Gjendet i vdekur në automjetin e tij, kreu i PDK-së për qarkun Malësi e Madhe. Policia: Ishte me precedentë penalë

Kryetari i PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleks Keka është gjendur i vdekur në automjetin e tij sot paradite rreth orës. Burime nga policia thanë se Keka ka qenë duke udhëtuar me makinë nga Kopliku drejt Shkodrës kur automjeti me të cilin udhëtonte ka shpërthyer. Ngjarja ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në hyrje të qytetit të Shkodrës. Sipas burimeve të policisë së Shkodrës, ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Grilë, pranë Shkodrës, kur makina me të cilën udhëtonte shtetasi Aleks Keka është përfshirë nga flakët e zjarrit, ndërkohë që ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarje. Grupi i ekspertëve të policisë të ndodhur në vendngjarje po punon për të zbardhur rrethanat. Në një deklaratë pas vdekjes së kreut të PDK-së ka reaguar kreu i PDK-së. Nard Ndoka u shpreh se 10 minuta para ngjarjes Keka ka biseduar në telefon me të. "Aleks Keka ishte nisur në Shkodër për të më takuar ", tha Ndoka. Në një reagim pas ngjarjes në Shkodër, PBDNJ ka deklaruar se vrasja në Shkodër është incident i rëndë dhe kompromentues i cilësisë së zgjedhjeve. "Dhuna në çdo anë është e dënueshme", thuhet në deklaratën e kësaj force politike.
PDK: Përgjegjëse është Topalli
Partia Demokristiane ka akuzuar drejpërdrejt kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli për vrasjen e kreut të PDK-së së Malësisë së Madhe Aleks Keka. Zëdhënësi për shtyp i kësaj partie, Vladimir Beja u shpreh se “Përgjegjëse për vrasjen është kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli”.
Policia: Keka ishte me precedent penal
Në një deklaratë për shtyp të Policisë së Shtetit thuhet se Aleks Keka, kreu i PDK-së në Malësinë e Madhe ka qenë një person me precedentë kriminalë.
...