3 Ligjet, Meta: Kontributi i LSI-së, historik. Ulje 10% TVSH-së për turizmin
Durrës- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një takimi ku ka prezantuar kandidatët për deputetë në qarkun e Durrëist ka deklaruar se LSI-ja gjithmonë ka vënë në plan të parë interesat e vendit, duke theksuar se ishte LSI ajo që bashkoi Parlamentin shqiptar në kulmin e fushatës elektorale për një qëllim të përbashkët, për të votuar tre ligjet, në mënyrë që Shqipëria brenda këtij viti të marrë statusin e vendit kandidat dhe unë jam i bindur që ne do ta marrim dhe kontributi i LSI-së do të ngelet një kontribut historik,- tha Meta.
Meta deklaroi se një mbështetje të madhe LSI do ti japi zhvillimit të turizmit.
Për këtë LSI do të ulë në 10% TVSH-në për zhvillimet turistike, në mënyrë që ne të konkurrojmë në këtë drejtim edhe me vendet e tjera të rajonit. Vetëm pasi artikuloi LSI këtë angazhim u kujtua para pak ditësh Kryeministri aktual për të thënë në një mbledhje qeverie se do të shikojë edhe këtë çështje, pa pasur asnjë qartësi dhe vizion. Ne duam që turizmi të kthehet në një burim i rëndësishëm mirëqenieje për të gjithë komunitetin tuaj dhe këtu një rëndësi prioritare merr mbështetja e prodhimeve artizanale, të cilat janë aq të rëndësishme për të nxjerrë në pah vlerat e traditës por edhe për të kënaqur interesin e turistëve dhe vizitorëve të shumtë. Për këtë ne do të mbështesim me grante, do të mbështesim me kredi me interesa të buta dhe afatgjata dhe do të bëjmë gjithçka që kjo traditë të forcohet dhe të jetë një burim punësimi dhe vetëpunësimi për shumë e shumë familje krutane, tha ai.
Meta tha se prioriteti kryesor i LSI-së është punësimi dhe vetëm punësimi teksa theksoi mbështetjen për biznesin fason.
Shumë lehtësi që janë bërë këto vitet e fundit kanë qenë rezultat i insistimit të LSI-së, që nga bërja zero e taksës doganore për lëndët e para për industrinë fason, që nga bërja zero e taksave për pagat deri në 30 mijë lekë të reja, që nga heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e kështu me radhë. Ne do të vazhdojmë të japim një mbështetje akoma më të madhe sepse është një mundësi e shpejtë për të hapur më shumë vende pune, pikërisht tani kur problemet sociale janë të mprehta për shkak edhe të krizës evropiane që na rrethon, vijoi ai.