E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Shqipëria ecën e sigurt drejt BE-së

Përfaqësues politikë të mazhorancës dhe qeverisë u mblodhën dje në sheshin e Flamurit në Vlorë, për të festuar Ditën e Pavarësisë. Deputetë dhe ministra kanë vendosur kurora me lule në Monumentin e Pavarësisë. Në emër të qeverisë, Zëvendëskryeministri Ilir Meta tha se kjo është një ditë e shënuar për gjithë kombin shqiptar.
Sipas tij, Shqipëria ka realizuar tashmë disa prej objektivave të saj më madhorë, ndërsa shtoi se ecën e sigurt drejt integrimit në BE.
“Shqipëria është sot pjesë e NATO dhe po ecën e sigurt drejt anëtarësimit europian. Është një ditë kur feston jo vetëm Shqipëria, por i gjithë kombi, pasi feston edhe Kosova dhe në themel të arritjeve qëndron sakrifica e popullit shqiptar, e për këtë nderojmë plakun e urtë dhe të mençur Ismail Qemali”, u shpreh Meta.
Ndërkohë, deputetët e PD në Vlorë e kanë quajtur të turpshme prezencën e Ramës në këtë shesh. Ligjvënësi demokrat, Ardian Kollozi, tha se Vlora nuk mund të përdoret, ashtu sikurse ka ndodhur më parë, ndaj kjo ishte thjesht maskarada e radhës e Ramës. Përfaqësuesit e PD, kanë vijuar më pas të ecin në këmbë nga Sheshi i Flamurit përgjatë rrugës kryesore Vlorë-Skelë.
Në të vërtetë, kryetari i PS, ashtu siç paralajmëroi deputeti i PD, e shfrytëzoi këtë ditë për të artikuluar sërish akuza ndaj qeverisë “Berisha” dhe mazhorancës për mos hapjen e kutive të votimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›