“28 Nëntori, ditëlindja e kombit, dhe 8 Dhjetori, triumfi i lirisë”
Kreu i qeverisë Berisha, mesazh urimi të gjithë shqiptarëve në ditën e pavarësisë dhe të çlirimit
Kreu i qeverisë Sali Berisha përcolli dje urimet e tij për të gjithë shqiptarët me rastin të festës së pavarësisë dhe çlirimit. Berisha, duke shprehur nderimin më të madh për të rënët, e konsideroi 28 nëntorin si ditëlindjen e kombit, ndërsa shtoi se një tjetër festë po afron, dita e triumfit të lirisë, 8 dhjetori.
“Sot është dita e nderimit të madh dhe përuljes me nderimin më të madh ndaj qindra e mijëra luftëtarëve shqiptarë, në veçanti, të kryengritjeve gjigante të Kosovës, të cilat tronditën përfundimisht të sëmurin e Bosforit dhe bënë të mundur pavarësisë e Shqipërisë. Shqiptarët kremtojnë ditën e pavarësisë dhe të çlirimit, në prag të 8 dhjetorit. 8 dhjetori ishte dita tjetër e madhe e lirisë, e cila bëri të mundur që ne të rifitojmë lirinë, dinjitetin, dita që shembi Murin e Berlinit në Tiranë, dita që hapi dyert e një marshimi fitimtar të shqiptarëve drejt NATO-s, drejt BE-së, drejt një të ardhmeje të shkëlqyer”, u shpreh kryeministri Berisha.
Berisha siguroi se flamuri për të cilin luftuan qindra e mijëra luftëtarë për Shqipërinë dhe kombin e pavarur do të shkojë i sigurt drejt selisë së BE-së.
“Sot, flamuri i Skënderbeut, flamuri për të cilin luftuan qindra e mijëra luftëtarë për Shqipërinë të pavarur dhe për të cilin mijëra djem e vajza shqiptare ranë në Luftën e Dytë Botërore për çlirimin e vendit, valëvitet krenar në selinë e NATO-s dhe ecën krenar dhe i sigurt drejt flamurit të BE-së”, tha Berisha.
Më tej, kryeministri vuri në dukje se të gjithë kremtojnë festën e madhe të kombit, ditëlindjen e kombit, kremtojnë heroizmin, luftën, përpjekjen e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, më të lirë, më krenarë se kurrë në historinë tonë.
“Flamuri i Skënderbeut, flamuri për të cilin luftuan qindra e mijëra luftëtarë shqiptarë në kryengritjet e mëdha dhe që bënë Shqipërinë të pavarur, flamuri për të cilin mijëra e mijëra djem e vajza shqiptare ranë në Luftën e Dytë Botërore, valëvitet krenar në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, aleancës më të fuqishme të kohërave, ecën krenar dhe i sigurt drejt flamurit të Bashkimit Europian. Pra, sot kemi njëmijë e një arsye për t’u shprehur atyre që sakrifikuan për këto ditë, nderimet më të mëdha”, tha kryeministri.
Berisha shprehu nderimin më të madh për të gjithë të rënët, duke vlerësuar se, sot është ditëlindja e kombit, është dita e nderimit më të madh për Ismail Qemalin dhe burrat e mëdhenj të kombit, që themeluan Shqipërinë e pavarur, pas përpjekjesh të mëdha dhjetëra vjeçare, në vitin 1912, në Vlorë.
Shefi i ekzekutivit theksoi në vijim se faqen e ndritur të historisë së vendit nuk mund ta errësojnë shtrembëruesit e idealeve të shqiptarëve. më tej se asgjë nuk mund të errësojë këtë faqe të ndritur të historisë.
“Ata të cilët shkelmuan idealet e tyre dhe vendosën në Shqipërinë e pasluftës regjimin më barbar që kohërat kanë njohur, kanë përfunduar në koshin e plehrave të historisë, ndërsa luftëtarët e lirisë, shokët e shoqet e tyre që u martirizuan në luftë, janë dhe do të mbeten të nderuar për jetë, për sakrificën dhe kontributin e tyre”, vijoi më tej Berisha.
Kryeministri zhvillon vizita në familjet e të rënëve në luftë/Kryeministri Sali Berisha, në vijim të nderimeve për të rënët e kombit, në ditën e 28 nëntorit, zhvilloi një vizitë në familjen e Heroit të Kombit, Myslym Shyri dhe të Dëshmorëve të Atdheut, Dionis dhe Kleanthi Manastirliu. Kryeministri Berisha, duke iu përcjellë pjesëtarëve të Familjes Shyri nderimet më të thella të tij, të qeverisë dhe të të gjithë shqiptarëve, për veprën e pavdekshme të Komisarit të Batalionit të dytë, Heroit të Popullit Myslym Shyri, vlerësoi se ai ishte një nga luftëtarët më trima në luftën çlirimtare të kombit shqiptar, i cili ju jep nder familjes së tij, Tiranës dhe çdo shqiptari, me veprën dhe sakrificën e tij sublime.
Ndërsa gjatë vizitës në familjen Manastirliu, kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e madh të kësaj familjeje në luftën çlirimtare, me angazhimin e të gjithë anëtarëve të saj, nga ku, dy prej tyre, Dionisi dhe Kleanti, ranë në këtë luftë në vitin 1944, duke u shpallur Dëshmorë të Atdheut.
Kryeministri theksoi se sakrifica e bijve të familjes Manaslirliu do të ndrisë gjithmonë, ideali i lirisë, ideali për të cilin ata sakrifikuan, sot është në ndërtim e sipër, më i lirë se kurrë dhe më shpejt se kurrë.
“Ne jemi krenar me ju dhe ndihemi shumë të obliguar që të mund të shndërrojmë plotësisht në realitet idealin e tyre. Familja juaj ka një sakrificë të madhe në themelin e lirisë dhe dinjitetit të kombit, ndaj ata do të jenë gjithmonë të nderuar”, tha kryeministri Berisha.