Milionat shtesë të Kalimashit
Fatura e së ardhmes së afërt të rrugës patriotike Durrës-Kukës rezervon surpriza të pakëndshme për taksapaguesin shqiptar. Gjithçka nis pas prerjes së shiritit të inaugurimit duke iu shtuar vlerës fillestare të ndërtimit. Qeveria shqiptare ka marrë sakaq 230 milionë euro në terma tregtarë Euribor +1.25%, si dhe një kredi tjetër që qeveria po orvatet të marrë, e cila luhatet nga 250 në 300 milionë euro, me një interes që deri më tash vlerësohet në rreth 7%. Kjo do të thotë se për të dyja kreditë bashkë shqiptarët do të kontribuojnë nga taksat e tyre me rreth 5% në vit interesa, çka përkthehet në rreth 25 milionë euro në vit që Shqipëria do t’u paguajë huadhënësve për të paktën një dekadë.
Ndërkaq, sipas standardeve botërore, një rrugë ka nevojë për një mirëmbajtje vjetore që luhatet në vlerën 1-2% të kostos së ndërtimit. Për rrugë me infrastrukturë të komplikuar si ajo Durrës-Kukës kjo përqindje ka gjasa të rritet. Sakaq, vetëm segmenti Rrëshen-Kalimash është vlerësuar në rreth 1 miliard euro. Sikur vlera totale e krejt rrugës do të kufizohej në këtë shifër, vendi do të duhej të paguante nga 10 milionë euro deri në 20 milionë euro çdo vit vetëm për mirëmbajtje. Duke qenë se një rrugë e ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare në 10-vjeçarin e parë ka një kosto mirëmbajtjeje prej vetëm 1%, vetëm në 10-vjeçarin e dytë kjo vlerë shkon në 2%.
Eksperti i njohur infrastrukturës, Sokol Kikino, vlerëson se një rrugë si Durrës-Kukësi ka gjasa të kërkojë shërbime mirëmbajtjeje rreth vlerës 1% brenda 8 viteve të para, ndërsa pas kësaj periudhe, kostoja e mirëmbajtjes do të shkojë në 2% të vlerës së ndërtimit. Në terma të thjeshtuar, kjo do të thotë se taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë rreth 10 milionë euro çdo vit vetëm për mirëmbajtje - duke marrë parasysh vlerën fillestare prej 1 miliard eurosh të rrugës. Pas dhjetë vjetësh, kjo normë do të shkojë në 2%, ndryshe 20 miliardë euro çdo vit, mirëmbajtje plus amortizim. Duke shtuar këtu edhe interesat e kredisë së marrë, kjo do të thotë se vetëm gjatë 10-vjeçarit të parë taksapaguesit do të kontribuojnë me të paktën 35 milionë euro çdo vit për rrugën Durrës-Kukës. Pa folur këtu për zhvlerësimin e natyrshëm të monedhave, zhvlerësim nga i cili euro nuk bën përjashtim. Pas dekadës së parë shqiptarët do të paguajnë plot 20 milionë euro çdo vit vetëm për mirëmbajtjen e rrugës.
Paralel me këtë zhvillim financiar është edhe një tjetër, që gjithashtu parashikon pagesa shtesë. Shifra e deritanishme prej 1 miliard eurosh e rrugës Durrës-Kukës i referohet vetëm segmentit prej 57 kilometrash, Rrëshen-Kalimash. Këtu nuk përfshihet vlera e segmenteve të tjera, Milot-Rrëshen (rreth 32 kilometra), Kalimash-Kukës-Morinë (mbi 40 kilometra). Pa folur pastaj për një tjetër segment, i cili nuk përmendet askund, që duhet të lidhë autostradën Tiranë-Durrës me Milotin, sepse rruga ekzistuese është thjesht dhe vetëm rrugë fshati.
Ndërkombëtarët e kundërshtuan
Qeveria iu shtriu fillimisht dorën institucioneve ndërkombëtare, disave për t’u marrë leje, të tjerave për t’u kërkuar pará. Por Shqipëria ka dalë që në vitin 2004 nga grupi i vendeve që përfitojnë kredi me terma të buta, ndaj çdo kredi për këtë rrugë do të jetë me terma tregtarë, sikurse edhe ka ndodhur tashmë. “Duke marrë parasysh prioritetet e investimeve, buxheti i brendshëm nuk mund mbulojë një investim kaq të madh. Jemi në proces finalizimi të marrëveshjes për të financuar pjesën e parë të korridorit me Bankën Botërore, e cila do investojë 25 milionë USD, si dhe fondin e OPEC, me 15 milionë USD, i cili pritet të përfundojë në fillim të vitit 2007”, - thuhet në dokumentin që qeveria i dërgoi Fondit Monetar Ndërkombëtar. Megjithatë, FMN nuk ka mbajtur një qëndrim të prerë mbi këtë projekt, ndoshta edhe ngaqë më parë duhet të shohë projektin, i cili ende nuk dihet nëse ekziston.
Ndërkaq, Banka Islamike e Zhvillimit duket se mund të japë 35 milionë dollarë për një pjesë të rrugës. Megjithatë, qeveria i ka thënë FMN se ka nevojë për një shumë prej 200 milionë eurosh financim të jashtëm për tri vitet e ardhshme, ku shumica e financimit do të jetë me terma jo-koncesionarë. Duke qenë se pala shqiptare ka rënë tashmë dakord me FMN që kreditë jo-koncesionare të jenë më pak se 280 milionë euro, ka kërkuar që kjo shumë të shtohet dhe me 100 milionë euro për vitin 2007, pra të bëhet 380 milionë euro.
Në këto kushte, rritja e riskut të borxhit buxhetor afatmesëm si pasojë e ndërtimit të rrugës Durrës-Morinë është i pashmangshëm, siç kanë pranuar edhe krerët financiarë të vendit, gjatë komunikimit me FMN. Megjithatë, qeveria ka marrë disa angazhime për të tejkaluar këtë situatë. Por, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar mund të ketë aprovuar rritjen e kufirit të kredive jo-koncesionare, një opinion i qartë mbi vetë projektin nuk është bërë publik.
Nga ana tjetër, Banka Botërore është treguar më e drejtpërdrejtë, duke shfaqur me kohë dhe haptazi dyshimet e saj mbi nevojën e këtij investimi kolosal për financat e Shqipërisë dhe problemet që mund të lindin si rrjedhojë. Sipas raportit të saj të muajve më parë mbi infrastrukturën shqiptare, investimet e reja, sidomos ato në rrugën Durrës-Kukës-Morinë, të cilat kërkojnë shpenzime të mëdha buxhetore duhet të shihen në raport me përfitimet që ato sjellin. Kjo për arsye se, përfitueshmëria e ndërtimit të kësaj rruge me fonde të përqendruara do të mbajë peng shpenzimet për mirëmbajtje në rrugët e tjera kryesore. Sipas BB, shpenzimet operative për mirëmbajtje të rrugëve janë më të ulëtat në rajon dhe kjo ka rritur koston potenciale të mirëmbajtjes së tyre. Kështu, çdo investim shtesë në sektorin e rrugëve përveç atyre të planifikuara në Planin Kombëtar Transportit duhet të vlerësohet me shumë kujdes, sipas raportit.
“Meqenëse korridori rrugor Durrës-Kosovë është tashmë pjesë e kësaj strategjie kombëtare, investimet e planifikuara shtesë në këtë korridor duhet të jenë në përputhje me kërkesën aktuale dhe atë të parashikuar të trafikut, si dhe prioritetet kombëtare të momentit ose përndryshe ato do të lënë pa bërë shpenzime të rëndësishme të planifikuara ose të nevojshme, si në këtë sektor, ashtu edhe në sektorë të tjerë prioritarë”, - citon raporti.
Megjithatë, vërejtjet e Bankës Botërore duket se nuk janë marrë parasysh nga qeveria, e cila këmbëngul ta çojë deri në fund realizimin e projektit ambicioz, për të cilin, në fakt, nuk ekziston një projekt i mirëfilltë, i shoqëruar me studimet përkatëse.
“Shtegu i dhisë”
Në këto kushte, kur asgjë nuk është studiuar qartë, kur kostot e projektit vijnë duke u rritur dhe kur ndërkombëtarët japin përgjigje “as mish as peshk”, por më së shumti me shije të thartuar, qeveria po mundohet të gjejë shtigje alternative për financimin e projektit. Së pari, duke qenë se ky projekt do të jetë prioritet i qeverisë për buxhetin e disa viteve me radhë, do të merren masa që fondi i kontigjencës të rritet me 1% të GDP. Kjo, bazuar në ligjin organik të buxhetit, do të bëhet me qëllim që të sigurohen më shumë burime parash, për t’ia kaluar ndërtimit të rrugës Durrës-Morinë. Një tjetër manovër do të jetë që fondet e rialokuara nga mosrealizimet do të destinohen përsëri në ndërtimin e kësaj rruge. Kurse burimi tjetër i financimit të rrugës Durrës-Morinë që ka menduar qeveria, është që çdo privatizim që do të bëhet, 50% e fondit do të kalojë për ndërtimin e rrugës.
Megjithatë, që tani dyshohet, me të drejtë, se edhe këto marifete nuk do të mjaftojnë për të gjetur rrugë të shtruara në realizimin e programit të infrastrukturës mbarëshqiptare. Këtu qeveria ka gjetur “shtegun e dhisë”. Do të thotë që do të merren fondet e çdo projekti tjetër që cilësohet i një rëndësie më të vogël se Durrës-Morina. Pikërisht ai rrezik që nënkupton Banka Botërore në raportin e saj, duke paralajmëruar edhe pasojat e rënda që kanë filluar të ndihen që tani, në amortizimin dhe degradimin e rrjetit rrugor ekzistues, si pasojë e mungesës së fondeve për rehabilitim e mirëmbajtje. Por kjo nuk do të thotë se fatura prej 700 milionë eurosh do të jetë arritur me gjithë përpjekjet e mundshme për të shtrydhur çdo fond të manipulueshëm në buxhet e çdo borxhdhënës të mundshëm ndërkombëtar