27 qershor 2008 - Njoftim për shtyp
Këshilli i Rregullores, i mbledhur sot datë 27 qershor 2008, mori në shqyrtim propozimet e ardhura nga deputeti i Partisë Demokratike Fatos Beja dhe deputetët e Partisë Socialiste, Besnik Dervishi dhe Arben Malaj, për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, propozime këto që konvergonin me njëri-tjetrin edhe në frymën e Vendimit nr. 2 të Gjykatës Kushtetuese, datë 18.01.2005. Anëtarët e Këshillit të Rregullores pasi ranë dakord parimisht me këto propozime, ngritën disa çështje që kanë të bëjnë me kandidaturat që marrin pëlqimin nga Kuvendi i Shqipërisë. Për të rritur transparencën ndaj publikut, për çdo kandaturë që Kuvendi do të zgjedhë apo do të japë pëlqimin si dhe për të forcuar kontrollin parlamentar u propozua që komisionet parlamentare të zhvillojnë seanca dëgjimore. Me synimin për të forcuar shtetin e së drejtës, dhe në në mënyrë që të mos përsëritet më që kandidaturat që nuk plotësojnë kriteret ligjore të futen në procedurë, si edhe për disa çështje të tjera, Këshilli i Rregullores ra dakord që byroja juridike të formulojë ligjërisht propozimet e bëra për tja kaluar seancës plenare.