Bregdeti nuk do e votojë më këtë mazhorancë
Emisioni i Ora News i drejtuar nga gazetari Alfred Peza më imponon të bëj këtë replikë me deputetin e bregdetit, Spiro Peçi dhe zv/ministrin e Drejtësisë, Viktor Gumi, dy nga të ftuarit në studio, dt 20.03.2009, në debatin për pronat. Në debat merrnin pjesë dhe ish-zv/ministri i Turizmit, Artan Lame, dhe gazetari Blendi Fevziu.
Në emision iu dhe e drejta të ndërhynin përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” dhe përfaqësuesi i Transparency International Albania, zoti Shala. Dy të fundit, për aq sa i lejoi koha, në dallim nga tre të parët u shprehën pa doreza, qartë dhe saktë. Ndonëse pronat u trajtuan si nyja gordiane e tranzicionit shqiptar, por kuptuam që ka interesa që problemi i pronës të mbahet akoma pa u zgjidhur. Tre të ftuarit e parë në shkallë të ndryshme mbartnin ngarkesat antipronar. Nuk e kuptojmë, përse dy juristët, Spiro Peçi dhe Viktor Gumi, në dy orë emision nuk trajtuan faktin se makineria shtetërore me legjislacionin aktual shkel titujt e pronësisë dhe vazhdon ta trajtojë pronën e grabitur nga diktatura si pronë të mirëfilltë të shtetit. A nuk është turp profesional për dy juristët që e anashkaluan zgjidhjen e problemit nëpërmjet zbatimit të titujve të pronësisë dhe aq më tepër nuk trajtuan zbatimin e të drejtës së pronës në përputhje me detyrimet kushtetuese, me Konventën Evropiane, me pikën 191 të dokumentit nr. 11115, datë 20 dhjetor 2006 kërkesave të shprehura nga ambasadori i KE, i OSBE, i Britanisë së Madhe, i Francës dhe kërkesat e përsëritura të SHBA?
Analizat e ndërkombëtarëve lidhur me shkeljen e të drejtës së pronës, përsëri e dallojnë Shqipërinë si “delja e zezë” në gjithë Evropën. Nga të gjithë diskutantët në studio u pranua pamundësia e kompensimit fizik dhe monetar, por zv/ministri Viktor Gumi vazhdoi të mbrojë ligjin grabitës 7501, deputeti i zonës Spiro Peçi po ashtu na la shumë të zhgënjyer, ndërsa përfaqësuesi i të majtës ish-zv/ministri, Artan Lame, ndonëse e kritikoi me fakte linjën e gabuar të Partisë Demokratike, por ai nuk u shpreh për abrogimin e ligjit 7501 dhe për më keq ai për shkak të indoktrinimit të thellë sipas platformës së Katovicës, vazhdon të përdorë për ne termin mashtrues ish-pronarët.
Ne, shoqata “Bregdeti” dhe ajo “Pronësi me Drejtësi” po mbrojmë interesat e ligjshme të popullit nga politikanët e pas vitit 1991, të cilët me një propagandë pseudodemokratike po vjedhin pronat tona të trashëguara dhe po bëjnë rrush e kumbulla pasuritë kombëtare. Faktet e shumta nuk kanë nevojë për koment. E vetmja zgjidhje dhe e vetmja kërkesë për ne është “pronat tek i zoti”. Qeveria nuk do mundet të mashtrojë më as pronarët e as ndërkombëtarët. Tani po vjen koha që politikanët do të na kërkojnë përsëri votën.
Shoqata “Bregdeti”, po e bashkërendon punën me shoqatën “Pronësi me Drejtësi”, sepse kanë kaluar 18 vjet dhe nuk duam të mashtrohemi përsëri. Ne, siç jemi shprehur në gazeta të ndryshme si “Koha Jonë“, “Ballkan” “Sot” dhe së fundi në gazetën “TemA” dt 15.3.2009, në gazetën “Shqip” dhe “Telegraf” dt. 16.03.2009 dhe në gazetën “Ndryshe” dt. 17.03.2009, kërkojmë veprime konkrete dhe votat tona do t’i kushtëzojmë. Konkretisht, ne kërkojmë nga mazhoranca përpara zgjedhjeve të qershorit 2009, të ketë përfunduar kthimin fizik të pronave në zonën turistike Vlorë-Sarandë, të përfshirë në VKM nr. 88, dt 1.3.1993 (zona me përparësi zhvillimin e turizmit), në kufijtë e parashtetëzimit komunist, çlirimin e trojeve tona nga uzurpuesit, shpalljen e pavlefshmërisë për aktet me të cilat politikanët pas vitit 1991 kanë përvetësuar pronat tona, spastrimin nga ndërtimet pa leje të kryera prej personave të tretë, e shoqëruar kjo dhe me largimin e inerteve, dhe kjo mund të zbatohet brenda muajit.
Në të kundërt, blloku i mazhorancës nuk do të ketë asnjë votë nga bregdetasit dhe rrethi tyre familjar kudo ku ata jetojnë dhe votojnë. Qeveria, nëse ka buxhet, le t’i përdori paratë dhe pronat e lira për t’ua dhënë atyre që kanë përfituar dhe përvetësuar dhe pas vitit 1991 po pasurohen padrejtësisht duke shfrytëzuar pronat tona. Është vjedhje e hapur dhe qeveritarët po abuzojnë deri në këtë shkallë me pushtetin që trojet turistike nuk i kthehen të zotëve, por i jepen “ClubMed” të Francës dhe një firme shqiptare ndërtimi, si dhe firmave ose kompanive të ndryshme që kanë dalë si kërpudhat në bregdet. Këta nuk janë trashëgimtarët e pronarëve të ligjshëm.
Nëse mazhoranca do vazhdojë me pikëpamjet e shprehura në këtë emision televiziv dhe nëse nuk do të marrim garancitë e duhura nga forcat politike që kërkojnë votat tona, Shoqata A. K. “Bregdeti” do t’u bëjë thirrje pronarëve të zonës Vlorë-Sarandë, kudo ku ata jetojnë, që në shenjë proteste të bojkotojnë zgjedhjet.