E domosdoshme që Brukseli të nisë bisedimet për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor
Deklaron Komisioneri i ri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fille
Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fille, i sapo emëruar në këtë detyrë, ka konfirmuar kursin politik të Brukselit, për zgjerimin e Unionit, drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Fille në deklarimin e parë zyrtar pas marrjes së detyrës u shpreh se është e domosdoshme që të vazhdojnë bisedimet për zgjerim dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor, që synojnë të hyjnë në BE, nuk do të mbeten anash.
Në këtë pikë, komisioneri i ri për zgjerim iu referua vendeve të Ballkanit si Shqipëria, duke theksuar aspiratën e hershme të vendit tonë për t’iu bashkëngjit familjes së madhe evropiane. Fille u shpreh për mediat çeke se Ballkani Perëndimor, së bashku me Kroacinë dhe Turqinë, janë vendet që ai do t’i vizitoj më së shpeshti.
“Tani nuk është momenti për të supozuar se cili vend do të mund të bëhej anëtar i ardhshëm i BE-së. Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë bisedimet për zgjerim drejt vendeve të Ballkanit”, u shpreh komisionari i ri për Zgjerim në BE, Stefan Fille.
Deklarata e funksionarit të lartë të Bashkimit Evropian, vjen vetëm 3 ditë pasi Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë mbi Strategjinë e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, Turqisë dhe Islandës. Rezoluta udhëzon BE-në të nisë negociatat e anëtarësimit me vendet si Shqipëria që prej kohësh kanë shpallur si platformë kryesore të drejtimit të vendit, integrimin në familjen e madhe evropiane. Një tjetër amendament i rëndësishëm në rezolutën e PE-së është edhe liberalizimi i vizave të qytetarëve shqiptarë brenda 6 mujorit të parë të 2010-s. Rezoluta e Parlamentit Evropian inkurajon qeverinë shqiptare në përshpejtimin e procesit reformator për ta realizuar në kohën e duhur këtë synim të rëndësishëm.
Parlamenti Evropian nuk mund të linte pa harruar pa trajtuar as situatën politike në Shqipëri. Në një nga amendamentet e rezolutës i bëhet thirrje opozitës së Edi Ramës që të rikthehet në parlament dhe të kryejë aty detyrat ligjore, duke përfaqësuar zgjedhësit e saj.
L.Q