E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIFF hapet me Dardenne brothers

“Heshtja e Lornës” hap Festivalin e Filmit të Shkurtër, 1-7 dhjetor. E pranishme protagonistja Arta Dobroshi

Kanë akoma punë për të mbyllur organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Tiranë 1-7 dhjetor. Por dje kanë njoftuar se filmi që do të hapë edicionin e 6-të – zakonisht është një metrazh i gjatë – është “Heshtja e Lornës” i regjisorëve belgë Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, fitues i Palmës për Skenarin më të mirë vitin që shkoi në Festivalin e Kanës. Dihet tashmë që “Heshtja e Lornës” është një histori shqiptare e vendosur në Belgjikë, në qytetin e vogël të Liezhit, me protagoniste një vajzë shqiptare, Lorna, e interpretuar nga Arta Dobroshi.

Do të ishte kafshatë e madhe për organzatorët e prurja e Dardenne-ve në Tiranë, por e mundur është paraqitja e Arta Dobroshit, në premierën shqiptare të filmit që po bën xhiron në ekranet e kinemave evropiane. Projektimi do të bëhet më 1 dhjetor ditën e ceremonisë hapëse të TIFF-it, ditën e hënë, në Kinema Imperial, në orën 20.00.

Në stafin e aktorëve është edhe shqiptari tjetër i Kosovës që jeton dhe punon në Sarajevë, Alban Ukaj. Ai interpreton rolin e Sokolit, një i ri i përfshirë në një rrjet italo-shqiptar gangsterësh. Është e çuditshme se si emri i Ukajt – aspak për t’u nënvleftësuar - në asnjë rast komenti nuk është përmendur. Së bashku me Dobroshin janë të vetmit aktorë shqiptarë të përfshirë në një film që ka lidhje me një copë shqiptarie në emigrim në Evropë.

Dobroshi-Ukaj kanë qenë krah njëri-tjetrit protagonistë tek “Syri magjik” i regjisorit Kujtim Çashku ku thuhet se u zbulua ylli i Dobroshit e cila më 6 dhjetor mendohet të jetë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të vitit në kinema nga Akademia Evropiane e Filmit. Është një nga 6 emrat e nominuar për çmimin aktorja më e mirë evropiane për vitin 2008.

Ndërsa priten të tjera lajme nga Tirana International Film Festival, nuk ka ndonjë diskutim për programin në konkurrim. Janë seleksionuar 41 filma artistikë, 18 të animuar, 10 eksperimentalë, 8 dokumentarë, dhe 24 filma konkurimin kombëtar Kosovë-Shqipëri, një hartë e vetme filmike. Pjesëmarrja e filmit shqiptar është e bollshme. Konkurrimi është për të njëjtat çmime: Filmi më i mirë i “TIFF ‘08”, Filmi më i mirë artistik, më i miri i animuar, për dokumentarin, për Eksperimentalin, Çmimi i Medias, Filmi Shqiptar më i mirë dhe Çmimi i Publikut.

Juritë nuk janë shpallur ende.

Është mbyllur ndërkaq Programi Special, një program modest. I ftuari është Alexandre Rockëell së bashku me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë në vite, skenaristi Brandon Cole. Është menduar të shfaqet të shfaqet filmi i tij i fundit “13 Moons”.

Një bisedë e hapur me publikun do të zhvillohet gjatë ditëve të festivalit. Dyshja e të ftuarve do të paraqesë edhe filmin e John Tuturro-s “Illuminata” me të cilin Cole ka shkruar skenarin.

Rockëell dhe Cole do të jenë në Shqipëri edhe si partnerë për një produksion me kompaninë filmike shqiptare “SKA-NDAL”.

Në programin special është futur një seri filmash nga Arkivi Shtetëror Shqiptar i Filmit ku do të ketë edhe nga ata që nuk mund të gjenden në DVD në qarkullim.

Në faqen zyrtare të TIFF-it theksohet se ky edicion organizohet nën kujdesin e Qendrës Kombëtare Kinematografike, pas braktisjes totale që i ka bërë në këto 2 vite ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me Ylli Pangon ministër. Në krye në faqes prezantuese të festivalit rri peticioni i vitit të shkuar kundër Pangos i nënshkruar nga qindra artistë që i bëjnë thirrje institucionit shqiptar të kulturës të shpëtojë festivalin duke e mbështetur financiarisht. Është një protestë on line, një furtunë në gotë.

Por si në jo pak situata të ngjashme, ajo që ka dështuar është shpresa për të pasur ndonjëherë një opozitë të elitës artistike në Shqipëri, që për hir të së vërtetës do donim ta quanim elitë, se e tillë nuk është. Më e rëndë se vendimet arbitrare të autoriteteve apo injoranca në mënyrën se nuk bëhen politika kulturore, është sehiri që bëjnë “komunitetet artistike”. Dëngje sehirxhinjsh që kënaqen me dështimet e njëri-tjetrit dhe që nuk njohin as një farë zemërimi ndaj derformimit të rëndë që po i bëhet artit dhe kulturës deri edhe përfytyrimit të publikut i cili duhet ta marrë me mend se si është e bukura apo kënaqësia nga arti në këtë vend të lirë por të izoluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›