurat dhe resurset, shanin sa mundnin Minxhozin. Nuk është ajo familje pasqyra e familjes matjane, thonin njerëzit. Pastaj të acaruar shpreheshin se pse Qemal Minxhozi nuk e ka ndihmuar me kohë atë familje, pse nuk e çoi Ramën në fshatin e tij Shllinj që ta gjente atje një familje të pamundur me të sëmurë se edhe atje ka. Matjanët që janë të zgjuar si dreqi, vijonin më tej. Të varfër nëse ka në Mat, i ka lënë katër vjet deputeti Qemal Minxhozi që as nuk është kujtuar për matjanët përveçse duke u premtuar viza, duke iu nxjerrë ndonjë vizë, se thonë në Mat, nëse don një vizë kontrabandë, shko te Qemal Minxhozi se ta nxjerr. Të varfër i la tetë vjet Qemal Mingjozi dhe partia e tij socialiste dhe nuk u bënë të varfër këto katër vjet. Aty kanë qenë këto njerëz për të cilët nuk është kujtuar kurrë Qemal Mixhozi. Të varfër matjanët i ka lënë jo vetëm Qemali, por edhe babai i tij që ka qeverisur me partinë e tij 50 vjet. Apo nuk e dinë matjanët e kuksianët etj, etj se ka qeverisur 50 vjet babai i Qemalit…
Le të rregullojë Shllinjën e vet Qemali pastaj të vijë në German, thonë matjanët. Se as babai I tij dhe as Qemali me të njëjtën parti të babait të tij, nuk ia bënë dot as rrugën Shllinjës. Një i pranishëm që ishte aty në oborr të asaj familje kur shkoi Rama me Minxhozin me 13 makina luksoze, tregon se kur dolen jashtë në oborr, para se të hypnin në makina, Rama ulëriti, kush është ai bir k… që më solli në këtë familje pa njerëz dhe iu sul Minxhozit dhe e gjuajti me shqelm ti binte në këmbë, por Minxhozi si çapkën dhe I shpejtë u largua pac dhe i shpëtoi shqelmit të Ramës.
Ja kjo ishte historia e familjes së pamundshme në German të rrethit Mat dhe historia Edi Rama – Qemal Minxhozi, histori që i fyu matjanët. Sepse fukarasë nuk ka kush të drejtë t’i thotë pa nda fukara.
...