E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nuk ndalet: Opozita ka tmerr nga liberalizimi i vizave

TIRANË - Ashtu si dy ditë më parë, edhe dje në ditën e festës së Kurban Bajramit, Kryeministri Sali Berisha nuk i ka ndalur akuzat në adresë të opozitës. Gjatë inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës së fshatit Lin, në Pogradec, Kryeministri Berisha deklaroi se ata që nuk duan ndërkombëtarët dhe liberalizmin e vizave, nuk kanë interesat e qytetarëve, por vetëm interesat e mafies. Sipas Berishës, mafies nuk i intereson Evropa. Ai tha se mafia ka tmerr nga liberalizimi i vizave dhe nga integrimi në BE. Kreu i ekzekutivit vuri në dukje se kur Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe pret liberalizimin e vizave, shqiptarët duhet të kenë si interes integrimin drejt Bashkimit Evropian.

"Ata që bëjnë thirrje se nuk na duhen ndërkombëtarët, mos mendoni se kanë interesat tuaja, mos mendoni se kanë interesat e familjeve tuaja apo të familjeve shqiptare, jo të dashur qytetarë, ata kanë vetëm një interes, interesin e mafies. Mafies nuk i intereson Evropa. Mafia ka tmerr nga liberalizmi i vizave, mafia ka tmerr nga integrimi në Bashkimin Evropian. Sepse ndjekja ndaj saj, lufta ndaj saj fuqizohet çdo ditë e më shumë, ndaj dhe ne të shohim interesin, tonë, interesin e lëvizjes së lirë, interesin e prosperitetit, e progresit drejt Bashkimit Evropian", - u shpreh dje Berisha.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›