E Shtunë, 31 Tetor 2026

A mund të dimë si u harxhuan paratë tona?

 

Prokuroria ka renditur, së paku 20 shkelje ligjore, të cilat çojnë në formulimin e së paku tri akuzave shumë të rënda për ministrin Basha dhe këshilltarin e tij juridik, Andi Toma, sot drejtor i Drejtorisë së Rrugëve.

Thelbi i akuzës është procedura e paligjshme e prokurimit, e bazuar në një vendim qeverie, i cili bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe kompetencat e qeverisë. Nga kjo procedurë ka buruar një çmim anormalisht i lartë për ndërtimin e rrugës dhe procedura të parregullta prokurimi, për shkak të paravendosjes së sipërmarrësve në fushën e konsultimit dhe zbatimit të projektit.

Po përse Berishës i intereson që ky hetim të quhet politik?

I intereson, se ai e di që do të rezultojë me koka turku dhe do që ata t’i mbrojë politikisht. Hetimi, në fakt, ka nisur nga një denoncim që ka bërë në Prokurori vetë i pandehuri Lulzim Basha. Zoti Basha ka denoncuar për shpifje një ish-zyrtar të tij, Arben Meçen, dhe Prokuroria, pasi ka hetuar denoncimin, ka gjetur vepër penale në atë çfarë ka thënë ish-zyrtari dhe ka nisur procesin penal. Kryeministri ka deklaruar publikisht se ai qëndron pas diktimit të gjithë procedurës së këtij tenderi. Por, realisht, hetimet nuk nxjerrin që zoti Berisha të jetë përgjegjës për këtë çështje. Pra, ai thjesht abuzon, duke bërë rolin e trimit në këtë histori, për ta kthyer në debat politik, dhe jo juridik.

Por, ana më e shëmtuar e kësaj historie, është një përpjekje për të bërë marrëdhënie publike në favor të qeverisë me këtë histori korrupsioni. Rruga “Durrës-Kukës” është një vepër e rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe, si e tillë, ajo duhet të jetë shumë transparente. Në momentet aktuale, ajo është një investim i izoluar, pasi mungon rruga nga Kosova dhe rruga nga Miloti për në Durrës, por në të ardhmen, vlera e saj do të shumëfishohet. Nxitimi për ta bërë atë segment super të shtrenjtë me procedurë ekstra, është i pajustifikuar dhe nuk mund të mbulohet me madhështinë apo aftësinë inxhinierike të kompanisë “Bechtel”. Shqipëria e ka kaluar atë fazë, kur njerëzit gënjehen me vepra publike si dhuratë nga qeveria. Paratë që janë harxhuar aty, janë lekë të qytetarëve shqiptarë dhe ata duhet të dinë deri në fund se çfarë bëhet me ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›