E Shtunë, 31 Tetor 2026

274 milionë euro për operacionin "Kaka"

Javën tjetër, bisedimet me Sitin

Ferguson: I tronditur nga oferta

Oferta e Mançester Sitit për Kaka është një prej temave kryesore në mbarë botën. Informacionet rreth transferimit të mundshëm të brazilianit në Angli janë nga më të ndryshmet. Por, nuk kanë munguar as spekulimet e pabazuara dhe përgënjeshtrimet. Gjatë pasdites së djeshme, sajti elektronik "arabianbusiness.com" publikoi i pari lajmin e bujshëm se mesfushori i Milanit kishte gjetur marrëveshjen me Sitin. Aty theksohej se sheiku Mansur kishte lajmëruar miqtë e tij se ylli i "seleçaos" pranoi ofertën financiare. Gjithsesi, klubi ka reaguar shpejt ndaj këtij lajmi, duke e përgënjeshtruar. Klubi i Premiershipit nuk ka harruar të theksojë se burimi i informacionit është absolutisht i pabesueshëm. Kjo edhe për faktin se 24 orë më parë aty ishte publikuar lajmi se Siti kishte hequr dorë nga tentativat për blerjen e Kaka. Krerët në "Istlends" konfirmuan se bisedimet do të vazhdojnë gjatë javës së ardhshme, kur përfaqësues të skuadrës do të takohen me babanë e futbollistit, që aktualisht ndodhet me pushime në Brazil. Aty do të bëhen kërkesë-oferta dhe në bazë të bisedimeve mund të krijohet një ide më e saktë nëse mesfushori do të vazhdojë karrierën në Itali, apo do të zgjedhë aventurën britanike. Por, Kaka nuk është objektivi i vetëm i Mançester Sitit. Duke përfituar nga financat e pakufizuara të pronarëve arabë, tekniku Mark Hjuxhs po vëzhgon merkaton, duke bërë oferta të njëpasnjëshme. Emrat më të fundit që i janë shtuar listës janë portieri i Espanjolit, Karlos Karmeni, mbrojtësi i Interit, Marko Materaci, dhe dy mesfushorët shkatërrues, Xhenaro Gatuzo (Milan) e Nigel de Jong (Hamburg). Për Materacin është gati oferta 8 milionë euro, ndërsa për De Jong, shifra shkon deri në 15 milionë euro. Në këtë merkato dimri, Siti është pa dyshim skuadra më aktive, megjithatë, është interesimi për Kaka, ai që i eklipson të gjitha. Sër Aleks Ferguson shprehu habi dhe u deklarua i tronditur për ofertën me vlerë 120 milionë euro për shërbimet e brazilianit. Ferguson pranoi se oferta për Kaka është e jashtëzakonshme: "Në të vërtetë shifra është pak tronditëse. Ajo i ka habitur të gjithë. Mendoj se është në kufijtë e çmendurisë".

Ançeloti: Milan për në

Champions me ose pa Kaka

Çështja Kaka ka qenë argumenti principal i konferencave të shtypit të të gjithëve, edhe i asaj të Karlo Ançelotit: "Tratativat po vazhdojnë, vendimin e merr shoqëria, urimi im është që ta stërvis Kakanë edhe për shumë vite, por duhet të kënaqemi me atë që na japin faktet: klubi po e vlerëson ofertën. Kaka është fondamental për këtë skuadër. Tani ky është futbolli. Ka investitorë të mëdhenj dhe ne duhet të përshtatemi". Tifozët kanë protestuar dje gjatë gjithë ditës. Frika se lojtari mund të ikë vërtet i ka bërë ata që të organizohen dhe kanë kontestuar dhënien e tij te Mançester Siti. Janë mbledhur mbi 5000 firma online për një peticion të titulluar "Kaka nuk shitet". Para klubit të Milanit kanë afishuar pankarta, ku shkruhej: "Larg duart nga Kaka". Irritimi ka ardhur në rritje dhe numri tifozëve protestues ka arritur në mijëra, disa prej të cilëve kishin lënë edhe punët e ditës. "Kemi ardhur deri këtu për të mos lejuar të shitet Kaka", shprehet një prej tyre. Manifestimet kanë vazhduar deri vonë. Ndërsa Ançeloti ka tentuar që t‘u bëjë thirrje të mos protestojnë, por të ruajnë forcat dhe të mbushin shkallët e stadiumit, të karikuar dhe entuziastë për sfidën e rëndësishme ndaj Fiorentinës. Por besimi i teknikut te qëndrimi i Kakasë fillon e tregon zbehje nga fundi: "Kaka është një lojtar shumë i rëndësishëm, por klubi ka të drejtën vendimtare dhe trajneri duhet të presë. Entiteti i ofertës është i rëndësishëm dhe kjo e ka detyruar klubin që të reflektojë, edhe pse akoma nuk ka vendosur. Dhe si unë ashtu dhe Kaka duhet të qëndrojmë në pritje të vendimit të Milanit. Gjithsesi, objektivat mbeten: rikthimi në Champions (mes tre të parave) dhe të fitojmë Kupën UEFA. Me apo pa Kakanë skuadra mbetet kompetitive. Me klubin akoma nuk jemi përballur me argumentet relative për një Milan pa Kakanë. Ne nuk duhet ta vlerësojmë akoma hipotezën, se Kaka mund të ikë". Ndërsa vetë futbollisti brazilian, protagonist i zhvillimeve të fundit, ka mbërritur dje rreth orës 15 në qendrën sportive të kuqezinjve italianë. Ishte i qeshur ka përshëndetur tifozët dhe më pas ka marrë pjesë në stërvitjen e Milanit.

Ançeloti

"Objektivat e Milanit mbeten gjithmonë të njëjtë, me ose pa Kakanë". Tifozët protestojnë

"Transferta e Kakasë do

të ndryshojë futbollin"

Milani e mban ndezur semaforin e verdhë të transferimit të Kaka te Mançester Siti, menjëherë pasi klubi anglez e ka çuar koston e operacionit në 274 milionë euro, që do të ndahen: 121 milionë për kuqezinjtë, po aq (përfshirë taksat) për brazilianin dhe (që do të përfitojë gati 15 milionë euro neto (pa taksat) në sezon, ose pak më pak se 290.000 euro në javë) dhe 32 milionë për ndërmjetësuesit, që kanë bërë të mundur atë që "The Sun" e përkufizon "operacioni që do të ndryshojë fytyrën e futbollit". Jo vetëm. Gjithnjë tabloidi shkruan edhe se ka qenë një njeri i stafit të Kaka, ai që u ka dhënë sinjalin e duhur emisarëve të Sitit. Me të hedhur në valle shifrat marramendëse, Milani është tunduar. Sipas këtyre të dhënave, duket se të gjithë janë të bindur, që klubi i pasur në pronë e sheikut Mansur e ka në xhep kontratën e mesfushorit kuqezi. Madje "The Guardian" ka dizajnuar Sitin e së ardhmes, ose më saktë atë që mund të përballet me Njukasëllin më 28 janar, që ka ish-"Topin e Artë" në mesfushë. Një modul i ri 4-1-4-1, me Kaka në qendër përkrah Ireland, Robinjo në të majtë dhe Urjat-Filips në të djathtë, ndërsa në sulm duhet të jetë Roque Santa Kruz i Blekbërnit, të cilin Siti e ndjek prej kohësh (dhe është pranë marrëveshjes). Më e përmbajtur është treguar "Daily Star", për të cilën transferimi do të bëhet, por jo para verës. Lojtari do të kërkojë kohë për të vlerësuar mundësitë reale të skuadrës së Mark Hjuxhs, që, aktualisht, është në mesin e tabelës. Praktikisht, Kakanë, asnjë shifër, qoftë kjo faranike, nuk mund ta bindë të luftojë për të mos rënë nga kategoria. Ndërkohë që nga burimet e brendshme në dhomat e zhveshjes së milanistëve mbërrin një lajm interesant: Kaka është zënë ashpër me babanë e tij, i cili e shtynte të pranonte ofertën e Sity, por ai vetën kishte ndërmend të refuzonte. Rikardo nuk dëshironte të linte Milanin, të paktën jo për një klub si ai i anglezëve, që nuk duket se ka shumë perspektivë përpara. Gjithsesi, është e vërtetë, që nëse braziliani do ta hedhë firmën në kontratë ditët e ardhshme (për t‘u bashkuar në qershor) do të ketë një klauzolë, e cila do ta bëjë "nul" në rastin kur Mançester Siti do të duhet të bjerë nga kategoria. Megjithatë, miku i tij, Robinjo, uron që ai të vijë sa më shpejtë dhe pse e di që do të jetë e vështirë: "Ardhja e tij do të ishte vërtet sensacionale për futbollin anglez". Po tashmë duket se është tronditur Premier League. Sipas BBC, jo të gjithë e shikojnë si një gjë pozitive. Ai që u hap luftë sheikëve është Arsen Venger, për të cilin "termat financiarë të kësaj kontrate do të turbullojnë merkaton", edhe pse trajneri francez insiston se kjo e arabëve "nuk është një botë reale". Akoma dhe më cinik është Çesk Fabregas, sipas të cilit "të shpenzosh 100 milionë sterlina për një lojtar të vetëm, edhe nëse ai quhet Kaka, nuk është automatikisht garanci për sukses, sepse një skuadër nuk ndërtohet vetëm me librezën e çeqeve".

Sherri me të atin

Burimet e brendshme në dhomat e zhveshjes së milanistëve citojnë: Kaka është zënë ashpër me babanë e tij, i cili e shtynte të pranonte ofertën e Sitit, por ai vetë kishte ndërmend të refuzonte, pasi nuk dëshironte të linte Milanin

Rekordet

Ja blerjet milionere, nga

rekordi i Zidan te Robinjo

Ju propozojmë historinë e goditjeve më të bujshme në merkato. Shifra stratosferike, ato që bëjnë më shumë efekt. Vlerësimi përtej murit të logjikës, çmime marramendëse, oferta të çmendura. Ku ofron më shumë? 120 miliardë lireta baras me shifrën aktuale të rreth 76 milionë euro, të nxjerra nga Reali i Madridit për Zinedin Zidan në verën e vitit 2001. Të gjitha përfunduan në arkën e Juves. Është ai i Zizusë, transferimi më i kushtueshëm në historinë e futbollit botëror. Ishin vitet e portofolave të fryra, në merkato flitej me miliarda, paratë xhironin për të gjithë, dukej se "lumi" nuk do të mbaronte kurrë. Një vit më parë, Real i "Galaktikëve" i paguante Barcelonës rreth 55,8 milionë euro aktuale për Luis Figon, ndërsa Hernan Krespo kalonte nga Parma te Lacio për 53,6 milionë. Ky është podi i "import-eksportit" të këmbë diamanteve. Në fundin e vitit, 2000 Bufon kalonte nga Parma te Juventus për 49,2 milionë. Në fakt, ka pasur transferime që kanë bërë epokë. I pari që rrëzoi murin e 100 milionë liretave ishte Hase Xhipson në 1952: te Napoli e thërrisnin me shaka "o Banco ‘e Napule" ("Banka e Napolit"). U bë skandal në 1975, ku Napoli dha 2 miliardë lireta për Bepe Savoldin. Por më pas gjithçka ndryshoi, merkato nisi fluturimin. Në 1997-ën Lacio derdhi 93 miliardë lireta për Mendietën. Ishte koha e fenomeneve dhe Interi derdhi 48 miliardë lireta për Ronaldon, për ta shitur në 2002 për 43 milionë euro. Rio Ferdinand është mbrojtësi më i shtrenjtë në botë: për 43,9 milionë euro nga Lids te Mançester Junajtit. Ky i fundit derdhi 30,2 milionë euro te Evertoni për 17-vjeçarin Uejn Runi. Dukej një çmenduri, por nuk ishte. Goditja e fundit e bujshme ishte ajo e verës së fundit: Robinjo nga Real te Mançester Siti për gati 52 milionë euro.

Krahasimi

Oferta e sheikëve bën që rroga javore e Presidentit të SHBA-së të duket qesharake

Braziliani te Siti, 81 herë

më i paguar se Barak Obama

Oferta e Mançester Sitit për brazilianin Kaka synon të thyejë të gjitha rekordet. Për brazilianin 26-vjeçar, pronarët arabë të klubit anglez kanë përgatitur një rrogë, e cila është 81 herë më e lartë se shifra që do të paguhet Barak Obama në momentin kur të fillojë punën si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëse pranon të transferohet në Premiership, mesfushori i Milanit do të paguhet 335 mijë sterlina në javë (afro 622 mijë dollarë amerikanë, pa hequr taksat). Ende nuk është e qartë nëse blerja e Kakasë mund të realizohet apo jo, pasi për momentin gjithçka është në kuadrin e spekulimeve, megjithatë drejtuesit e Sitit këmbëngulin se bisedimet për afrimin e ish-fituesit të "Topit të Artë", po vazhdojnë. Gjithsesi, oferta e sheikëve siguron të ardhura financiare shumë herë më të larta se disa drejtuesit më të rëndësishme në botë. Britanikja CNN ka dhënë disa shembuj domethënës, duke krahasuar rrogën javore të Kakasë te Mançester Siti me atë të Presidentit të SHBA-së, apo të Kryeministrit britanik. Në llogarinë bankare të Barak Obamas, pas çdo jave që ai do të kalojë në Shtëpinë e Bardhë, do të shtohen 7690 $, ndërkohë që kreu i qeverisë në Britaninë e Madhe, Gordon Braun, përfiton afro 5233$. Kjo është arsyeja se përse media prestigjioze ka ngritur pyetjen nëse është e drejtë që futbollistët të paguhen më shumë se liderët botërorë, madje duke hapur edhe një sondazh. Ndërkohë, nuk kishte si të mungonte edhe krahasimi me rrogat e tjera, për të treguar se sa shumë përfitojnë futbollistët apo sportistët e sportistet profesioniste në krahasim me profesionet e tjera. Momentalisht, rrogat e figurave të mirënjohura të sportit, bëjnë të duken qesharake edhe postet më të larta. Nëse Kaka pranon të nënshkruajë kontratën e ofruar, ai do të fitojë tri herë më shumë se Robinjo, që për momentin është lojtari më i paguar në Premiership. Braziliani, i cili kaloi gjatë verës në "Istlands" nga spanjollët e Real Madridit, përfiton afërsisht 232,580 dollarë amerikanë. Mançester Siti zotërohet nga sheiku Mansur bin Zajed Al Nahjan i Abu Dabit, pasuria e të cilit llogaritet se shkon në rreth 22 miliardë dollarë. Te Milani, Kaka merr afro 208 mijë dollarë në javë.

Ndërkohë, në Brazil kanë filluar të përllogarisin se çfarë mund të blihet me 120 milionë eurot që Siti kërkon të shpenzojë për afrimin e Kaka. Sipas gazetës "Globo Esporte", me këtë shifër mund të blihen 500 makina Ferrari, ose rreth 15 mijë makina "normale". Në përllogaritjet e së përditshmes sportive theksohej se me 120 milionë euro mund të blihet një aeroplan "Boeing 787", 685 apartamente në lagjen më të pasur të Sao Paolos, 746 milionë kuti shkrepëseje ose mund të ndërtohet një urë e madhe.

Rroga javore

Presidenti i SHBA: 7690 $

Kryeministri britanik: 5233 $

Infermiere britanike: 567 $

Drejtori i përgjithshëm i BBC: 22,800 $

Mësues amerikan: 915 $

Kristiano Ronaldo: 177,345 $

Luis Hemilton: 391,593 $

Kaka (oferta): 622,142 $



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›