Berisha: Do vazhdojmë axhendën tonë evropiane, Rama përgjigjen e radhës e merr nga shqiptarët në 2013-ën

Kryeministri: Mazhoranca, e gatshme të votojë heqjen e imunitetit, Rama s’do
Kryeministri Sali Berisha shprehu sot gatishmërinë e mazhorancës për heqjen e imunitetit, përmes dy modeleve, me ligjet organike siç rekomandon Komisioni i Venecias, ose dhe me ndryshimin e Kushtetutës për imunitetet siç kërkon opozita. Për kryeministrin, është me rëndësi që zyrtarët shqiptarë, deputetë, gjykatës apo çfarë do që të jenë të mos kenë imunitet.
“Ne nuk duhet të reshtim asnjëherë për të avancuar axhendën tonë në interesin më të mirë të vendit dhe në interesin më të mirë të procesit të integrimit. Është për tu përgëzuar po në këtë kontekst hapja në bashki e sportelit “one stop shop”, i cili përbën një hap tjetër në luftën kundër korrupsionit”- u shpreh Berisha. Gjithashtu kreu i qeverisë akuzoi sërish liderin e opozitës Edi Rama se po bllokon reformat në vend duke bllokuar kështu edhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Duke iu referuar deklaratave të Ramës se Shqipëria do të dështojë për të tretën herë të marrë statusin e vendit kandidat, kryeministri Berisha theksoi se me anë të bllokimit Rama po shkurton ditët e tij në politikë. “Rama zgjodhi momentin për tu vërsulur edhe njëherë duke përdorur traditën e tij primitive, javën që shqyrtohej ecuria e reformave për të shpallur bllokimin. Shpalli bllokimin e reformës zgjedhore në një kohë që nuk kishte vendosur në tavolinë asnjë amendament, kur paraqiti për reformën parlamentare ato kërkesa që kishte hedhur poshtë në marrëveshjen e nëntorit, pasi vendosi dënimin kolektiv që nuk është në asnjë kod tjetër. Këto janë sinjalet, nuk janë ata që partnet tanë presin nga Shqipëria por cili është qëndrimi ynë. Ne do vazhdojmë pa ndërprerje me reformat në të gjitha fushat ku Edi Rama nuk mund të bllokojë dot. Ai nuk mund të bllokojë procesin e transparencës, mund të bllokojë heqjen e imuinitetit. Mëkatarët kanë frikë të heqin imunitetin. Vetëm ai që ka frikë ngë vetja e tij ka frikë nga heqja e imunitetit dhe këtë betejë ne do ta vazhdojmë”- ka shtuar më tej Berisha.
Ai ka shtuar më tej se qeveria do të vazhdojë më tej me reformat dhe me përpjekjet për të vijuar me standartet. “Rama bllokon por këtë çështje ia lëmë shqiptarëve ta zgjidhin siç i dhanë përgjigjen në 8 maj s do t`ia japin edhe vitin e ardhshëm dhe të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga kultuara e bllokimit. Ai kujton se mund t’i thojë shqiptarëve çfarë të dojë si etërit e tij. Sjell në parlament amendamentet e turpit, të dënimit kolektiv dhe kujton se është realiteti shqiptar. Çdo ditë që kalon kohërat e tij shkurtohen në politikë dhe po përgatitet për disfatën më thellë që ka njohur njeri gjatë 20 viteve të fundit”- tha ai.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se reformat për luftën ndaj korrupsionit për këtë qeveri janë të pandalshme ndërsa shtoi se ridimensionimi i proceseve dixhitale mbetet një prioritet për universitetet. “Qeveria duhet të rendë pas transparencës më të madhe. Zbatimi i këtij projekti përbën një arritje të madhe. Duhet ta konsiderojmë vetëm si hapin e parë bazë për ta shtrirë këtë në të gjitha projektet dhe jo vetëm tek projektet e profesioneve të rregulluara. Duhet të kthehet në praktikë korente brenda universiteteve. Thirrja ime më miqësore për rektorët dhe dekanët që nisin detyrat, të zgjedhur për herë të parë apo të rizgjedhur ti vendosin vetes detyrë për ta patur si trashëgimi të tyre instalimin në maksimumin e mundshëm të praktikave dixhitale në fakultetet dhe degët që drejtojnë”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, korrupsioni është një fenomen i përjetshëm pothuajse që ka në bazë genet e babëzisë së njeriut. “Pra ai mund të përballohet me sukses vetëm me një luftë konstante e të pandërprerë. Para se të vija këtu po shikoja një dokument të ministrisë së punëve publike. Në të gjitha segmentet e vendosjes së praktikave dixhitale ka ndryshim cilësor në çdo aspekt. Duhet të shohim tek procedurat dixhitale levën më të rëndësishme të transparencës”, u shpreh Berisha.