28 mars 2009: Shqipëria – Hungaria mbas 61 vjetëve
I. 13 prill 1948: Tirana – Budapesti 3-1!
… 62 vjet më parë më 20 gusht 1947, Shqipëria është ndeshur në Budapest me Hungarinë me të cilën ka humbur 0-3. Ka qenë një ndeshje që është zhvilluar vetëm tri ditë mbas ndeshjes Hungaria – Bullgaria, që t’i merrte mendtë me shifrat: 9-0. Nuk ka luajtur Ferenc Pushkashi në këte ndeshje, por një Ferenc tjetër, Ferenc Deak, një i madh tjetër i futbollit hungarez, i cili i ka shënuar 4 gola Sokolovit të Bullgarisë.
Pesëdhjetë dit para ndeshjes me Bullgarinë, Pushkashi kishte luajtur nën fanelën e Hungarisë së tij në Beograd dhe kishte nënshkruar dy prej tre golave të fitores 3-2 të Hungarisë, ndaj Jugosllavisë. Ajo ishte ndeshja e madhe e dy Ferencave, Ferenc Pushkashit dhe Ferenc Suzës, i cili më 1955 do të mbërrinte në Shqipëri me Dozhën e Budapestit. Ferenc Pushkashi nuk luan kundër Shqipërisë në ndeshjen e Budapestit më 20 gusht 1947 dhe pa te është thjesht një 3-0 dhe kaq, duke shënuar përsëri një prej tre golave huingarezë, po Ferenc Deak, i papërmbajtshëm, - i cili plotëson unitetin e tre Ferencave të mëdhenj të Hungarisë së asokohe: Deak-Suza-Pushkash. Sot e kësaj dite Ferenc Deak mbetet rekordmen ndër më të mëdhenjtë e botës: 66 gola në Kampionatin e Hungarisë më 1946 – i dyti në historinë botërore të shënimit midis kryeshënuesve për një Kampionat Kombëtar, ku i bën shoqëri, shqiptari ynë i madh i futbollit, Refik Resmja, 59 gola në Kampionatin e Shqipërisë më 1951, 1 gol mbi “madhërinë e tij” Pele! Pesëshja e Botës në këte tregues që mban edhe firmën e autorit të këtij shkrimi për përfshirjen e shqiptarit në rekordet e IFFHS është kjo:
1. STARK / Shba (1924/25) 67 gola
2. DEÁK / Hungari (1945/46) 66 gola
3. DEAN / Angli (1927/28) 60 gola
4. SCOTTA / Argjentina (1975) 60 gola
5. RESMJA / Shqipëria 59 gola
7. PELÉ / Brazil (1958) 58 gola
Eshtë vërtet e çuditshme lidhja shqiptare me Hungarinë e Pushkashit të viteve ’40 dhe ’50 që niste me humbjen 0-3 të Budapestit, humbje që në Tiranë, thuajse u konsiderua fitore prej tmerrit të 9-0-s që kishte pësuar Bullgaria. Ishte vepër e një grupi po aq të mëdhenjsh të asaj Hungarie legjendare që po lindte: Grosics, Zakarias, Hidegkuti, Deak…
Shqipëria priste Ferenc Pushkashin.
Ndërsa ai nuk do t’i afrohej, edhe pse rasti është ideal, kur Hungaria do t’i kthente vizitën Shqipërisë për Kampionatin Ballkanik dhe të Evropës Qendrore. Mu këtu ndodh çudia e madhe. Hungaria ishte një gjendje të krijonte deri tri Kombëtare dhe ja tek sjell në Tiranë njërën prej tyre. Ka qenë 23 gusht 1948. Ditë e rastit më unikal në gjithë historinë e Kombëtareve të të gjithë shteteve të Botës: Hungaria mbrenda një dite të vetme luan dy ndeshje zyrtare në rang Kombëtareje: 2-1 ndaj Çekosllovakisë në Budapest dhe 0-0 me Shqipërinë në Tiranë. Në të njëjtën mbasdite të 23 majit 1948!
Po para se të mbërrijmë te ky 0-0 historik, ka një ngjarje tjetër, po aq të jashtëzakonshme, e në një vështrim tjetër, ndoshta më tepër se e para. Në Tiranë mbrrin skuadra përfaqësuese e Budapestit, çka duket pak e çuditshme kur tashmâ në mjedisin e futbollit evropian sapo ishte lajmëruar ardhja e Hungarisë. Eshtë fjala për dy ndeshje tipike të miqësisë socialiste. Ndonëse nën zë u tha se Budapesti vinte në Tiranë për të kuptuar pak a shumë se çka ishin lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë, të cilët mbas një muaji do të luanin me Hungarinë. Me një fjalë, këto dy ndeshje ishin një lloj hetimi futbollistik për kundërshtarët e mbas pak javëve për Hungarinë.
Budapesti fiton 2-1 kundër Përfaqësueses së Tiranës ndeshjen e parë, por në të dytën më 11 prill 1948, djemtë e Adem Karapicit janë të papërmbajtshëm. Fitorja e këtij seleksioni kombëtar shqiptar nën emrin Përfaqësuesja e Tiranës është përtej çdo parashikimi: 3-1 kundër Budapestit! Karapici kësaj rradhe ka të gjithë protagonistët e Ballkaniadës: Poselli, Dibra, Spahiu, Llambi, Fagu, Fakja, Parapani, Kavaja, Boriçi, Biçaku, Mirashi. Eshtë vërtet e çuditëshme se si ia arrin t'i kombinojë kësisoji, me një saktësi të habitëshme të gjithë këta 11 heronj të 46-tës dhe të mposhtë Csiskos, Laborsz, Buzanszky, Horvath – të katërt të Kombëtares së Hungarisë - baza e një 11-shi të shkëlqyer ky, i përbërë nga yje të Ujpeshtit, MTK, Ferencvarosh, Vashash – në të vërtetë një lloj Kombëtareje e dytë apo e tretë e Hungarisë legjendare. Ajo mbetet një nga ndeshjet më të mëdha të të gjithë historisë së futbollit shqiptar, e mŭ për këte ia vlen të botojmë skedën e sapozbuluar të kësaj ndeshjeje të rrallë:
13.04.1948.
Tiranë
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”
PERFAQESUESJA E TIRANES – PERFAQESUESJA E BUDAPESTIT 3-1
PERFAQESUESJA E TIRANES: Poselli, Dibra, Spahiu, Llambi, Fagu, Fakja, Parapani, Kavaj, L.Boriçi, Biçaku, Mirashi.
PERFAQESUESJA E BUDAPESTIT: Csikos, Laborsz, Buzanszky, Szepfoedly, Dobos, Nagy, Suhay, Bihari, Varga, Hratski, Horvath (Hrotko).
GOLAT: Fagu 7’ (11-m), L. Boriçi 53’, Hratski 72’, L.Boriçi 72’.
GJYQTAR: Ramazan Kuka
Siç shihet, protagonisti ka një emër: Loro Boriçi - autor i dy golave të pandalshëm, madje edhe i një shtylle. E përcakton Anton Mazreku:
“Lojtar i ndritshëm, teknik i përsosur në përdorimin dhe në pasimin e topit shokëve. Kalime të matura deri në centimetër. E shkrojtur letra e golit, e ai vë vetëm nënshkrimin. Në 45 minutat e dyta të ndeshjes së 13 prillit Boriçi ka marrë vendim të shutojë. Gjuan: dy topa puthin rrjetin, një tjetër i rrufeshëm tund shtyllën pingule”
Hungarezët shtangin! Shqipëria e vogël me vetëm dy vjet Kombëtare të ndeshjeve ndërkombëtare, tregon një futboll të rangut evropian. Këte e thonë vetë hungarezët. A sillej gjithçka përreth Loro Boriçit dhe Sllave Llambit të cilët vetëm pesë vjet më parë kishin përshkuar edhe stadiumet e Kampionateve të Italisë – Kampione e Botës?
Mbërrin kështu 2 maji 1948, Bukureshti, një kampionat i çuditshëm për nga emri që do të quhej Kampionati Ballkanik dhe i Evropës Qendrore: Rumania - Shqipëria, ndeshje prej së cilës do të lindte fitorja e parë dhe e vetme për 43 vjet rradhazi jashtë fushe e Shqipërisë. E nënshkruar prej Adem Karrapicit, me vitet ajo rritej e rritej deri në legjendë. Kështu mbrrihet te goli - simbol i katër dekadave të futbollit shqiptar - shënuar në të 65' prej Pal Mirashit, një gol i ndërtuar prej treshes Biçaku-Kavaja-Boriçi, pasimi i fundit prej Boriçit, vërshimi i Mirashit në 16-tëshe dhe 1-0! "Skentea" e Bukureshtit shkruante se "mbrojtja shqiptare mundi skuadrën kombëtare të Rumanisë."
Gazeta tjetër "Rumania e lirë": "Skuadra shqiptare ka një fizik dhe mbrojtje të hekurt."
Gazeta "Libertea": "Shqipëria - një shtet i vogël me një sport madhështor."
Siç e kam thënë te “Libri i Kombëtares”, duhet të kthehesh te 61 vjet më parë për të kuptuar rëndësinë e këtyre ndeshjeve, kur ende nuk kishte lindur Kampionati Evropian dhe kur ende nuk kishte rifilluar as Kampionati Botëror. Kësisoj, kjo fitore merrte një rëndësi evropiane sepse në fund të fundit, mbrrihej kundër Rumanisë së një përvoje të përbotëshme çka i kishte dhënë vendin e 9-të në Kupën e fundit të Botës.
II. 23 maj 1948: Shqipëria – Hungaria 0-0!
Dhe shpejt i vjen rradha e Hungarisë. Dhe 0-0!
Sot e kësaj dite këte 0-0 të drejtuar nga trajneri që njihet si Prof. Adem Karapici i famshëm, ndeshje që na shndërroi në mëtues të Kampionatit në fjalë, ne e konsiderojmë një nga më të mëdhatë në historinë tonë, edhe pse në të vërtetë ai nuk qe 11-shi ideal i Hungarisë. Por emrat e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” ishin po të mëdhenj dhe shtatë prej tyre e kishin veshur edhe më parë fanelën e Hungarisë së parë: Toth, Kispeter, Konya, Zakariash, Illovszky, Szilagyi, Kesztheyi. Ndërkohë që veçon rasti i të tetit, Vladislav Kubalës, njeriu i vetëm në historinë e futbollit botëror që do të luajë me tri Kombëtare të ndryshme: 6 ndeshje me Çekollovakinë, 3 ndeshje me Hungarinë dhe 19 ndeshje me Spanjën. Vetëm pak javë më parë kishte luajtur ndeshjen e fundit si pjesë i 11-shit të Kombëtares së Çekosllovakisë. Midis gjithë këtyre kaheve, mbas pak ai do të jetë edhe në 11-shin e një skuadre emigrantësh të arratisurish në Itali së bashku me Haki Korçën e Sportklub Tiranës! Përzjerjet e Shqipërisë së vogël të futbollit shihet se janë ndërkaq, krejt të habitshme për futbollin e Hungarisë së Ferenc Pushkashit.
Dhe 0-0 i Tiranës vinte mbas fitores së bujshme 1-0 në Bukuresht të djemve të Karapicit, dhe tashmâ Shqipëria kishte klumin e saj, ndoshta i pambërritur ende deri më sot e kësaj dite nga pikëpamja historike. Ndeshja e Tiranës thuhet se luante para 40.000 shikuesve të ngjeshur njeri përmbi tjetrin, se ndryshe nuk mund të merret me mend, shifër që e japin po kaq të gjitha gazetat e Tiranës, ndërsa arkivi hungarez e jep 35.000. Në tribunë janë edhe udhëheqësi i vendit Enver Hoxha e Dr. Omer Nishani si dhe Koçi Xoxe në daljen e tij të fundit në një veprimtari publike, sepse mbas pak do të arrestohet dhe do të pushkatohet. Nga ana historike ndeshja është kjo:
SHQIPERIA – HUNGARIA 0-0
23.05.1948. Tiranë.
St. Kombëtar “Qemal Stafa”.
SHQIPERIA: Poselli; Dibra, Spahiu; Llambi, Fagu, Vathi; Parapani (Z.Gjinali 74’), Kavaja, L.Boriçi, Biçaku, Mirashi. TRAJNER: Adem Karapici.
HUNGARIA: Toth; Kovacs, Kispeter, Konya; Horvath, Zakarias; Illovszky, Kubala, Szilagyi, Keszthelyi, Pinter (Szabo 50’).
TRAJNER: Gallowich Tibor (delegon në Tiranë trajnerin Kiraj)
GJYQTAR: Leo Lemesic (Jugosllavi).
SHIKUES: 40.000.
Eshtë një skedë që hyn fuqishëm në historinë e futbollit botëror, jo thjesht se Shqipëria barazon 0-0 me Hungarinë e madhe, por sepse është njëra nga dy ndeshjet të cilat një kombëtare e një shteti të vetëm kishte luajtur mbrenda një dite kundër dy shteteve të ndryshëm. Sot e kësaj dite ky është rasti i vetëm në historinë e njerëzimit që një shtet pranon të luajë futboll me dy shtete të ndryshme mbrenda një dite të vetme, Shqipëri dhe Çekosllovaki, Tiranë dhe Budapest! 23 maj 1948.!
Ja tani edhe skeda tjetër, ajo e ndeshjes tjetër të Hungarisë, asaj me Çeksollovakinë, po më 23 maj, por në Budapest, e sapozbuluar prej nesh dhe që vlen për të kuptuar se cila kanë qenë këto dy superskuadra hungareze , lojtarët e të cilave mbas vetëm pak kohe do të trondisnin gjithë rruzullin e futbollit:
HUNGARIA - ÇEKOSLLOVAKIA 2-1
23.05.1948. Budapest.
HUNGARIA: Heni; Rudas, Nagy II, Balogh II; Kovacs, Kéri (Nagymarosi 34’); Egresi, Szusza, Deak, Puskas, Toth III. TRAJNER: Gallovwich Tibor.
ÇEKOSLLOVAKIA: Havlicek; Senecky, Marko, Vedral; Pokorny, Karel; Kokstejn, Rygr, Malatinsky, Subert, Klimek.
GOLAT: Egresi 16’, Deak 73’, Subert 81’.
GJYQTAR: Matancic (Jugosllavia).
SHIKUES: 37.000.
Interesant është se të dy këto ndeshje i gjykojnë dy gjyqtarë të mirënjohur jugosllavë. Madje ate Hungaria – Çekosllovakia e gjykon Matancic, njeriu i cili dy vjet më parë, më 1946, kishte gjykuar ndeshjen vendimtare Shqipëria – Rumania 1-0 që i dha Kombëtares shqiptare titullin e Kampiones së Ballkanit. (Shih librin tonë “Ballkaniada 1946”).
Midis këtyre dy ndeshjeve të një dite, nëse Evropa e quan diçka të natyrshme fitoren 2-1 të hungarezve ndaj çekosllovakëve, 0-0 i Tiranës përbën një ngjarje të papame për botën e futbollit
Eshtë një rezultat mbarëevropian për kah rëndësia. Dhe vetëm 35 ditë më vonë Karapici ka kulmin tjetër me skuadrën e tij: Beograd, Jugosllavia – Shqipëria 0-0. Ajo Jugosllavi e cila një muaj e gjysëm më vonë do të fitojë medaljet e argjenta në Olimpiadën e Helsinkit me plot 8 lojtarë të 11-shit të 0-0 me Shqipërinë: Franjo Sostaric, Miroslav Brozovic, Miodrag Jovanovic, Zlatan Cajkovski, Rajko Mitic, Stjepan Bobek, Bernard Vukas, Prvslav Mihajlovic. Çka do të thotë tri ndeshje të mëdha me asnjë gol të pësuar. Trajneri hungarez Kiraj guxon e thotë se mbrenda tri vjetëve Shqipëria do të jetë ndër konkurueset më të mira në botë”! Kjo nuk ishte dëgjuar asnjëherë dhe s’ka për t’u dëgjuar kurr më mbas kësaj Shqipërie 1948, që padyshim e kishte tejkaluar Ballkaniadën 1946. Mbas barazimit me Hungarinë Shqipëria kryeson Renditjen dhe mbas barazimit me Jugosllavinë, Renditja e Kampionatit Ballkanik dhe të Evropës Qendrore ishte kjo:
1. Hungaria 5 2 1 0 11-1
2. Shqipëria 4 1 2 0 1-0
3. Polonia 3 1 1 0 4-2
4. Jugosllavia 1 0 1 0 0-0
5. Bullgaria 1 0 1 1 3-4
6. Çekosllovakia 0 0 0 2 2-5
Dhe gjithçka do të shuhej. Do të shuhej mū prej Hungarisë së ferencez Pushkashit, “bijtë” e të cilin do të vijnë në Tiranë mbas 51 vjetëve, mbas një jave, më 28 mars 2009. Do të mbërrinim kështu
te ngjarja e frikshme që daton më 24 shtator 1950. Ka qenë ndeshja e 275-të e rradhës për Hungarinë, ndërsa e 19-ta për Shqipërinë, çka do të thotë se Hungaria kishte zhvilluar deri në këte ditë 15 herë ndeshje më shumë se Shqipëria! Dhe 12-0 për Hungarinë e Ferenc Pushkashit!
Siç e kam treguar në “Libri i Kombëtares”, e gjitha kjo ka të bëjë me faktin se në periudhën 1949-50, Shqipëria kishte arritur rezultate të jashtëzakonshme: Rumania – Shqipëria 1-1, Bullgaria – Shqipëria 0-0, Shqipëria – Polonia 0-0, Shqipëria – Bullgaria 2-1. Ishte një cikël i çuditshëm që e bënte Shqipërinë e vogël, e cila ishte vetëm katër vjet që kishte dalë për herë të parë në fushën e lojës, të cilësohej si një nga më të fortat e skuadrave të vëndeve socialiste, të një kampi të diktaturave komuniste, i cili me një rregullsi të pazakontë zhvillonte këto ndeshje miqësore si për të treguar unitetin e tij të të gjitha fushave. Duket si artificiale natyrisht, po tashmâ ata luanin një futboll mjaft të mirë duke patur në majë Hungarinë e cila po ngrihej në krye të futbollit botëror.
Dhe kështu, krejt papritmas Shqipërisë i vjen ftesa e madhe e një turneu që do të përshkohej në boshtin Pragë - Budapest - Bukuresht. Ndër të rrallat ftesa në historinë e saj deri më sot. Eshtë një kulm. Në këto vënde skuadra shqiptare prej shtypit mbarëkomunist evropian paraqitej si një nga më të fortat e Evropës Lindore dhe publiciteti kishte marrë përmasa krejt të pazakonta të vlerësimit. Madje edhe në Hungarinë e Pushkashit. Trajnerit Bik Jakova e kishte skuadrën në një formë të shkëlqyer dhe tashmâ për Loro Boriçin po flitej si për një futbollist të përmasave të mëdha evropiane. Nuk duhej të ishte një befasi. Tetë vjet më parë shqiptari i tretë i madh mbas Riza Lushtës së Juventusit dhe Naim Kryeziut të Romës kishte qenë pjestar i Lazio të Romës përkrah Silvio Piola-s, Kampionit të Botës.
III. Ndal jeta e një Kombëtareje të madhe
Nis kështu udhëtimi fatal i Kombëtares së kuqezinjve me të panjohurën e parë që i thonin Pragë, në një udhëtim për çudi, përmes detit, drejt Bullgarisë e prej andej me tokë drejt Pragës. Dhe krejt papritmas, në ngushticën e Dardaneleve ngjet episodi i paprecedent i arratisjes së dy lojtarëve tejet të rëndësishëm, Bahri Kavaja e Muhamet (Bule) Vathi të cilët kërkojnë lirinë e vërtetë. Dhe zgjedhin Turqinë, asokohe armike e përjetshme e Shqipërisë. Natyrisht akti i tyre nuk ka patur asgjë spontane. Moshatarë 28-vjeçarë, djem të rinj, të fortë e guximtarë, ata gjejnë çastin e tyre dhe hidhen nga anija - para syve të disa udhëheqësve të regjimit të Tiranës, të ndodhur në atë udhëtim, me sa di, Gogo Nushi e Sadik Bekteshi - drejt e në det, duke prekur mbas kalimit me not, tokën e premtuar të Turqisë. Ata kishin fituar lirinë në mërgim dhe nuk e merrnin me mend se me këte akt të tyre kishin mbyllur historinë e bukur të Kombëtares së Shqipërisë të viteve '40-’50.
Më 17 shtator 1950 megjithate, trajneri Jakova e nxjerr këte Kombëtare të tronditur keqas në fushën e lojës të stadiumit të Pragës, doemos pa Kavajën e Vathin, me një moral të shkatërruar, të përzier me një frikë e tension të papërshkrueshëm. Humbja është e pamënjanueshme: 3-0!
Ndeshjen e shkatërrimit të madh fati e kishte përcaktuar të shfaqej mbas 7 ditëve, më 24 shtator 1950, në Hungaria - Shqipëria, ndeshja “tragjike” e Kombëtares që mbetet sot e kësaj dite humbja më e thellë e saj. Eshtë 12-0! Për 53 minuta Qemal Vogli pëson 8 gola! 2 gola prej Pushkashit, 2 nga Budai, 2 nga Palotash, 2 nga Koçish! Eshtë një bombardim i pamshirshëm. Vetëm një moral i pazakontë, një forcë e brendëshme e çuditëshme, bën që skuadra shqiptare të rezistojë 18 minuta. Ishte një rezistencë e rréjshme, megjithate. Pushkashi shënon golin e parë dhe nga minuta 18 deri te ajo e 53-të Qemal Vogli pëson plot 8 gola çka do të thotë një gol në çdo 4 minuta, duke u vendour kësisoji, një tjetër rekord botëror i periudhës në ndeshje kombëtaresh! Në të 54' trajneri Jakova ndrron më në fund Voglin me Maliqatin, i cili ka "nderin" të pësojë "vetëm" 4 gola, 2 nga Pushkash dhe 2 nga Budai. Dhe 12-0! Kryeprotagonisti quhet Ferenc Pushkash. Deri në këte ditë, ai kishte luajtur 28 ndeshje me Hungarinë dhe kishte shënuar 38 gola – rekord botëror i epokës për treguesin ndeshje/gola për një futbollist Kombëtareje të të gjitha kohërave. Por 4 gola në një ndeshje ai shënonte për herë të parë në histori. Ia shënonte Shqipërisë.
Katërmbëdhjetë vjet të shkuara kam takuar në Durrës, Dr. György Szepesi-n, radiokronistin mitik të Hungarisë, kur ai, si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, kishte ardhur si delegat në Shqipëri. Ishte njeriu që kishte patur rastin të transmetonte edhe ndeshjen Hungaria – Shqipëria 12-0 të 1950-tës, dhe me plot gjallëri më tregonte se si, në pushim, lojtarët e famshëm hungarezë ishin ndarë më dysh për të ndaluar furinë e golave në portën tone, në portën e Shqipërisë mike që i adhuronte. Por nuk i shuhej etja Ferenc Pushkashit, autori i 4 golave mu kundër kësaj Shqipërie. Në një farë mënyre, Hungaria legjendare e Ferenc Pushkashit, po lindte mu në këte ndeshje të Shqipërisë.
Skeda e ndeshjes është përtej historisë:
HUNGARIA – SHQIPERIA 12-0
Budapest.24.09.1950.
HUNGARIA: Grosics (Geller 73’) - Kovacs II, Börzsey, Toth III - Kovacs I, Bozsik – Budai II, Kocsis, Palotas, Puskas, Babolcsay. TRAJNER: Gusztav Sebes.
SHQIPERIA: Vogli (Maliqati 53’) – Dibra (LR.Laçej 23’), B.BoriçI, Shaqiri – Spahiu, Llambi – Parapani, Gjinali, L.Boriçi, Jareci, Bakalli. TRAJNER: L.Jakova.
GOLAT: Puskas 18’, 36’, 81’, 82’, Budai 33’, 52’, 60’, 65’, Palotas 39’, 50’, Kocsis 42’, 53’.
GJYQTAR: V.Nemcovky (Çekosllovaki)
Dhe prej këtu drejt e te 5 tetori 1950 në Bukuresht dhe Rumania - Shqipëri 6-0, çka përbën epilogun e një drame e cila i kishte zhvillimet e saj të paracaktuara në rrjedhën e ujërave të Dardaneleve. Kombëtarja nxiton ndërkaq të kthehet në Shqipëri, dhe tashmâ të gjithë i pret gjyqi i madh i mosbesimit. Përjashtime, akuza për "moszbatimin e eksperiencës sovjetike", "tradhëti", "punë armiqësore". Dhe doemos përjashtime të pamëshirshme.
E vërteta është se në kthim, mbas dështimit të kuptueshëm të vetë Turneut, për javë të tana nuk publikohet asgjë në shtyp, me përjashtim të përfundimeve të tri ndeshjeve vetëm me dhjetë rreshta! Vonë, shumë vonë, mbas më se dy muajve nga ngjarja, më 8 dhjetor 1950, del shkrimi i famshëm analitik me titullin "Mbi turneun e ekipit kombëtar të futbollit", çka nënkupton se analizat, gjyqet e zyrave kanë vazhduar për javë e dit të tana. Nga shkrimi mësohet se Komiteti i Kulturës Fizike e Sporteve pranë Këshillit të Ministrave, pasi "organizoi mbledhjen me ekipin dhe dëgjoi drejtuesit si dhe anëtarët e tij, mori një vendim të rëndësishëm dhe të drejtë". Prej tij, verdikti më i ashpër është ai që përkufizohet si "rezultat i punës armiqësore në gjirin e ekipit dhe të mbeturinave borgjeze, i mungesës së vigjilencës dhe të stërvitjeve të rregullta, i përçmimit të eksperiencës sovjetike dhe të dizarmonisë së ekipit, i humbjes së qartësisë së qëllimit dhe i demobilizimit" që të çonte "te vërtetimi i punës së armikut edhe në sektorin e fiskulturës, që pasqyron në analizën e fundit, ashpërsimin e luftës së klasave në rrugën tonë drejt socializmit". Prej këti për Kombëtaren e Shqipërisë së viteve '40 do të mbërrinte një periudhë pa asnjë turne, asnjë lloj ndeshjeje. Asnjë periudhë tjetër nuk do ta dënojë më mbas Kombëtaren e Shqipërisë sa kjo dramë e këtyre tri ndeshjeve të vitit 1950. Merre me mënd, qysh nga ky 1950 e deri te 1963, në 13 vjet të tana Kombëtarja zhvillon vetëm 5 ndeshje! Pamëshirë!
Në një farë mënyre, historia me Hungarinë e Pushkashit drejtpërdrejt në fushën e blertë, merr fund me këte 12-0 të përtej historisë. Nuk është krejt kështu megjithate. Ka një lidhje tjetër, një lidhje politike e “shpirtërore” bashkë, që rrjedh po prej politikës. E vërteta është se 12-0 e Hungarisë ndaj Shqipërisë bëri bujë në gjithë Evropën. Hungaria e madhe e Ferenc Pushkashit, cikli i madh i Hungarisë legjendë të futbollit botëror të trajnerit të madh Gusztav Sebes, kishte lindur mu në këte ndeshje kundër shqiptarëve, 24 shtator 1950, ndonëse qysh pak muaj më parë, më 4 qershor 1950, Hungaria kishte shkatërruar 5-2 në Varshavë, edhe Poloninë. Kësisoji, mu prej kësaj vere 1950 do të vinin pandalë plot 32 ndeshje radhazi të pahumbura prej një Kombëtareje që përbën gjithashtu një rekord botëror të pambërritur prej askuj deri më sot. I fiksojmë edhe për plotmërinë e kulturës së mangët historike që prej bukur do kohëve ka pushtuar Shqipërinë sportive:
Polonia – Hungaria 2-5, Hungaria – Shqipëria 12-0, Hungaria – Austria 4-3, Bullgaria – Hungaria 1-1, Hungaria – Polonia 6-0, Çekosllovakia – Hungaria 1-2, Hungaria – Finlanda 8-0, Hungaria – Holanda 5-0, Polonia – Hungaria 1-5, Finlanda – Hungaria 1-6, Hungaria – Rumania 2-1, Hungaria – Italia 3-0, Hungaria – Turqia 7-1, Hungaria – Suedia 6-0, Hungaria – Jugosllavia 2-0, Zvicra – Hungaria 2-4, Hungaria – Çekosllovakia 5-0, Hungaria – Austria 1-1, Italia – Hungaria 0-3, Suedia – Hungaria 2-4, Çekosllovakia – Hungaria 1-5, Bullgaria – Hungaria 1-1, Austria – Hungaria 2-3, Hungaria – Suedia 2-2, Anglia – Hungaria 3-6, Egjipti – Hungaria 0-3, Austria – Hungaria 0-1, Hungaria – Anglia 7-1, Hungaria – Kore e Jugut 9-0, Hungaria – RF Gjermane 8-3, Hungaria – Brazili 4-2, Hungaria – Uruguaj 4-2.
Datat e këtij cikli përshkohen në këte hark kohor: 04.06.1950 – 04.07.1954. Çka do të thotë plot 4 vjet e 1 muaj pa humbur asnjë prej 32 ndeshjeve rrjesht, ose 27 fitore dhe 5 barazime. Për Pushkashin bilanci në këto 32 ndeshje është 29 ndeshje të luajtura dhe 37 gola të shënuar prej tij!
Humbja në mbarim të ciklit prej 32 ndeshjesh është ajo e fundores (finales) fatale të Bernës e 4 korrikut 1954, 2-3 me RF Gjermane që vlente sa një titull botëror. Çudia e madhe është se mbas kësaj humbjeje do të vinin edhe 18 ndeshje të tjera të pahumbura rrjesht prej Pushkashit e shokëve të tij (15 fitore, 3 barazime), çka do të thotë se mbrenda pesë vjetëve janë plot 50 ndeshje me vetëm 1 humbje mbrenda tyre. Deri më sot e pambërritëshme prej asnjë skuadre kombëtare në krejt rruzullin. Një cikël që për çudi do ta mbyllë Turqia në Stamboll më 19 shkurt 1956, e cila fiton 3-1 ndaj Hungarisë, duke u udhëhequr prej emrave të tillë si Naxhi, Metin e Lefter të cilët më mbas, përmes Fenerbahçes do të kenë edhe ata një histori shqiptare falë ndeshjeve të mëdha me Partizanin e Tiranës…
55 vjet më mbas, më 2005, dy protagonistë të legjendës hungareze të viteve ’50, mbrojtësi Jeno Buzansky dhe Gyula Grosics – Nënkampionë të Botës 1954 - falë nderimit të posaçëm të Presidentit të Hungarisë, Ferenc Madl, i cili i bën pjesë të vizitës së delegacionit të tij presidencial në Shqipëri - papritmas ata mbrrijnë së bashku me te në Tiranë, tash 80 vjeçarë, por tejet të mbajtur. Nuk mund ta harroj takimin me ta në Hotel Sheraton, sidomos dialogun e shpejtë me Buzanskyn, kur i vura përpara faqen e gazetës sonë sportive me ndeshjen tonë me Skuadrën e Minatorëve Hungarezë në 1-1-shin e largët të vitit 1950, ku ai kishte qenë një nga futbollistët.
Futbolli kurr nuk është vetëm lojë. Ai është edhe sport e kulturë së bashku, edhe histori, e shpesh edhe politikë, edhe sociologji, edhe ndjenjë kombëtare, edhe profesion, edhe art, edhe mënyrë jetese, edhe marrëdhënie ndërkombesh. Shqipëria e vogël, e cila “qe gëzuar” aq fort më 25 nëntor 1953 për atë fitore të kampit socialist, që shfaqej nën shifrat përrallore 6-3 të Wembley-t të Londrës kundër Anglisë, qe përpjekë ta ndërtonte paksa Kombëtaren e saj, edhe prej përvojës hungareze të asokohe. Specialistë shqiptarë u diplomuan pikërisht në ato vite në shkollën e futbollit të madh të Hungarisë. Isuf Pelingu, Sabri Peqini, Skender Dedja përbëjnë treshen tonë të famshme “hungareze”, të cilët duke filluar nga fund i viteve ’50 dhanë një kontribut të shquar në zhvillimin e futbollit shqiptar. Ndërkohë që mbetet e pashlyeshme puna e trajnerit hungarez, Miklos Vadas – ish trajner i Kombëtares B të Hungarisë – i cili e riformoi Kombëtaren tonë në fushë përmes 10 ndeshjeve të ndryshme, madje edhe në emërtim. Ndonëse duke mbetur në historinë zyrtare si Kombëtare kundër një Kombëtareje të huaj vetëm me 1 ndeshje nën drejtimin e tij: fitorja 2-0 e Shqipërisë së tij ndaj Polonisë më 29 nëntor 1953, ndër më të rëndësishmet në historinë e Kombëtares shqiptare. Për çudi një ngjarje që ka ndodhur vetëm katër ditë mbas fitores së bujëshme 6-3 të Hungarisë së Pushkashit në Wembley! Ndonëse ky episod i ynë “hungarez” nuk ka vend për krahasim me mrekullinë londineze. Vlen vetëm për një kuptim kronike dhe kaq.
Mbas një jave, 51 vjet mbas Shqipëria – Hungaria 0-0, me një vonesë gjysmëshekullore, do të kemi përsëritjen e saj, përveç të gjitha të tjerave, të një rëndie krejt tjetër. Eshtë kampionati Botëror 2010. Shekulli XXI. Për çudinë më të bujshme historike, kësaj rradhe përveç Shqipërisë së vogël, e vogël, duket të jetë edhe kjo Hungari 2009, e cila për fat, ashtu si më 1948, ka vetëm 1 pikë më tepër nga Shqipëria, duket gjithashtu “e vogël”. Kjo duket si një përmbysje e historisë. Ose si fillimi një historie të re, për fat tejet modeste për të dy palët, të cilat dikur nuk mund të krahasoheshin midis tyre…
------------------------------------------
(* Shkrimi, i plotësuar më tej është marrë nga “Futbolli Shqiptar – MAGAZINE”)