E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Pa komunikim civil nuk ka të ardhme

Presidenti i Republikës la të kuptohet se deklarata e kryeministrit Sali Berisha ishte e tepruar

TIRANË - Pas akuzave dhe ofendimeve të Kryeministrit Sali Berisha nga foltorja e Parlamentit drejtuar kryetarit të opozitës, Edi Rama, duke i përmendur edhe jetën personale të tij, ka reaguar në mënyrë indirekte edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Gjatë deklaratës së mbajtur për mediat, Topi la qartë të kuptohet se politika duhet të përdorë një gjuhë më njerëzore dhe civile. Pa një komunikim të tillë, sipas Topit, nuk mund të ndërtohet e ardhmja. Duke uruar besimtarët myslimanë dhe ata bektashinj për festën e Kurban Bajramit, Presidenti vendit theksoi se duhet respektuar kjo ditë dhe i duhet dhënë më shumë hapësirë, pasi, sipas tij, jeta nuk është vetëm politikë.

"Unë preferoj që të mos ta ngatërrojmë këtë ditë me tema politike, sepse jemi intoksikuar nga politika. Duhet që në jetë të kemi balancat e duhura. Kur festojmë festat fetare duhet t'i japim më shumë hapësirë kësaj feste. Kur inaugurojmë vitin e ri shkollor duhet patjetër t'i japim më shumë hapësirë. Kur kemi evenimente kulturore t'i japim më shumë hapësirë.

Pra, nuk është jeta vetëm politikë. Ka nevojë për politikë, për argëtim. Ka nevojë të flasim për mirëqenie, për ekonomi dhe mbi të gjitha ka nevojë të flasim për komunikimin njerëzor që është shumë i domosdoshëm në ditët e sotme. Pa komunikim njerëzor, pa komunikim civil midis njëri-tjetrit nuk ndërtohet e ardhmja", - tha dje Topi. Presidenti Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, shprehën edhe urimet e tyre festën e Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo ndodhen.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›