E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalderon largohet mes lotëve: E kam ndërgjegjen të qetë

Ramon Kalderon jep dorëheqjen. Vetëm dy ditë më parë, presidenti i Realit të Madridit kishte deklaruar: "Ai që jep dorëheqjen është një frikacak dhe ka diçka për të fshehur. Për mua, nuk vlen asnjë prej këtyre dy gjërave". Por, ajo e së enjtes ka qenë një mbrëmje e mbushur me debat, ku nuk mungoi as ndërhyrja e Predrag Mijatoviç. Drejtori i përgjithshëm i klubit madrile, mori pjesë në mbledhjen për momente krize, të zhvilluar në vilën "Moraleja" të Kalderon dhe i sugjeroi kreut të klubit të mos largohej. Së bashku me ta, në takim ishin të pranishëm edhe tre zëvendëspresidentët madrilenë dhe vëllai i Kalderon.

Mbledhja

Megjithatë, situata ndryshoi dje në orën 11:30. Në ambientet e stadiumit "Santiago Bernabeu" u zhvillua mbledhja e jashtëzakonshme e bordit drejtues, e cila u organizua nga presidenti. Aty Kalderon synonte të mësonte nëse gëzonte ende mbështetjen e anëtarëve të bordit, për të vlerësuar më pas atë që do të ishte lëvizja e ardhshme. Takimi zgjati dy orë dhe u mbyll me dorëheqjen e njëshit të klubit. Aq e tensionuar ishte situata, sa në sajtin zyrtar të klubit në internet, në njoftimin për largimin e Kalderon, jepej pa titullin "president" përpara emrit. Pas tërheqjes, në orën 18:00, Kalderon zhvilloi një konferencë për shtyp, për të shpjeguar arsyet e këtij vendimi të papritur. Drejtimi i klubit i ka kaluar Vinsent Boludas, i cili do të qëndrojë në postin e presidentit deri më qershor, kur është vendosur që të zhvillohen zgjedhjet presidenciale te "merengues". Ndërkohë, tre ortakë të deleguar i kanë bërë kërkesë autoriteteve gjyqësore, që të bllokojnë të gjitha vendimet e marra në Asamblenë e 7 dhjetorit 2008, për të cilën Kalderon akuzohet se ka manipuluar votat. Aty ishte aprovuar bilanci më i lartë i klubit, me vlerë 400 milionë euro.

Lotët

"Po largohem me ndërgjegje të qetë", ishte deklarata e parë e Kalderon. "Jam i pafajshëm, por kërkonin ‘kokën‘ time dhe nuk mund të bëja asgjë tjetër, veçse të jepja dorëheqjen. Veprimi im do të shërbejë për të qetësuar ambientin dhe tifozët e tronditur dhe të acaruar për shkak të informacioneve të shpërndara nga mjetet e komunikimit dhe të përpunuara, duke anashkaluar të gjitha vlerat morale. Ata që kërkonin të më largonin, ia arritën qëllimit. Ky është triumfi i të padrejtëve dhe i egërsisë. Largohem me kokën lart, me duart e pastra dhe me krenarinë, që punova në klubin më të madh në botë. Në këto dy vjet e gjysmë presidencë kam bërë gabime, por asnjëherë parregullsi". Gjatë lamtumirës, ish-presidenti madrilen është shfaqur i prekur dhe nuk ka arritur t‘i mbajë lotët përpara mikrofonave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›