Pse zvarritet aktivizimi i letrave me vlerë në privatizim?
Në vitet e para të pluralizmit politik, pas ardhjes në pushtet të qeverisë së Partisë Demokratike, me një idealizëm pozitiv, shteti shqiptar emetoi dhe shpërndau ndër shqiptarët bonot dhe lekët e privatizimit (letrat me vlerë), me arsyetimin e drejtë për të shpërblyer punën e djersën e shqiptarëve, të cilët ndër vitet e socializmit krijuan disa thesare gjigante me pasuri të gjithfarëllojshme në makroekonominë e vendit. Deri në vitin 1997 kjo punë mori rrugë të mbarë dhe nga qëndrimi i asaj qeverie me anën e privatizimeve masive përfituan jo pak shqiptarë duke u bërë aksionerë. Por, pasi erdhën në pushtet socialistët, ata e injoruan, denigruan dhe u munduan ta përdornin politikisht si politikë të dështuar të PD. Mirëpo rotacioni i pushtetit “bën punën e vet”. Me ri-ardhjen në pushtet të PD në vitin 2005, shqiptarëve iu shtuan shpresat, sepse që para se Partia Demokratike të rivinte në pushtet, më 2005 u premtoi shqiptarëve se do t’i bënte aksionerë nëpërmjet aktivizimit të këtyre letrave me vlerë në privatizimet strategjike dhe ato të ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Kjo bëri që tregu i tyre, megjithëse shumë ngadalë, filloi të gjallërohet, çmimi i tyre nga zero arriti në rreth 15%. Për tërheqjen e tyre nga persona të interesuar, por “anonimë”, janë derdhur me miliona euro e janë grumbulluar në duar të panjohura qindra e qindra milionë bono privatizimi. Por kurdoherë që ka patur kërkesa dhe rritje çmimi përnjëherë e papritur ajo ndërpritet, çmimi bie dhe aktualisht ka rënë përsëri në rreth 5-10%, por përsëri kërkohet. Atëherë, a nuk kemi të drejtë ne si shoqatë që kërkojmë e mbrojmë interesat e qytetarëve që posedojnë bono privatizimi në fondin e investimeve Angloadriatika e më gjerë!?
Po, kemi të drejtë dhe shumë që të kërkojmë nga qeveritarët e sidomos nga kryeministri e ministrat, Bode dhe Ruli, përgjigje për pyetjet:
1- Ky qëndrim që mbahet aktualisht, mos vallë është taktikë e strategji për të ruajtur çmimin e ulët dhe me këtë çmim të grumbullohen nga personat “anonimë”, që nesër të na dalin me emra konkretë? (Ndoshta Fazlliçër e içër të tjerë).
2- Mos ndoshta nga pushtetarët që kanë në dorë kohën se kur duhet bërë privatizimi me anën e tyre të veprojnë ashtu siç u veprua me Porto Romanon?!
3- A iu ha meraku për rreth 47 mijë familje shqiptare që kanë depozituar letrat me vlerë në fondin e investimeve Angloadriatika dhe presin që ato të shndërrohen në aksione?
Pse qeveria (qeveritë) nuk e kanë thirrur administratën e këtij fondi e ta fusin në privatizim?
Mos harroni se aty janë jo pak vota që do të vlerësojnë, nëse do të mbahet ose jo edhe ky premtim i juaj.
4- Me çfarë të drejte ish-Banka e Kursimeve, sot e privatizuar, Raiffeisen Bank, që (siç thonë përfaqësuesit e saj), ka marrë porosi nga Ministria e Financave që të ndalojnë veprimet e depozituesve të saj në lekë privatizimi dhe aksionerëve të fondit Angloadriatika për tjetërsimin e këtyre depozitave? Kush luan me këto depozita?!
5- Çfarë pritet për të shitur me këto letra me vlerë, paketat e aksioneve të lëna për këtë qëllim në AMC, INSIG, bankat e nivelit të dytë, Albtelekom etj? Pse kjo shitje nuk bëhet njëkohësisht me paketën për investitorin strategjik? Si shpjegohet që shteti për paketat e tij të aksioneve i merr lekët menjëherë nga investitorët strategjikë, ndërsa për ato paketa aksionesh që iu përkasin qytetarëve shqiptarë, dhënien e tyre po e shtyn në “kalendat greke”?
Aq më keq që kohët e fundit doli një vendim qeverie që edhe këto paketa aksionesh po nxirren në ankand ndërkombëtar si me Albtelekomin apo siç është shitja e rreth 12,6% të aksioneve në AMC etj. Edhe qeveritë e majta këto paketa i kanë lënë për t’i shitur me letra me vlerë për qytetarët shqiptarë. Atëherë, përsëri pyesim: Kujt i intereson që shqiptarët të mos jenë aksionerë në pronën e tyre, siç është parashikuar në ligjin Nr. 8306, Dt. 14.03.1998 “Mbi strategjinë e privatizimit”, të cilit qeveria i referohet në çdo privatizim që bëhet?
6- Kohët e fundit ka dalë VKM Nr. 1638, datë 17.12.2008, i cili iu jep të drejtë pronarëve të trojeve, mbi të cilin është ndërtuar objekt shtetëror ta parablejnë atë 80% në letra me vlerë dhe 20% me lekë. Lidhur me këtë u prononcua për herë të parë në “histori” edhe ministri i Financave, zoti Bode.
Kohët e fundit vetë METE është prononcuar se këto objekte janë dërguar për privatizim që në gusht 2008, siç është Uzina e re Dinamo etj.
Pyesim: Pse po zvarritet kaq shumë realizimi në praktikë i një veprimi të tillë?
7- Pse poseduesit e letrave me vlerë nuk konsiderohen praktikisht si ish-pronarët e tjerë dhe pse nuk trajtohen në të njëjtën mënyrë, mbasi aksionet që ata duhet të marrin me anën e këtyre letrave me vlerë, janë pronë e vënë me djersën e tyre dhe si e tillë duhet t’u kthehet sa më parë? Pse qeveria e vonon këtë proces?
8- Në të gjithë rajonin vetëm në Shqipëri nuk ka bursë të letrave me vlerë. Pse nuk hapet bursa, ku të shiten aksionet shtetërore edhe me bono e lekë privatizimi? Si për shumë probleme, flitet e gjë nuk bëhet.
9- Pse nuk licencohen fonde të tjera investimi dhe të rinovohet licenca Angloadriatika?
10- Pse këtyre letrave me vlerë nuk u jepet fuqi kolaterale me ligj për të garantuar bankat që me anën e tyre të japin kredi për poseduesit e tyre? Ato pronë duhet të konsiderohen.
11- Zotërinj politikanë, a keni bërë ndonjëherë llogari se sa do të ulej varfëria në vendin tonë sikur të bëheshin efektive këto letra me vlerë?
12- Edhe për Ju, zotërinj opozitarë, kemi mendimin se këtij populli që po i kërkoni që tani votën e qershorit duhet t’i thoni:
a- Pse asnjëherë nuk i jeni drejtuar mazhorancës me kritikën që ka katër vite që nuk po e mban këtë premtim të dhënë para votimeve të vitit 2005, me të cilin juve ju rrëmbeu jo pak vota, sepse, sa ishit në pushtet për 8 vjet, nuk bëtë asgjë?
b- Ka filluar t’ju “digjet” shpirti për moshën e tretë, shumë po ia qani hallin, por në këtë drejtim nuk i premtoni asgjë. Apo edhe ju do të veproni si të djathtët që me një dorë ia rrisin pensionin dhe me njëqind duar e mënyra ia marrin?!
Por mos harroni se edhe kjo moshë e ka kuptuar hallin tuaj që shkon deri në momentin sa t’i merrni votën.
c- A keni bërë llogari se sa pensionistë nuk janë më pa e gëzuar djersën e tyre të derdhur ndër vite? A e dini që, jo vetëm Sali Berisha, por gjithë struktura shtetërore, e majtë apo e djathtë qoftë, atyre ua ka këtë borxh të pashlyer?
ç- Sidomos për veteranët “ju ka ngrënë e ju ha shumë” meraku, po a kini pyetur për ata mijëra veteranë që i ndjeri Barjam Tresova ua mblodhi bonot e privatizimit, me premtimin se nga qeveria e kohës do ua shndërronte shpejt e shpejt në aksione, por që sot e kësaj dite nuk u dihet fati?
Ju nuk u kujtuat për 8 vjet kohë sa ishit në pushtet, por të paktën kujtojani edhe këtë kryeministrit aktual se kësaj shtrese, të dy palët u kini mbetur borxhlinj.
d- Ne si shoqatë nuk po ju ngacmojmë për qëndrimin që keni mbajtur e mbani ndaj lekëve të privatizimit, shpërndarë për të shumëvuajturit, ish-të përndjekurit politikë, sepse edhe formalisht, ju dukeni se këtë shtresë nuk e kini shumë për zemër, por të paktën pse nuk e shfrytëzoni në opozicionin tuaj?! Edhe atyre u kanë mbetur në dorë shumë nga këto letra me vlerë.
Shumë interesant ky qëndrimi juaj!
e- Mos vallë mendoni se përsëri do e shfrytëzoni për të gënjyer votuesit, siç e propagandonte i “famshmi” politikani juaj me emrin Bufi, i cili thoshte se shpërndarja e letrave me vlerë “ishte politikë e dështuar e Sali Berishës” dhe i quajti ato “letra me vrimë”?! Jo ore, jo, nuk ishte politikë e dështuar shpërndarja e tyre, po përkundrazi, ju humbët shansin që për 8 vjet nuk e shfrytëzuat këtë politikë të majtë të qeverisë së djathtë paraardhëse. Politikë e gabuar ishte qëndrimi nënvlerësues e denigrues që mbajtët ju ndaj letrave me vlerë, si dhe ai që po mbahet edhe këto 4 vjet, sepse ato akoma nuk po bëhen efektive.
Së fundi: Ju drejtohemi Juve, zoti kryeministër, tani jo me pyetje, por me shpresë se deri në hapjen e fushatës zgjedhore keni kohë të bëni realitet edhe këtë premtim, që kohët e fundit vetëm sa keni dhënë sinjale pozitive. Shpresojmë se nuk do e nënvlerësoni e nuk do prisni sa të vijë fushata e zgjedhjeve, por që tani e sa më parë do ia hiqni nga dora opozitës edhe këtë shans që ta përdorë kundër jush në fushatën e afërt elektorale.