Prestigjiozja italiane, La Repubblica: Pushime të këndshme me borë dhe ski? Ndaloni në Shqipëri – mund të kurseni pa shumë sakrifica

Reshjet e dendura të dëborës kanë edhe karakteristikat e tyre pozitive. Edhe njëherë Shqipëria vihet në vëmendjen e mediave ndërkombëtare kur bëhet fjalë për turizmin, por këtë herë për atë malor. Gazeta italiane La Repubblica e rendit vendin tonë mes njërit prej destinacioneve të Europës ku mund të kalosh pushime dimërore të këndshme dhe me çmim të leverdisshëm.
“Nga Shqipëria në Rumani e Bullgari, deri tek Sllovenia, Evropa Lindore duhet të jetë ndalesa për të gjithë ata që adhurojnë fundjavat me borë dhe ski. Këtu mund të kurseni pa bërë shumë sakrifica”- shkruan gazeta La Repubblica. Gazeta ka veçuar fshatin turistik të Voskopojës në Korçë, duke vënë në vëmendjen e publikut manastiret ortodokse dhe kishat bizantine që mund të gjesh atje përveç borës dhe skive.
“Voskopoja është një fshat i vogël malor në juglindje të Shqipërisë, trembëdhjetë kilometra nga Korça. Ruan gjurmët e një të kaluare të begatë, duke përfshirë edhe tetë nga kishat më lashta të stilit bizantin dhe manastiret ortodokse”, shkruan La Repubblica më tej.
Ofertat turistike për në Voskopojë, gazeta i cilëson të mira, duke cituar se një suitë në hotel mund ta gjesh edhe me 44 euro.