27 vendet e BE tërheqin ambasadorët nga Minsku

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka deklaruar se 27 shtetet anëtare të BE-së, po tërheqin ambasadorët e tyre nga Bjellorusia.
Kjo lëvizje u bë pasi regjimi i presidentit bjellorus, Aleksander Lukashenka, ka kërkuar që ambasadori i Polonisë dhe i dërguari i BE-së, të largohen nga kryeqyteti Minsk, në shenjë të përgjigjjes ndaj zgjerimit të sanksioneve kundër qeverisë së Bjellorusisë.
Dje, Këshilli Ministror i BE-së ka shtuar edhe për 21 individë, listën e personave që ballafaqohen me sanksione të Bashkimit Evropian, për shkak të vazhdimit të shtypjes së opozitës politike në Bjellorusi nga ana e regjimit.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme bjelloruse, Andrej Savinik, e ka akuzuar BE-në për “vazhdim të politikës së saj të presionit të paturpshëm”.
Presidenti Lukashenka po sundon në këtë vend prej vitit 1994, me autoritarizmin e stilit të periudhës sovjetike.