“Mizori janë aktet çnjerëzore të Edvinit, jo denoncimi i tyre”
Grupi parlamentar i PD reagon pas mbrojtjes që PS i bëri Ramës dhe akteve mizore të tij
“Aktet mizore dhe aspak normale të kryesocialistit Edi Rama morën dje avokatinë e disa deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët gjatë një konference për shtyp, denoncuan zbardhjen e tyre nga kryeministri Berisha. Kjo klikë e pseudopolitikanëve të Edvinit, u ndje dje në vështirësi të tmerrshme, teksa kryesocialisti urdhëroi në mënyrë të prerë daljen në konferencë për shtyp të disa fytyrave të lodhura dhe marrjen në mbrojtje të akteve vandale të tij”.
Pas deklaratave të një dite më parë të përfaqësuesve të PS, dje ka reaguar Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Edi Paloka.
Përmes një konference për shtyp, deputeti demokrat Paloka tha se mizore janë aktet që ka bërë Rama dhe jo denoncimi i tyre. “Sipas grupit të PS-së nuk janë mizore akuzat dhe rrahjet publike që i ka bërë bashkëshorteve Rama, por denoncimi i tyre. Grupi i PS-së bëri dje gjethen e fikut për Edvinin, duke mbrojtur aktet e tij. Sipas grupit të PS-së është turp denoncimi i akteve të shëmtuara dhe primitive nga Kryeministri Berisha dhe jo vetë aktet që ka kryer, Edvin Rama, për të cilin nuk ekzistojnë vlerat e familjes. Ju jeni të mjerë që dilni në mbrojtje të Edvin Ramës dhe bëni avokatinë e këtyre akteve shtazarake, vetëm për disa leje ndërtimi ose shkaqe të tjera. Uroj që të mos ndani me të, moralin primitiv”, u shpreh deputeti Paloka.
Sipas deputetit demokrat, ditën e djeshme me deklaratën e tyre deputetët e grupit parlamentar i PS-së u kthyen në mjeranë të Edi Ramës.
Në seancën e fundit parlamentare, kryeministri Sali Berisha zbardhi para deputetëve dhe opinionit publik, vandalizmat çnjerëzore të kryesocialistit.
Berisha tha se Rama ushtron dhunë sistematike ndaj bashkëshorteve të tij dhe se përcjell urrejtje të tejskajshme ndaj qenies femërore. Lidhur me këtë çështje, reagoi dje dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Topalli tha se parlamenti është tempulli i të vërtetave dhe se denoncimi publik i kryeministrit përveçse ishte i vonuar, është i vërtetë.