E Diel, 1 Nëntor 2026

28 Nëntori nuk pranohet si festë shtetërore në Maqedoni

Parlamenti i Maqedonisë nuk ka pranuar që 28 Nëntori - Dita e Flamurit të jetë festë shtetërore për shqiptarët në Maqedoni.
Deputetët pas një seance maratonë e mbushur me debate nuk kanë mbështetur projekt-ligjin e PDSH-së, e cila kërkonte që 28 Nëntori të përfshihej në Ligjin për festat shtetërore për bashkësinë etnike shqiptare në Maqedoni.
Deputetët e PDSH-së theksuan se ky propozim duhej mbështetur për shkak se bëhet fjalë për një ditë të rëndësishme për shqiptarët si popull. Sipas deputetëve të PDSH-së, me pranimin e kësaj feste, do të ishte një sinjal i mirë për rritjen e mirëbesimit të brendshëm dhe marrëdhënieve ndëretnike.
Deputetët e BDI theksuan se mbështesin një propozim të tillë, mirëpo sipas tyre është e papranueshme që PDSH propozon ligje të tilla dhe mbron interesat e shqiptarëve vetëm kur është në opozitë.
Deputeti RDK-së Izet Zeqiri, kërkoi që ligji të mbështetet, edhe për një arsye shtesë, meqë sipas tij ligji aktual i 2007 i diskriminon qytetarët dhe kjo është arsyeja që RDK do të ngrej edhe iniciativë pranë gjykatës Kushtetuese.

VMRO-DPMNE theksoi se votoi kundër këtij propozimi, për shkak se sipas tyre gjatë propozimit të ligjeve duhet të mbahet llogari që të mos bëhen ndarje sidomos siç theksuan mes pjesëtarëve të pakicave etnike. Kjo parti vlerëson se për ta është me rëndësi mendimi se me miratimin e ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare për bashkësitë etnike është shprehur respektimi i ndjenjave kombëtare të popullit shqiptar në Maqedoni.
Ky debat parlamentar dhe propozim-ligj i bërë ka shfaqur sërish në sipërfaqe konfliktet dhe ndarjen midis partive politike shqiptare.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›