E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drashkoviç: Millosheviçi e dëshironte bombardimin e Serbisë nga NATO

Nga Bahri Cani, “Deutsche Welle”

Intervistë me Vuk Drashkoviç, zëvendëskryeministër i qeverisë Federale Jugosllave në kohën e luftës së Kosovës, ish-ministër i Jashtëm i Serbisë dhe kryetar i Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe (SPO)

Zoti Drashkoviç, a ishin të domosdoshme bombardimet e NATO-s para dhjetë viteve?

Bombardimet nuk duhet të ndodhnin. NATO, jo vetëm që nuk ka pasur lejen e KS të OKB, por edhe sikur ta kishte pasur, nuk duhet të bombardonte një vend në mes të Evropës. Regjimi i Sllobodan Millosheviç dhe shqiptarët, secili për qëllimet e veta, dëshironin bombardimin e Serbisë prej NATO-s. Kështu, NATO u bë peng i ekstremistëve serbë dhe shqiptarë, të cilët donin që bombat të binin mbi Serbinë.

Nuk e kuptoj, pse dëshironte Millosheviç bombardimin e vendit të vet?

Sepse ka menduar se bombardimet do të jenë të shkurtra, të lehta. Bombardime të tilla do t'i mjaftonin për të ndezur ndjenjat e fuqishme antievropiane dhe antiamerikane në Serbi. Pas shpërthimit të tyre, do të fillonte qërimin e hesapeve me forcat pro-evropiane në Serbi dhe do të hapte rrugën për realizimin e projektit të radikalëve dhe majtistëve, për krijimin e një lloj federate apo konfederate me Rusinë dhe Bjellorusinë. Bombardimet i dëshironin edhe shqiptarët, kështu që palët kundërshtare në luftë negocionin në Rambuje, por ato kishin një qëllim të njëjtë: që bombat të binin mbi Serbinë dhe Malin e Zi.

Zoti Drashkoviç, si zëvendëskryeministër i qeverisë së atëhershme jugosllave jeni ndër të parët nga strukturat e pushtetit që keni folur në kohën e luftës sa e pakuptimtë ishte kjo luftë e nisur nga Millosheviçi. A keni mundur të bëni më shumë për evitimin e luftës apo Millosheviç ishte shumë i fuqishëm dhe nuk merrte këshilla prej askujt?

Jo, Millosheviçi merrte këshilla, por, për fat të keq prej atyre që nuk është dashur t'i marrë: gruas së tij dhe Partisë Radikale. Si lider i opozitës pro-evropiane unë pranova të futem në qeverinë federale jugosllave si zëvendëskryeministër për çështje të jashtme, pasi Millosheviçi shprehu bindjen se ishte i gatshëm që me ndërmjetësimin e Trojkës ndërkombëtare Hill, Majorski dhe Petriç, të arrinte marrëveshje me shqiptarët e Kosovës. Millosheviçi më premtoi se pas marrëveshjes me shqiptarët, Serbia do të drejtohej drejt Evropës dhe evropianizimit. Unë nuk jam kaq naiv, që të mos e dija se Millosheviçi ishte i gatshëm të mashtronte. Por, besoja se, kur më premtoi këto gjëra, i kishte menduar ato vërtet. Për fat të keq, se shpejti ra nën ndikimin dramatik të radikalëve dhe majtistëve jugosllavë (JUL), të cilët donin diçka tjetër. Ata donin që situata të ashpërsohej deri në maksimum, që të shkohej në Rambuje me një grup aktorësh cirku dhe që atje të evitohej çdo mundësi marrëveshjeje. Qëllimi ishte që NATO të bombardonte Serbinë dhe që regjimi të vendoste një perde të hekurt kundrejt Evropës dhe Uashingtonit.

Në Rambuje ka pasur edhe disa propozime serioze jo shumë negative për Serbinë apo jo?

Disa ditë para përfundimit të negociatave në Rambuje, jam kthyer nga Parisi dhe i kam dhënë Millosheviçit një mesazh sekret të Trojkës ndërkombëtare. Ajo ishte një marrëveshje, e cila pas pranimit tonë do t'i jepej palës shqiptare, e cila në atë kohë ishte e përçarë. Thaçi ishte figura kryesore, ndërsa Rugova ndihej i poshtëruar, sepse nuk ishte zgjedhur si shef i ekipit negociator. Dokumenti parashikonte që Kosova të kishte mundësinë e vetëqeverisjes dhe autonomisë më të lartë lokale, në mënyrë që Beogradi të mos kishte mundësinë të diktonte çfarë duhet të bënte shumica e popullsisë në Kosovë. Mirëpo Kosova mbetej pjesë e Serbisë dhe Jugosllavisë, pa të drejtën e referendumit për ndarje. Po ashtu, parashikohej futja e trupave të NATO-s në Kosovë dhe që Serbia të kishte atje rreth 2000 ushtarë dhe 3000 policë. Përveç kësaj parashikohej edhe çarmatosja e përgjithshme, vendosja e shtetit juridik, dënimi i të gjithë personave që kishin bërë krime... Pas vendosjes së vetadministrimit kosovar, trupat ndërkombëtare do të tërhiqeshin nga Kosova. Nga Millosheviçi kërkova në atë kohë që të lajmëronte Milan Milutinoviçin dhe të nënshkruante patjetër në Rambuje këtë dokument, por Millosheviçi shikonte si i përhumbur dhe pohonte se çizmja e NATO-s “nuk do ta shkelte kurrë tokën e Serbisë”. Unë u bëra cinik dhe i thashë: po mirë, do t'i lusim të mbathin atlete dhe të mos vijnë me çizme. I thashë se historia dhe populli serb nuk do t'ia falin kurrë këtë gabim, por e kuptova se kishte rënë plotësisht në duart e radikalëve dhe JUL dhe kishte vendosur të fillonte konfliktin me NATO-n, duke shpresuar se bombardimet nuk do të zgjasin shumë, dhe ai do ta paraqiste veten më vonë para popullit si fitimtar në luftën kundër fuqisë më të madhe botërore.

Zoti Drashkoviç, ekziston edhe një fakt tjetër, të cilin e dini edhe ju, edhe unë. Në prag të luftës Vojisllav Sheshel pati paralajmëruar fillimin e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës, menjëherë pas fillimit të bombardimeve. Pra, pjesë e strategjisë së regjimit nuk ishte vetëm lufta kundër opozitës pro-evropiane, por edhe spastrimi etnik i shqiptarëve?

Për fat të keq besoj se po. Në disa qarqe, që kanë bërë politikë të marrë, ka pasur mendime se bombardimet e NATO-s mund të shfrytëzohen si një lloj çadre, që çështja e shqiptarëve të zgjidhej ashtu siç e ka zgjidhur Kroacia çështjen serbe - me largimin e qindra-mijëra serbëve. Më vonë u pa se këto mendime dhe qëllime ishin plotësisht të gabuara. Megjithatë, mendoj se objektivi kryesor nuk ishin shqiptarët, por opozita pro-evropiane. Bombardimet filluan më 24 mars, ndërsa qeveria federale shpalli menjëherë gjendjen e luftës. Vetëm një ditë më vonë erdhi urdhri për futjen e dënimit me vdekje dhe u formuan gjykatat emergjente për dënimin me vdekje të armiqve.

Cilët armiq?

Armiqtë e regjimit të Sllobodan Millosheviçit, pra forcat pro-evropiane në Serbi. Menjëherë kam kërcënuar se do të dal nga qeveria dhe do të organizoj protesta dhe rezistencë ndaj agresorit të brendshëm, që rezultoi me pezullimin e vendimit. Më vonë e evitova edhe qëllimin e mbrapshtë që ushtria jonë të sulmojë me armë dhe të pushtojë Radiotelevizionin e Malit të Zi. Kjo ishte një katastrofë, që shkaktoi luftën mes ushtrisë dhe policisë, luftën qytetare në Mal të Zi dhe luftën mes Serbisë dhe Malit të Zi. Besoj se nxitja e urrejtjes ndaj shqiptarëve ishte vetëm perde për eliminimin e opozitës në Serbi.

Ndoshta, por faktet flasin ndryshe, sepse shumë shpejt nga Kosova u dëbuan qindra-mijëra shqiptarë...

... Natyrisht që nuk mund të mohohet një fakt, i cili është parë në të gjitha televizionet e botës. Por nuk mund të mohohet as fakti që në seancat e qeverisë federale kam kërkuar disa herë në formë dramatike që forcat tona të vihen sa të munden në mbrojtje të popullit shqiptar në Kosovë dhe t’iu heqin të gjithëve prej dore argumentin për fillimin e bombardimeve dhe akuzat për spastrime etnike.

Cilat janë pasojat e kësaj lufte për Serbinë dhe Kosovën, sot 10 vjet prej fillimit të bombardimeve?

Pasojat janë dramatike, në veçanti për Serbinë. Strategjia e Millosheviçit për nxitjen e ndjenjave antievropiane dhe antiamerikane ishte e suksesshme. Kam frikë madje se ndjenjat antiamerikane dhe kundër NATO-s janë sot në Serbi edhe më të fuqishme se menjëherë pas përfundimit të bombardimeve. Pas rrëzimit të Millosheviçit më 5 tetor të vitit 2000, ne kurrë nuk e kemi nisur procesin e përballjes së popullit me faktet dhe të vërtetën e hidhur. Nëntë vjet pas përfundimit të luftës kemi ripërtërirë sërish retorikën e vjetër të Millosheviçit ndaj Kosovës dhe në përgjithësi retorikën e tij në politikën e jashtme. Me naivitet kemi menduar se piramida do të rrëzohet vetvetiu, pas heqjes së majës. Millosheviçi ra, por piramida mbeti. Piramidën e tij e përbën helmi që ka mbjellë te miliona njerëz policia sekrete dhe strukturat ushtarake. Në gjykata dhe në media ka ende plot njerëz të Millosheviçit. Asnjë pushtet, prej ndryshimeve të tetorit e deri më sot, nuk ka nisur luftën e pakompromis kundër sëmundjes që ka kapluar Serbinë dhe popullin serb, në kohën e Sllobodan Millosheviçit. Ndërkohë që raportet mes shqiptarëve dhe serbëve janë sot më të këqija se para bombardimeve. Shqiptarët dhe Kosova nuk mund të përparojnë, nëse mbeten në armiqësi me serbët dhe Serbinë.

Në shkurt të vitit të kaluar, Kosova shpalli pavarësinë, të cilën e kanë njohur gati 60 vende. Ndërkohë, Serbia vazhdon të kërkojë kthimin e Kosovës nën sovranitetin e saj. Mendoni se janë reale këto kërkesa apo Serbia e ka humbur përfundimisht Kosovën në kohën e Millosheviçit?

Sovraniteti, sipas të drejtës ndërkombëtare, nënkupton që një shtet të ushtrojë pushtetin legjislativ, ekzekutiv, juridik dhe çdo pushtet tjetër. Serbia nuk e ushtron këtë pushtet në Kosovë, që nga qershori i vitit 1999. Mendoj se asnjë pushtet serioz në Serbi nuk mund e as llogarit ndonjë mundësi kthimi të pushtetit ushtarak, policor, legjislativ, ekzekutiv dhe juridik në një krahinë, ku pjesa më e madhe e popullsisë është kundër tij. Në anën tjetër, në fuqi kemi ende Rezolutën 1244, sipas së cilës Kosova ndodhet formalisht brenda kufijve të Serbisë, që parashikohet edhe me Kushtetutën e Serbisë.

Duket situatë absurde apo jo? Si mund të dilet nga kjo situatë dhe si mund të përmirësohen raportet mes Serbisë dhe Kosovës?

Së pari, popullit serb i duhet thënë e vërteta. E dyta, qëllimi strategjik i Serbisë ndaj Kosovës duhet të jetë kthimi maksimal atje sipas rregullave bashkëkohore evropiane, me fuqinë e kapitalit, teknologjisë, infrastrukturës, ligjeve evropiane... Këtë detyrë të madhe mund ta kryejë vetëm një Serbi e fuqishme moderne dhe demokratike. Një Serbi e tillë mund të jetë vetëm ajo Serbi, e cila është pjesë e BE dhe NATO-s.

Mendoni se është i mundur anëtarësimi i Serbisë në BE pa njohjen e Kosovës? Si mund të realizohet kjo?

Ashtu siç u realizua nënshkrimi nga Serbia i Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me BE, e cila nuk ka të bëjë fare me Kosovën. Kjo marrëveshje nuk mund të ketë asgjë me Kosovën, sepse Serbia nuk ekziston më në Kosovë. Ekzistojnë disa vende në kuadër të BE, të cilat nuk e njohin Kosovën, ndërkohë që Brukseli nuk do t'i kërcënojë ato kurrë me largimin nga BE, në qoftë se nuk e njohin Kosovën. BE nuk do të insistojë në njohjen e Kosovës, por në lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe kapitalit, vendosjen e lidhjeve dhe ndërtimin e rrugëve, hekurudhave dhe komunikacionit ajror. Ka shumë shembuj të ngjashëm. Holanda, për shembull, plot 10 vite nuk e ka njohur pavarësinë e Indonezisë, dhe askush nuk ka kërkuar prej saj përgjegjësi. Edhe Qiproja është futur në BE, ndonëse nuk e njeh Republikën e vetëshpallur të Qipros. Evropa nuk do të merret me formën, por me esencën.

Megjithatë, disa diplomatë të njohur si Rohan, Ischinger, Petriç dhe të tjerë, me të cilët kam pasur rastin të bisedoj, pohojnë se BE nuk do ta pranojë më asnjë shtet, i cili nuk ka rregulluar marrëdhëniet me vendet fqinje. Pra, as Serbinë dhe as Kosovën, pa e njohur njëra-tjetrën. Mendoni se Serbia një ditë do të detyrohet të pranojë pavarësinë e Kosovës?

Nga Brukseli është thënë shpesh se Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kusht për anëtarësim në BE. Do të ketë kushte të tjera, siç janë bashkëpunimi, stabiliteti dhe siguria rajonale. Është e mundur që çështja të zgjidhet me pranimin e tyre fillimisht në NATO, që do të ishte garanci se në këto hapësira nuk do të ketë më luftë kurrë. Pas evitimit të këtij rreziku, çështjet mund të zgjidhen me evropianizimin e rajonit, sepse Evropa ka vetëm dy zgjidhje para vetes: Evropianizimin e Ballkanit perëndimor apo ballkanizimin e Evropës. Jam i sigurt se Evropa nuk do ta pranojë zgjidhjen e dytë. Vendet e Ballkanit nuk janë nga ana tjetër e kufirit, por brenda Evropës.

Të lëmë Evropën anash dhe t`i kthehemi raporteve tona: A janë reale pritjet për normalizimin e shpejtë të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit?

Shpresoj se do të normalizohen. Por kjo varet prej elitave politike në Prishtinë dhe Beograd. Në këtë moment asnjëra palë nuk është e gatshme, por mendoj se do të detyrohet. Këtë do t'ua imponojnë rregullat dhe normat e Evropës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›