E Diel, 1 Nëntor 2026

3 agjentë tjerë largohen nga shërbimi i fshehtë i SHBA-së

Shërbimi sekret amerikan ka deklaruar se tre punonjës të tjerë do të largohen nga detyra, si pasojë e skandalit të prostitucionit gjatë samitit të javës së kaluar në Kolumbi.

Agjentët mbikëqyrës, David Chaney dhe Greg Stokes, janë mes tre agjentëve që tashmë po largohen nga agjencia elitë, si pasojë e zbulimit të skandalit.

Presidenti amerikan, Barack Obama, u informua të premten nga vetë drejtori i shërbimeve sekrete, Mark Sullivan, mbi ecurinë e hetimeve mbi skandalin, që u zbulua kur kreu i shtetit mbërriti në Kolumbi për Samitin e Amerikave.

Ditën e premte, një agjent i njësisë 12 të shërbimeve sekrete, që kujdesen për sigurinë e autoriteteve më të larta shtetërore, u largua nga detyra.

Një tjetër anëtar i personelit të agjencisë është konsideruar nga hetuesit përgjegjës për “sjellje të keqe” dhe do të përballet me një sanksion administrativ.

Skandali u zbulua kur një sherr mes një prostitute dhe një agjenti amerikan u verifikua në korridorin e një hoteli përballë plazhit në Kartagjenë. Rreth 20 femra ishin përfshirë në këtë aferë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›