Takimi, Papandreu: Mbështesim Shqipërinë për liberalizimin e vizave
Marrëdhëniet jo të shumë të mira në të kaluarën midis kryeminstrit shqiptar Sali Berisha dhe atij grek, Georges Papandreu, nuk i kanë penguar të dy liderët që të takohen mes tyre sëbashku me kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski. Në takimin e zhvilluar dje në Prespë, kryeministri grek Paparendreu theksoi se Greqia do të jetë nga mbështetësit kryesorë të Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian. Pjesë e këtij takimi ishte edhe çështja e njohjes së patentave të emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Sipas kryeministrit Papandreu qeveria që ai drejton, do të bëjë përpjekje për të minimizuar çdo burokraci, në mënyrë që të arrihet në marrjen e një vendimi për njohjen e patentave të emigratëve shqiptarë, që jetojnë në shtetin fqinj. Të dy liderët, si Berisha dhe Papndreu ranë dakord për bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën ekonomike, të turizmit si dhe veçanërisht për nxitjen e investimeve greke në vendin tonë. Përveç garantimit të mbështetjes për liberalizimin e vizave, kryeministri grek vuri në dukje se Greqia do të japë mbështetjen e saj edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sipas Papandreut, ky takim është një tregues i marrëdhënieve miqësore dhe i bashkëpunimit të tre vendeve në shërbim të paqes, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, integrimit të mëtejshëm rajonal, si dhe veçanërisht integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE. Përveç çështjeve të karakterit politik, të tre Kryeministrat diskutuan edhe për çështjet e mjedisit, ku u shprehën për mbrojtjen e ekosistemit. Nisur nga ky qëllim të tre liderët politikë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për mbrojtjen e Parkut të Prespës. Nënshkërimi i kësaj deklarate bëhet me qëllimin për të promovuar zhvillimin e zonave që kufizohen nga ky park në të tre vendet dhe nxitjen e turizmit lokal dhe ndërkombëtar. Berisha, Gruevski dhe Papadreu u angazhuan gjithashtu që të shtrijnë bashkëpunimin mes vendeve në fushën ekonomike, infrastrukturë, në energji, si dhe në bujqësi.
Kjo kryhet në kuadrin e ecurisë së Ballkanit Perëndimor drejt projektit të integrimit evropian në përputhje me objektivat e axhendës së Selanikut. Ndërkohë që Berisha i bëri edhe një ftesë Kryeministrit grek Papandeou për të vizituar Shqipërinë.