28 Nëntori, Ilir Meta 'divorcohet' nga Berisha
TIRANË - Festa e 28 nëntorit ka ndarë sërish politikën shqiptare. Kësaj radhe jo vetëm mes PD dhe PS por edhe mes koalicionit qeverisës. Lideri i LSI-së Ilir Meta feston 28 nëntorin vetëm si Ditën e Pavarësisë, ndërsa 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit të vendit. Ai ka qenë sot bashkë me liderin e PS-së Edi Rama në Vlorë, atje ku më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin e Pavarësisë. Ndërkohë, që është shprehur se "unë më 29 nëntor do të jem në Tiranë për të vendosur kurora tek Varrezat e Dëshmorëve".
Në këtë pikë Meta ndahet me Berishën dhe bashkohet me Ramën, duke shkelur edhe protokollin zyrtar të qeverisë ku është në koalicion. Me ardhjen në pushtet të Berishës, 28 nëntori është zyrtarizuar si festa e Pavarësisë dhe e Çlirimit.
Krerët e shtetit nderime tek Dëshmorët
Krerët e Shtetit, Presidenti Topi, Kryeministri Berisha dhe Kryeparlamentarja Topalli kanë uruar sot shqiptarët për dy festat e mëdha të vendit, Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit.
Ata vendosën kurora me lule, si çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve si dhe tek monumenti Nënë Shqipëri, ndërsa më vonë mësohet se do të udhëtojnë drejt Vlorës për të kremtuar atje Ditën e Pavarësisë.
Presidenti Topi gjatë ceremonisë tek Dëshmorët u shpreh se "i uroj shqiptarëve për kete te dite te madhe, ne te cilen rikthejme ne memorje vepren e lavdishme te atdhetareve qe luftuan per mbijetesen e popullit shqiptar".
Ndërsa Kryeministri, Berisha e vleresoi 28 Nentorin, si ditelindjen e Kombit. "Sot ne kremtojme ditelindjen e kombit, kremtojme heroizimin luften perpjekjen e shqiptareve ne Luften e Dyte Boterore. Jemi me krenare per historine tone, flamurin me te cilin luftuan qindra e mijera luftetare shqiptare, flamurin per te cilin rane mijera djem e vajza", u shpreh Berisha.