E Diel, 1 Nëntor 2026

Kulla e gabimeve nuk shmang dot ndërgjegjen politike të ish-të përndjekurve politikë

Zoti Pëllumb Kulla, ju nuk keni gabuar aspak. Kush ka gabuar pa qëllim në këtë botë ndonjëherë ka kërkuar edhe falje. Nuk e bëri as Kaini ndaj vëllait të tij Abelit, qysh në zanafillë. Pastaj kush do të jetë ai njeri që do të largojë një gabim që ai vetë ka vënë në botë, me një të vërtetë të adoptuar? Të shumtët janë ata që në këtë Shqipërinë tonë të dashur e akordojnë të vërtetën me mendimet e tyre, e nuk janë aq të ndershëm të reflektojnë mbi mendimet e tyre, për t’i sintonizuar ato me të vërtetën.


Ju bëni pjesë në atë pjesë të shoqërisë shqiptare që kanë manifestuar së fundmi pro humbjes së memories ndaj krimeve të komunizmit. Nuk dua të them se jeni, pra, thjesht një demonstrues i heshtur i krimeve të komunistëve e u ulët gju më gju me pasardhësit e partisë komuniste që edhe sot e kësaj dite heshtin sepse nuk kanë patur dhe nuk kanë guximin të ndahen nga krimet e baballarëve e gjyshërve. Ndoshta e teprova paksa në krahasim. Por do t’u lë vend për një pyetje. Duke vlerësuar që s’do të bëni më replikë do ta imagjinoj këtë pyetje.


Si kam manifestuar? - do të pyesnit ju. Thjesht duke realitivizuar çështjen e ish-të përndjekurve në letrat tuaja të hapura. Nuk keni pse të vini në punë fiction-in tuaj sarkastik për ne, të panafakët e një fletushke heroike.


Mirëpo, të kuptohemi, nuk është ajo për të cilën kemi nevojë. Ne kemi nevojë për një ekzorcizëm me themel, si shoqëror ashtu edhe kulturor, të krimeve të komunizmit. Të paktën kjo do të ishte dëmshpërblimi moral i ish-të përndjekurve. Se ai material do pak kohë. Për të parën kemi pak kohë, sepse koha ashtu siç e dini edhe ju, ecën në udhën e vet të papërsëritshme dhe përpin me heshtje vuajtjet e tyre. Për të dytën ka kohë. Shpresojmë sa më shpejt. Këtë duhet ta dini.


Duhet të dini se është e vërtetë që s’jemi shumë e që “luftojmë” kundra kohës. Por si i thonë andej nga Kukësi: pak e sak. Ne pranojmë që edhe ju bashkë me të tjerët, si edhe me xhelatët jakobinë të na lexoni në kolltukët prej meshini e të na vini epitetin si “don-kishoteskët e 55”. Ne e pranojmë. Më mirë të luftojmë kundër erës së keqe sesa ta thithim atë. Duke luftuar të keqen që ka futur rrënjët e harresës në memorien e shqiptarëve ndonjëherë ekzagjerojmë nga patosi që na shtyn përtej sensibilitetit tuaj. Të na falni.


Ish-të përndjekurit ka vuajtur njëherë e mirë nga dhuna e duarve me kallo të përlyera me gjak të komunistëve, por ne sot po shohim qartë sesi disa individë gjenetikisht të modifikuar nga diktatura kërkojnë të zhvlerësojnë vuajtjet e tyre. Ata kanë vuajtjet në zemër. Kush nuk pyet për ata e ka zemrën bosh, e gojën plot.


Ne me aq sa mundemi nuk mund të lejojmë sot të luhet me ta edhe nga ata me duar të bukura, fine të lëmuara prej kremrave të blera në Uashingtonit. Madje nuk kemi nevojë as për replikë. Sepse kur je në front, në trinçe nuk është se pret fjalë, por plumba, e jo pëllumba. Mos u ulni në nivelin tonë sepse mund të përballeni edhe me pluhurin e gjolin e shoqërisë. Ju fluturoni - si pëllumb që jeni - lart e më lart drejt të panjohurës. Por keni kujdes që të mos përfundoni si Ikari, fëmija e Dedalit dhe i adoptuar me dhunë nga Minotauri i burgosur në labirintin e famshëm. Nuk është një kërcënim, por një këshillë dashamirëse. Sepse në fund të fundit jemi të gjithë shqiptarë. Edhe pse më principe e ide të ndryshme për demokracinë e njeriut.


Ne i lexojmë librat e shkrimtarëve. Duhen lexuar të gjithë dy herë. Madje këshilloj të afërmit e mi që të lexohen dy herë, sepse duke i lexuar dy herë të gjithë shkrimtarët: të mirë e të këqij. Kështu do të njohim të parët e do të demaskojmë të dytët. Lexoni edhe njëherë tjetër “Rrno me tregue” të Padër Zef Pllumit pastaj për së dyti librat tuaj.


Vetëm kështu përfitohet kultura e dhimbjes. Këtë kulturë për të cilën po flasim është ajo gjë të cilën disa e thithin, shumë e transmetojnë dhe që pak e kanë.


Ju lutemi mos bëni shkrimtarin apo diplomatin për t’u tallur, por kijeni seriozisht; sepse nuk kemi nevojë të dukemi të shëndetshëm, por që të jemi të vërtetë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›