E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat e Nëntorit, politika e ndarë më dysh

TIRANË- Edhe këtë vit, e djathta do t’i festojë të dyja festat kombëtare në një ditë, duke mos njohur në këtë mënyrë 29 Nëntorin, si ditën e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Krerët më të lartë të shumicës qeverisëse, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, apo edhe kryeministri, Sali Berisha, do t’u bashkohen festimeve të programuara me protokoll shtetëror dhe nën drejtimin e Presidentit të Republikës Bamir Topi, do të bëjnë homazhe në varrezat “Dëshmorët e Kombit”. Ndërkohë që, kreu i opozitës, Edi Rama, ka vendosur të respektojë traditën e së majtës shqiptare, duke festuar sot vetëm ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Otomane.

MazhorancaDrejtuesit e lartë shtetërorë kanë “braktisur” sheshin e “Flamurit” në Vlorë dhe kanë zgjedhur Tiranën për të kryer festimet e rastit për dy festat kombëtare, Shpalljen e Pavarësisë dhe Çlirimit të vendit. Asnjë festim me protokoll shtetëror nuk është parashikuar të zhvillohet në Vlorë, si qyteti i shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, duke ia lënë ato një organizimi të thjeshtë nga bashkia e këtij qyteti, ku dhe pritet të marrin pjesë vetëm deputetët e zonës. Ndërkohë që, kreu i shtetit, Bamir Topi, ka programuar që në orën 10 të bëjë homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku pritet të vendosë edhe një kurorë me lule në nderim të të rënëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë ceremoni do të jetë i pranishëm edhe kryeministri, Sali Berisha, dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ndërkohë, nuk dihet nëse presidenti do të kryejë vizita në familjet e dëshmorëve, por në mbrëmje pritet të japë një pritje zyrtare në Pallatin e Brigadave me rastin e festës së Pavarësisë dhe formimit të shtetit shqiptar. Kryeministri, nga ana e vet, menjëherë pas ceremonisë homazh në varreza, do të kryejë një vizitë në familjen e Tribunit të Demokracisë, ish-deputetin e PD-së, Azem Hajdari. Gjithashtu, ai do të vizitojë edhe familjen e dëshmores Ramize Gjebrea. Edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka programuar një axhendë të sajën me rastin e këtyre festave dhe, gjatë pasdites, pritet çelë një ekspozitë në nder të këtyre festave.

OpozitaNga ana tjetër, opozita, edhe këtë vit ka vendosur t’u mbetet besnike festimeve tradicionale të 28 dhe 29 Nëntorit, si dy festa të ndryshme kombëtare. Në këtë kuadër, kreu i opozitës, Edi Rama, në një moment deçiziv dhe tepër delikat për popullin kosovar, do ta festojë 96-vjetorin e shpalljes së pavarësisë në Kosovë. Burime pranë selisë rozë, bëjnë të ditur se Rama do të marrë pjesë në takim festiv mbarëkombëtar që do të zhvillohet në Prishtinë, ndërkohë që nuk përjashtohen vizitat në familjet e dëshmorëve. Ndërkohë, nesër, Rama do të jetë përsëri në Tiranë për të zhvilluar homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku do të vendosë lule në respekt të të rënëve në përpjekjet për çlirimin e vendit. Një ditë më pas, ai do të udhëtojë për në Greqi, ku do të festojë së bashku me emigrantët e Athinës dy festat kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›