28 Nëntori dhe e drejta shqiptare për vetëvendosje
Përbrenda Federatës Jugosllave, shqiptarët ishin pa dëshirën e tyre. Mirëpo, as Federata Jugosllave nuk i dëshironte shqiptarët. Ajo e dëshironte tokën e shqiptarëve pa shqiptarët. 24 programe të ndryshme gjithsej, janë hartuar e zbatuar për dëbimin e shqiptarëve, për asimilimin e tyre dhe për kolonizimin e trevave të tyre me serbë e malazezë. Në mesin e këtyre programeve, ndodhet edhe Marrëveshja Xhentëlmene, Tito-Kyprili, nga viti 1953, për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Nuk mund të ishte ndryshe. Ishte Partia Komuniste e Jugosllavisë ajo që, në mbledhjen e dytë të AVNOJ-it, të përfunduar me 29 nëntor 1943, në Jajce të Bosnjes, i ndau shqiptarët që kishin mbetur jashtë Shqipërisë nëpër republika të ndryshme të sllavëve të jugut: Më shumë shqiptarë në Serbi, sepse ajo ishte më e fuqishme, mesatarisht shqiptarë në Maqedoni, meqë ajo ishte mesatarisht e fuqishme, dhe më së paku shqiptarë në Mal të Zi, meqë ai ishte më i dobët. Dhe jo vetëm kaq. Kufijtë aktualë të Kosovës janë përcaktuar në vitin 1947, me ç’rast është nxjerrur Lugina e Preshevës jashtë Kosovës, në mënyrë që edhe më tej të ndahen shqiptarët, edhe ashtu të ndarë.
Shqiptarët dhe Kosova kishin një status të pabarabartë në ish-Jugosllavi. Madje, edhe pas Kushtetutës së vitit 1974, shqiptarët emërtoheshin si kombësi dhe jo komb, anipse ishin populli i tretë pas serbëve dhe kroatëve. Ndërkaq, Kosova nuk ishte republikë dhe asisoj nuk ishte e barabartë me 6 njësitë e tjera federative, anipse ajo kishte homogjenitetin më të lartë etnik pas Sllovenisë. Kosova dhe në Kosovë, vazhdimisht, kishte më së paku liri nga të gjitha viset në ish-Jugosllavi. Për pasojë, ajo ishte më e pazhvilluara dhe më e varfra, por edhe numri më i madh i të burgosurve politikë, tradicionalisht, ishin shqiptarë. Rezistenca dhe përpjekjet e pareshtura për liri të shqiptarëve, ishin të organizuara kryesisht nga lëvizjet e ndryshme ilegale. Pushteti jugosllav lëshonte pe nga pak, pikërisht që të mos plotësoheshin kërkesat e drejta të shqiptarëve. Përmirësoheshin kushtet jetësore që të mos realizoheshin qëllimet. Përmirësimi ishte zëvendësim i imponuar për fitoren dhe suksesin. Pushteti legal kosovar e paraqiste avancimin e pozitës së shqiptarëve si rezultat të vetin, por e vërteta është që ai ishte rezultat i trysnisë që bënin organizatat ilegale. Në mënyrë që veprimit ilegal t’i merrej terreni, bëheshin koncesione nga regjimi i Titos në sferën legale. Mirëpo, duke ofruar përmirësime në variante të ndryshme të gjysmëlirisë, Titoja përpiqej që Kosovën ta shndërronte, nga një koloni klasike siç ishte, në një koloni të brendshme të ish-Jugosllavisë. Çdo gjë funksionalizohej në kuadër të mbetjes së tij në pushtet: Sa më shumë pushtet dhe sa më gjatë në pushtet.
Rezistenca ndaj pushtetit, i paraprin pushtetit në mënyrë të dyfishtë: 1) Rezistenca e bën shtypjen atë që është – pra, shtypje. Pa rezistencë ndaj shtypjes, shtypja nuk duket e tillë. Sepse, pa rezistencë shtypja nuk duket. 2) Rezistenca e modifikon pushtetin dhe shtypjen e tij, e detyron atë të përshtatet, e transformon shtypjen, duke e detyruar atë të zbutet. Gilles Deleuze, kur po interpretonte Michel Foucault, me të drejtë thoshte se fjala përfundimtare që mund të thuhet për pushtetin, është se rezistenca vjen e para.
Në përgjithësi, ngjashmëritë ndërmjet kërkesës për vetëvendosje, sot dhe para 40 vjetëve, janë në dy rrafshe: 1) Rrafshi i parimit të njëjtë si parim i së drejtës; 2) Rrafshi i organizimit politik. Në fund të të ’60-tave, por edhe në fillim të këtij shekulli, është kërkuar e njëjta vetëvendosje, i njëjti koncept i vetëvendosjes, i cili është zhvilluar teorikisht dhe është afirmuar praktikisht përgjatë luftërave Nacionalçlirimtare dhe anti-kolonialiste. Vetëvendosja është vetëvendosje e popujve të shtypur në territoret e okupuara, e njerëzve që përdoren si fuqi e lirë punëtore për t’ua eksploatuar pasuritë natyrore të tyre. Në vitin 1968, sikurse edhe në këto vitet e fundit, është kërkuar vetëvendosja, pra qëllimi politik ishte një parim i së drejtës, realizimi i së cilës do të thoshte drejtësi për një kolektivitet të nëpërkëmbur. Atëherë, sikurse edhe sot, kërkohej vetëvendosja e plotë me aspektin e saj të brendshëm e të jashtëm. Kërkohej republika, por kërkohej edhe shkëputja e saj. Sepse, vetëvendosja e brendshme nuk është e qëndrueshme, nëse ajo nuk shoqërohet me vetëvendosjen e jashtme. Por, edhe anasjelltas. Vetëvendosja e jashtme, pa atë të brendshmen, mbetet veçse një formë pa përmbajtje. Përderisa vetëvendosjen e brendshme e afirmoi ish-presidenti amerikan Wilson, vetëvendosjen e jashtme – pra, atë deri në shkëputje – e afirmoi Lenini. Nga fjalimi 14 pikësh i Woodrow Wilsonit, shohim se ai përpiqet për t’ia afruar politikën e jashtme moralit dhe për shuarjen e sundimeve të padrejta; për trajtimin e kërkesave të të kolonizuarve dhe për një bashkim të kombeve, që duhet të bëhet sipas konventave të veçanta për të mundësuar garanci reciproke për pavarësi politike dhe integritet territorial të shteteve të vogla e të mëdha. Ndërkaq V. I. Lenin në librin e tij Mbi të drejtën e kombeve për vetëvendosje, thotë: Të akuzosh përkrahësit e lirisë së vetëvendosjes, domethënë të lirisë së shkëputjes, se inkurajojnë separatizmin, është po aq absurde dhe po aq hipokrite, si të akuzosh përkrahësit e lirisë së shkurorëzimit se inkurajojnë shkatërrimin e lidhjeve familjare. (...) Mohimi që i bëhet në një shtet kapitalist lirisë së vetëvendosjes, domethënë lirisë së shkëputjes së kombeve, s’është veçse mbrojtje e privilegjeve të kombit sundues dhe e metodave policore të qeverisjes në dëm të metodave demokratike.
Që prej 14 dhjetorit të vitit 1960, vetëvendosja, fuqishëm është kodifikuar te Deklarata për Dhënien e Pavarësisë Vendeve dhe Popujve të Kolonizuar si një Rezolutë kjo e Asamblesë së Përgjithshme, me numër 1514 (XV). Aty shprehen tri qëndrime të rëndësishme në pjesën hyrëse dhe një konstatim edhe më i rëndësishëm:
- Duke njohur dëshirën e pasionuar për liri të të gjithë popujve të varur dhe rolin vendimtar të këtyre popujve në rrugën për pavarësi, [Pra, popujt kanë rolin vendimtar për fatin e vet, e jo fuqitë e jashtme]
- E vetëdijshme për konfliktet në rritje që sjell mospranimi, apo pengesat që ushtrohen ndaj lirisë së këtyre popujve, gjë që përbën një kërcënim serioz për paqen botërore, [Pra, s’ka paqe të qëndrueshme pa liri e drejtësi, për ata që kanë më së shumti nevojë – popujt e shtypur dhe me të drejta të shkelura]
- E bindur se procesi i çlirimit është i pandalshëm dhe i pakthyeshëm dhe se, për të shmangur krizat e mëdha, i duhet dhënë fund kolonializmit dhe tërë praktikave dalluese e diskriminuese që e shoqërojnë, [Pra, nuk është e mundur që të mos çlirohesh, andaj është absurd debati se, kush, kë e çliroi, dhe në çfarë mase]
3. Mungesa e përgatitjes në fushat politike, ekonomike, shoqërore, apo në atë të arsimit, kurrë nuk duhet të merret si pretekst për të vonuar pavarësinë. [Pra, pavarësinë nuk duhet ta meritosh, ajo të takon. Vonesat kanë qenë krim.]
Janë tri argumente themelore pse na takonte e drejta për vetëvendosje në vitin 1968, por të cilën nuk e kemi as në vitin 2008:
1. Argumenti i pushtimit me forcë: Kosova dhe viset e tjera të banuar me shqiptarë, janë pushtuar ushtarakisht nga Serbia në vitin 1912. Ky pushtim i Kosovës do të rikonfirmohet – përveç pas Luftës së Parë Botërore, me Paqen e Versajës të vitit 1919 – edhe pas Luftës së Dytë Botërore, duke u shkelur kështu vullneti i popullit, i shprehur në ndërrimin e viteve 1943-1944, në Bujan.
2. Argumenti i represionit shtetëror ndaj tërë një populli: Që prej kohës së Milosh Obrenoviqit, ndaj shqiptarëve është kryer gjenocid i karakterizuar me vrasje, dëbime dhe asimilime, për të cilat ka pafund fakte dhe dëshmi.
3. Argumenti i vullnetit të popullit: Asnjëherë nuk ishte i diskutueshëm vullneti i popullit për t’u shkëputur nga shteti serbo-jugosllav, por edhe asnjëherë nuk u respektua ai. Ky vullnet, përherë u mohua nga sisteme politike të padrejta dhe u shkel nga regjime jodemokratike.
Duke mos u paraprirë nga vetëvendosja, pavarësia e Kosovës nuk u pasua nga sovraniteti. Hurst Hannum Kombet dhe popujt vendas, mund të angazhohen në vetëmbrojtje kundër aksioneve të shteteve në konflikt me të drejtën e tyre për vetëvendosje. Pavarësia jonë pa vetëvendosje, është pavarësi pa vetëmbrojtje, andaj edhe nuk kemi ushtri tonën. Në vitin 1968, stabiliteti i federatës konsiderohej më i rëndësishëm sesa drejtësia dhe liria për popullin shqiptar. Sot, stabiliteti rajonal konsiderohet më i rëndësishëm sesa drejtësia dhe liria për popullin shqiptar.
Në vitet e ’60, Tito konsideronte që duhej t’ia bënte qejfin Serbisë agresive e nganjëherë, nga pak, edhe shqiptarëve, ashtu që ata të mos shpërthenin kolektivisht. Katër dekada më vonë, kështu vepron Javier Solana. Ai i ngjan aq shumë Titos: Merret vesh me Beogradin për çështjen e Kosovës, dhe e bën BE-në të duket për neve sikur një model të ringjallur të Jugosllavisë. Kurrfarë demokratizimi i Serbisë nuk solli liri për Kosovën. Madje, kurrfarë demokratizimi i Serbisë, asnjëherë nuk ishte demokratizim, pikërisht për shkak se Kosova nuk ishte e lirë. Mirëpo, vazhdon investimi në demokratizimin e Serbisë, një gjë kjo thellësisht e gabueshme, përderisa ajo shtyp popuj të tjerë dhe ngërthen territore të marra e të mbajtura me dhunë brenda vetes. Mungesa e vetëvendosjes për popullin shqiptar, i ka mirëmbajtur dhe vazhdon t’i mirëmbajë regjimet shoviniste në Beograd.
Kur them pavarësi pa vetëvendosje, e kam parasysh mungesën edhe të vetëvendosjes së brendshme, por edhe të vetëvendosjes së jashtme. Së pari, vetëvendosja e brendshme mungon, meqë nuk kemi ushtri dhe as Ministri të Mbrojtjes, ndërkohë që Ministria e Rendit nuk e kontrollon policinë që e financon buxheti i Kosovës. Nuk kemi as kontroll të resurseve natyrore dhe të territorit që e popullojmë; e, aq më pak të kufijve të këtij territori. Nuk kemi sovranitet, për shkak se autoritet suprem, instancë e fundit vendimmarrëse, mbesin PSSP-ja dhe ZCN-ja. Në anën tjetër, nuk e kemi as vetëvendosjen e jashtme. Rezoluta 1244 mbetet në fuqi, ajo figuron në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke i mirëmbajtur ca penj që e lidhin Kosovën me Serbinë, e të cilët do të mund të trashen. Po ashtu, nuk kemi vetëvendosje të jashtme, sepse nuk kemi të drejtë të bashkohemi me Shqipërinë. Neni 1, pika 3, e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kushtetutë kjo që është pranuar nga të gjithë deputetët aktualë, na e pengon bashkimin me Shqipërinë. Dëshmi për pavarësi të vërtetë të Kosovës, pra për pavarësi me vetëvendosje, do të ishte pikërisht e drejta e Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë. Kjo e drejtë mund edhe të mos shfrytëzohet, mirëpo përderisa ajo nuk ekziston, nuk mund të themi se kemi vetëvendosje të jashtme.
Pavarësia pa vetëvendosje paraqet gabim në hapa: Vetëvendosja do të duhej të paraprijë pavarësinë, e jo ta pasojë atë. Nëse vetëvendosja lihet pas pavarësisë, ajo bëhet shumë e vështirë për t’u bërë. Ky gabim në hapa po reprodukohet: Sot kemi prioritetin e decentralizimit, para sovranitetit dhe prioritetin e privatizimit, para dekolonizimit. Në vitin 1989, në Kosovë ishte vetëm një komunë me shumicë serbe: Leposaviqi. Milosheviqi i bëri 5 komuna serbe. Grupi Negociator i Kosovës, i bëri 10 komuna serbe, plus e trefishoi Novo Bërdën. Plani 6 pikësh i Ban Ki-moon-it, praktikisht e bën edhe më shumë se komunë secilën lagje a fshat serb në Kosovë. Komuna si njësi më parë territoriale sesa administrative, e bazuar etnikisht dhe nën kontrollin e strukturave paralele, po e rrënon unitetin e brendshëm territorial dhe institucional të Kosovës. Decentralizimi para sovranitetit po e mbyll mundësinë për sovranitet. Në anën tjetër, fondi i privatizimit në Kosovë (rreth 400 milionë euro), duket që do t’iu shkojë kreditorëve të huaj gjatë kohës së Milosheviqit. Ai nuk iu bashkua buxhetit të Kosovës për të shërbyer për zhvillimin e Kosovës dhe as 20%-shi nuk iu dha punëtorëve; për më tepër, edhe punëtorë serbë që u punësuan në kohën e masave të dhunshme, në vitet e ’90, hynë në listën e 20%-shit. Sipas Planit të Ahtisaarit, Serbia jo vetëm që s’do t’ia paguajë asnjë cent Kosovës për dëmet e luftës dhe ekploatimin e egër të Kosovës, por është Kosova ajo që duhet të marrë pjesë në borxhin e jashtëm të Serbisë. Preambula e Kartës Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe Popujve, shënon se është ‘esenciale që t’i kushtohet vëmendje e veçantë të drejtës për zhvillim dhe se të drejtat civile dhe politike nuk mund të ndahen nga të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, në konceptin dhe universalitetin e tyre’. Në Rezolutën 1803 (XVII) të Asamblesë së Përgjithshme, Kombet e Bashkuara kanë deklaruar “të drejtën e popujve dhe kombeve për sovranitet të përhershëm mbi pasuritë dhe resurset natyrore”. Siç dihet, ne s’e kontrollojmë dot Trepçën. Gjithashtu, shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga Agjensioni Kosovar i Pronave (dikur Habitati) dhe ato prona i rifituan serbët, të cilët po këtyre shqiptarëve ua kishin marrë ato në kohën e Rankoviqit a Milosheviqit. Që të gjitha këto, po ndodhin, sepse nuk e kemi të drejtën për vetëvendosje, në zemër të së cilës ndodhet dekolonizimi si korrigjim historik për padrejtësitë nga e kaluara. Që të gjitha këto, po ndodhin, sepse privatizimi dhe e drejta e pronës, nuk është paraprirë nga dekolonizimi.
Në vitin 1968 parulla kryesore ishte “Vetëvendosje”. Që prej vitit 2005, parulla kryesore në Kosovë, është po kjo: “Vetëvendosje”. Lëvizja që sot e mban këtë emër, nuk ka shpikur diçka të re; ajo vetëm sa ka riaktualizuar diçka të braktisur nga politikanët. Vetëvendosja, edhe atëherë, edhe sot, është emri i lirisë si e drejtë. Ajo do të thotë vullnet i popullit, i popullit tonë, në këtë rast, pa dëmtuar popujt e tjerë, në çfarëdo rasti. Përmes lirisë do të barazoheshim me popujt e tjerë. Përmes barazisë do të bëheshim të lirë sikur popujt e tjerë. Koncepti egaliberte, para se të emërtohej nga Etienne Balibar, në Kosovë ishte bërë praktikë shoqërore dhe projekt politik qysh në vitin 1968. Ishte bërë kështu në demonstrata, mu ashtu siç u ribë katër dekada më vonë.
Vetëvendosja ishte dhe është kërkesë e popullit për popullin. Vetëvendosja është mënyrë sesi populli vetërealizohet. Ajo i kishte dhe i ka në fokus njerëzit përkundrejt regjimit që e kishte, sikundër e ka, në fokus rendin juridik e kushtetues, i cili burokratët i mban lart, kurse popullin e shtyp poshtë.
Policia, edhe atëherë, sikurse pas 40 vjetëve, nuk mbronte të drejtat e qytetarëve, por i luftonte qytetarët që luftonin për të drejtat e tyre. Murat Mehmeti u vra në demonstratat e vitit 1968. Katër dekada më pas u vranë Arben Xheladini e Mon Balaj. Për të njëjtën kërkesë: Për vetëvendosje. Politika zyrtare e dënoi atëherë demonstratën, por e dënoi edhe katër dekada më pas. Edhe ata që i dënuan demonstruesit e 1968-s edhe ata që i dënuan demonstruesit e 2007-s, sot janë kryetarë partish e mbajnë edhe poste qeveritare. Mbase, nuk është e rastësishme që ende s’e kemi arritur e realizuar vetëvendosjen, apo jo?