E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakër në Indi, mbi 120 të vrarë, 300 të plagosur

 

Terroristët sulmojnë hotelet me turistë në kryeqendrën e biznesit Indian, duke mbjellë panik

Forcat e sigurisë në Indi, po përpiqen të vendosin kontroll të plotë mbi dy hotele dhe një qendër hebraike në Bombei. Mbi 120 vetë kanë humbur jetën gjatë këtyre sulmeve.

Në qendër të sulmeve me granata dhe armë automatike, ishin dy hotele, stacioni hekurudhor dhe spitali. Personat e armatosur, po ashtu, kanë mbajtur pengje në një bllok zyrash. Në qendër të sulmeve ishin dhe stacioni kryesor hekurudhor, si edhe spitali.

Autoritetet indiane njoftojnë se katër nga sulmuesit janë vrarë dhe nëntë janë arrestuar. Gjendja është ende e nderë në dy qendrat e sulmeve të së mërkurës; hoteli Taj Mahal dhe hoteli Oberoi Trident. Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, ka bërë thirrje për unitet.

Ai premtoi se do të merren të gjitha masat për të zbuluar personat përgjegjës. Në një fjalim televiziv para kombit, kryeministri i Indisë tha se sulmet ishin kryer nga shtetas të huaj, që e kishin bazën jashtë Indisë. "Është e dukshme që grupi që kreu këto sulme, i cili e kishte bazën jashtë vendit tonë, kishte ardhur këtu me qëllimin e vetëm që të shkaktonte kaos në kryeqendrën tonë të biznesit. Ne do të marrim masat më të forta për të garantuar që këto akte terroriste të mos përsëriten. Ne jemi të vendosur që të marrim masat e nevojshme, cilatdo qofshin ato, për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë",- tha kryeministri Sing. Ai tha se India do t'u tregonte fqinjëve të saj me terma të ashpra, se ajo nuk do të lejonte që territori i të tyre të përdorej për të ndërmarrë sulme kundër Indisë.

Korrespondenti i BBC-së për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, thotë se, megjithëse kryeministri i Indisë nuk e përmendi ndonjë emër, shumë vetë e lexuan këtë si referencë ndaj Pakistanit. Ministri i Jashtëm pakistanez, i hodhi poshtë zërat se Pakistani ishte i përfshirë në këto sulme. "Pakistani dëshiron të bashkëpunojë. Pakistani është për marrëdhënie miqësore me Indinë. Ne sot kemi një armik të përbashkët. Ekstremizmi dhe terrorizmi është armiku ynë i përbashkët. Ai nuk është një dukuri rajonale apo lokale, por një sfidë globale. Prandaj, ne duhet t'i vëmë të gjitha resurset për ta luftuar bashkërisht ekstremizmin dhe terrorizmin",- tha ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mahmud Kureshi.

Grupi i vetëquajtur, Deccan Muxhahedin, i cili nuk njihej më parë, mori përsipër përgjegjësinë për sulmet. Këto sulme vijnë në një moment shumë të vështirë, duke zgjedhur zonën më të pasur financiare të Indisë. Sulmet e të mërkurës përbëjnë goditjen më të rëndë që kanë marrë autoritetet indiane. Ato ndodhën në një kohë kur, në disa shtete Indiane, mbahen zgjedhjet dhe e përball koalicionin me akuzën se nuk ka mundur të luftojë terrorizmin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›