Gjermania dhe Austria dërgojnë trupa shtesë, i kërkoi KFOR

Përfundimisht ende nuk është vendosur se sa ushtarë shtesë do të dërgohen në Kosovë në kohën e zgjedhjeve presidenciale, parlamentare dhe lokale serbe, të cilat zhvillohen me 6 maj. Por Hake Bunks nga komanda e njësisë për ndërhyrje në Potsdam ka bërë të ditur për disa media gjermane se ata kanë vendosur që të dërgojnë trupa shtesë në Kosovë, njofton agjencia e lajmeve DPA.
Ndërsa portali i internetit “Spiegel Online” shkruan se në Kosovë do të dërgohen rreth 550 ushtarë shtesë. "Pa saktësuar të dhënat këto të dhëna pak a shumë janë të vërteta", konfirmoi Bunks.
KFOR-i kërkon trupa shtesë
Vendim përfundimtar do të merret këto ditë. “Spiegel Online” pohon se përveç ushtarëve gjermanë, në Kosovë do të dërgohen edhe rreth 150 ushtarë nga Austria.
Komandati i trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë (KFOR) ka kërkuar trupa shtesë të premten, si garancë për sigurinë në kohën e shtimit të tendosjeve në prag të zgjedhjeve. Vetëm pak muaj më parë, trupat e NATO-s në Kosovë janë zvogëluar në gjithsej 5300 ushtarë, ndër ta 1300 ushtarë janë nga Gjermania.
Por në Gjermani ekziston edhe njësia rezervë që mund të mobilizohet shpejt dhe të mbështesë këtë mision në momentet e duhura. Ajo duhet të jetë e vendosur në Kosovë në fillim të majit, sepse në këtë kohë pritet rritja e tendosjeve për shkak të dëshirës së serbëve që në disa pjesë të Kosovës të organizojnë votime për zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale të Serbisë.
Misioni i Bashkimit Evropian EULEX ka forcuar në veri prezencën e tij për shkak të këtyre zgjedhjeve.
Njësi shtesë gjermane kanë qenë në Kosovë edhe gjatë vitit të kaluar, për shkak të tendosjeve të atëhershme dhe mundësisë së shkallëzimit të konfliktit, si pasojë e tendosjeve në kufirin verior të Kosovës.