E Shtunë, 31 Tetor 2026

28 nëntori, simbole gjigande në kryeqytet

Ditës së krenarisë sonë kombëtare, 99-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë i është shtuar dhe simboli pa të cilën kjo festë s`do të kishte kuptim. Me rastin e kësaj dite të shënuar për të gjithë shqiptarët Bashkia e Tiranës ka vendosur Shqiponjën Kuq e Zi në Bulevardin “Zogu i Zi”, më e madhja në Tiranë, si një shenjë mirëseardhje për të gjithë qytetarët që i janë drejtuar kryeqytetit për të qenë unik dhe të bashkuar në një ditë të rëndësishme si kjo.

Tirana, epiqendra e festimeve të festave të Nëntorit në transformimin e saj njohu dhe flamurin gjigand të vendosur tek Pallati i Kulturës me përmasa 7 me 9 metra, i vendosur në një shtyllë 32 metra të lartë.
 

Një mori aktivitetesh janë programuar nga Bashkia e Tiranës, ku sheshet kryesore të kryqytetit që në orët e para të mëngjesit janë shndërruar në qendra argëtimi për të rritur e fëmijë, panaire, këngë, animacione, shfaqje cirku, valle tradicionale e gjithçka tjetër që sjell atmosferë të vërtetë festive këtë fund nëntori.

Mësohet se në Tiranë kanë ardhur edhe shumë qytetarë nga Kosova, të cilët i janë bashkuar qytetarëve të Tiranës në festimet e sotme.
 

Atmosfera festive përfshiu edhe qytetin simbol të pavarësisë, Vlorën. Axhenda e ngjeshur e aktiviteteve kulturore kulmoi ditën e flamurit me një sërë aktivitetesh të organizuara nga bashkia e Vlorës. Fillimisht qyteti u vesh kuq e zi nga marshimi me flamuj, ndërsa ceremonitë zyrtare të vijuan në sheshin e Flamurit në orën 10:00 ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi.
 

Ndërkohë edhe kryeqyteti i Kosovës, Prishtina është mbuluar sot me flamuj të shumtë kombëtarë ndërsa po zhvillohen edhe aktivitete të shumta festive.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›