Borchardt: Lufta ndaj korrupsionit, e përkeqësuar
"Indeksi i korrupsionit i Transparency International konstatonte një përkeqësim të situatës në Shqipëri"
"Përpjekjet e qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar ende janë në një fazë fillestare"
TIRANË- Ambasadori gjerman në Shqipëri Bernd Borchardt, deklaroi dje se Shipëria gjendet në situatë të përkeqësuar në luftën ndaj korrusionit dhe luftës ndaj krimit të organizuar. Duke iu referuar të dhënave që pubikoi pak ditë më parë Tranparency International ku e rendiste Shqipërinë në vendin e 95 për luftën ndaj korrupsionit, ambasadori gjerman Borchardt theksoi se kjo përbën një lajm mjaft të keq, përsa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Gjatë monitorimit në pikën e kontrollit kufitar Muriqan në kufi me Malin e Zi, sëbashku me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, ambasadori gjerman nënvizoi se Progres - Raporti i Bashkimit Evropian vëren se qeveria shqiptare ndodhet ende në fazat fillestare të luftës ndaj krimit të organizuar. Ai vuri në dukje gjithashtu se raporti vjetor i EUROPOL-it bën të ditur se Shqipëria vazhdon të mbetet një qendër grumbulli dhe transporti në të njëjtën kohë për shpërndarjen e heroinës. Lufta në këto fusha sipas tij, mbetet një nga faktorët kryesorë që Shqipëria të përfitojë nga liberalizimi i vizave.
"Nga ana tjetër ka edhe lajme të këqija: Para pak ditësh indeksi i korrupsionit i Transparency International, i njohur në mbarë botën, konstatonte një përkeqësim të situatës në Shqipëri. Raporti vjetor 2009 i EUROPOL-it shënonte, se Shqipëria ende shërben si qendër grumbullimi dhe transporti për shpërndarjen e heroinës në Bashkimin Evropian. Raporti i Progresit i Bashkimit Europian në tetor 2009 arriti në përfundimin, se përpjekjet e qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar ende janë në një fazë fillestare dhe se përpjekjet për të luftuar pastrimin e parave duhet të intensifikohen më tej. Progrese në këto fusha janë parakusht për liberalizmin e vizave.
Përfitoj nga rasti të inkurajoj qeverinë shqiptare për të thelluar përpjekjet në këto fusha, në mënyrë që më në fund regjimi i vizave të hiqet. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në këtë rrugë", - u shpreh dje Borchardt. Ambasadori gjerman nënvizoi se vitin e ardhshëm Bashkimi Evropian do të dërgojë në Shqipëri një mision vlerësues që do të verifikojë, nëse pajisjet që janë vendosur në pikat e kalimit kufitar i përmbushin ose jo standardet që kërkohen për liberalizimin e vizave. Borchardt shtoi ndërkaq se Gjermania e mbështet liberalizimin e vizave, por përfitimi për Shqipërinë do të vijë kur të jenë përmbushur kushtet vendosura nga BE-ja.