Flamuri sqaron militantët për Mediun te bar Kalaja
Flamuri më në fund ka shpëtuar. Periudha tre muaj para zgjedhjeve ka qenë gjithmonë e tmerrshme në PD. Kandidatë që vijnë nga të gjitha anët, njerëz që kërkojnë të ndërhyjnë për në lista, njerëz që duan të shpërblehen për fushatën që vjen. Një tmerr i vërtetë. Për katër vjet ai kishte arritur ta çonte në vend porosinë e atij burrit që në atë parti të mos shkelte njeri. D.m.th., as të zgjedhurit dhe as zgjedhësit. Dhe Flamuri ia kishte arritur disi. Në shumicën e rasteve e kishte zgjidhur thjesht duke kyçur derën, por në disa raste kishte vepruar dhe me dekurajim. Por tani s’kishte më zgjidhje. Njerëzit po shtoheshin, se po afronte fushata. Vinin te dera, pyesnin a është Flamuri dhe rrinin nën pemë te lulishtja përballë. Por Flamuri e gjeti zgjidhjen. I mbushi mendjen atij burrit që godina duhet ndryshuar para zgjedhjeve. Duhet bërë rikonstruksion, duhet lyer dhe duhen rregulluar fasadat.
Ai burri i dha leje, me kusht që të mos merrte leje në bashki.
- Një porosi e ke Flamur. Po qe se të vjen ai Shalësi e të thotë ku e ke lejen, duhet ta zbosh andej. Nuk mund t’i marrim ne leje atij për godinën. Më mirë e legalizojmë te Shaban Memia se t’i marrim leje Shalësit.
- Mos u mërzit, se e zgjidh unë këtë punë, - tha Flamuri. Thirri një ndërtues që i bën ndere gjithmonë dhe e vuri të niste punën.
- Gjëja e parë që do më bësh, - i tha, - është të vësh një rrjetë te skela para derës që të mos hyjnë njerëz.
- Patjetër, - tha ndërtuesi, - ne e kemi kriter këtë, por kam frikë se mos ju prishim punë ju se jeni në fushatë.
- Jo mor zotëri, fushata është në Kryeministri, jo këtu. Këtë godinë e dua të pastër, të mos shkelë këmbë njeriu.
- Si urdhëron, - i tha ndërtuesi dhe ashtu bëri.
Një rrjetë e madhe ka mbuluar gjithë godinën e PD që tani ngjan si bunker i maskuar para lufte. Njerëzit afrohen te rrjeta dhe maten ta ngrenë pak cepin lart të kalojnë, kur lexojnë parullat: “Mos iu afro skelës!” “Qëndroni larg nga fasada!” “Ndalohet kalimi i njerëzve pa punë!” Pasi lexojnë këto, ikin dhe kërkojnë në klubet rrotull për Flamurin. Dje Ceni, militant i çmendur i PD, e kapi te bar Kalaja. Ishte me avokatin e Fatmir Mediut. Militanti, i mërzitur që s’po e gjente dot, sa e pa, u çlirua.
- Po ku je mor shef, - i tha, - se kemi kaq kohë që po të kërkojmë?
- Ulu, - i tha Flamuri. - Ky zotëria është avokati i Mediut që duan të akuzojnë sikur ka bërë fabrikë bashkë me djalin e doktorit. E kam nga Kukësi.
- Komunistë të ndyrë, - i tha Ceni. - Më ngrihen nervat kur i dëgjoj. Këtë punë kanë bërë gjithë jetën. Bravo mor djalë që ke marrë guximin, se njerëzit në ditë të vështira njihen.
- S’ka përse, e kam detyrë, - i tha avokati i skuqur deri te veshët.
- Tregoji, tregoji, - i tha Flamuri, - si ia ka mbledhë Ina Ramës, e ka hedh në gjyq!
- Po bre, dëgjova në televizor, - i tha Ceni. - Paska nxjerrë sekretin prokuroria. Vallahi, njerëz të ndyrë janë. Si nuk hoqën dorë nga këto gjëra? Ça ka heq ai burri nga ajo prokurori. A të kujtohet mor si ia ka pas bë një komunist i ndyrë, një Visha, si e kishte emnin ai mer?
- Ah, po, - u gëlltit Flamuri, - nejse ikën ato kohëra.
- Jo mor se s’kanë ikë, prapë ata janë mer. Nuk e sheh si bëjnë, nxjerrin sekretet. Prapë ai Visha mor do jetë, se s’ka mundësi, duhet me e pa. E ka pas thënë atëherë doktori, ai është koka e “Hakmarrjes për Drejtësi”.
- Nejse, ajo kohë ishte, tani e ka bë Ina Rama, - i tha Flamuri.
- E di mer lalë, e di që kjo Ina e ka fajin, por ta kisha muhabetin që kështu kanë ba gjithë kohën. A man men mor kur e shitën dëshminë e doktorit për Azemin tek ata klyshat e “Klan”-it, mor…?
- Nejse, iku ajo kohë, - tha Flamuri, - se tani e ka bërë Ina Rama dhe ai tjetri që duan të bëjnë parti politike me prokurorinë.
- Mer të bëjnë ç’të dun ata, por ajo prokurori nuk ndreqet. Ti mor djalë bëfsh hajër që i ke dalë zot në ditë të vështira, - iu drejtua avokatit të Mediut. - Qenke dhe kuksian zotrote, qenke një anë me shef Flamurin. Hallall ta bëftë Zoti! Se burrë më të ndershëm se Fatmir Mediu nuk ka. Ene socialistët e thonë. E dëgjoja një ditë atë mer, atë që na ka pas vjedhë votat, që kena ba gjithë ato mitingje, atë Celibashin.
- Nejse, - tha Flamuri, - ajo kohë qe atëherë. Po çfarë tha?
- E mbronte mor Fatmirin e shkretë. Socialist, socialist, por e mbronte mor, sa mirë e mbronte. Që na ka pas vjedhë dhe vota dhe e kam pas inat fort, por e mbronte mor burrë.
- Nejse, ajo kohë ishte atëherë, - i tha Flamuri.
- E di mer, e di. Hajt bëfsh hajër mer djalë se po iki. Sa për merak erdha, se s’më rrihet. Është mbulu dhe ajo godina me rrjet, si qivur më duket. Amon hiqe sa më shpejt. Ika unë. Si e ke emrin ti mor çun se qeke djal i mirë?
- Ardian Visha, - i tha avokati i skuqur.
- Hajt se mos të ha më sysh se paske emrin e atij komunistit të ndyrë, por ti na je gjendë në kohë të vështira, s’kena me ta harru. Hajt mirupafshim.