Vasili: Berisha ka të drejtë. Me Ramën nuk flitet ndryshe
TIRANË - Gjuha e përdorur dy ditë më parë nga kryeministri Berisha ndaj opozitës shqiptare dhe në veçanti ndaj kryetarit të saj, është përshëndetur edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Duke folur për mediat, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, njëkohësisht ministër në kabinetin qeveritar, Petrit Vasili, i ka dhënë të drejtë shefit të vet në të gjitha akuzat dhe kërcënimet, që i drejtoi përfaqësuesve të opozitës nga podiumi i Kuvendit të Shqipërisë. Sipas tij, fjalori i kryeministrit është i justifikuar, pasi me kreun e opozitës nuk mund të flitet në mënyrë tjetër. "Nuk di në ç'mënyrë tjetër mund të komunikohet me këtë lider opozite. Mendoj se Zoti Berisha nuk ka bërë asgjë më shumë sesa ka përdorur gjuhën, me të cilën duhet komunikuar me Edi Ramën", - tha Vasili.
Por nuk ka mjaftuar me kaq, pasi Vasili jo vetëm që nuk e ka dënuar gjuhën e shefit të vet, por përkundrazi ka bërë sërish përgjegjës Ramën për deklaratat e bëra nga Berisha. "Për fat të keq, ky është një lider predikues i gjesteve të mira. Jo më larg sesa sot, nuk mungoi ta deklaronte këtë gjë me rastin e festave fetare, por njëkohësisht është dhe njeri i gjesteve të drunjta dhe të pagdhendura. Unë zhvillova një vizitë sot në Kryegjyshatë dhe ky njeri edhe në një ditë të tillë refuzon të takojë, të të japë dhe dorën. Mendoj se duhen kërkuar te Edi Rama të gjitha veprimet ekstremiste, njëkohësisht anakronike, por edhe të egra", - tha Vasili.