E Diel, 1 Nëntor 2026

26 qershor 2008 - Topalli: Njohja e pavarësisë së Kosovës është një kontribut tjetër i Polonisë për rajonin tonë


 
Pas takimit me Kryetarin e Senatit polak,  Bogdan Borusewicz, i cili me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli po zhvillon një vizitë zyrtare dy-ditore në Shqipëri, Kryetarja Topalli dhe homologu i saj polak dhanë një prononcim për shtyp:   Kryetarja Topalli: Unë sot në emër të Kuvendit i shpreh edhe njëherë falënderimet Presidentit të Senatit polak, Borusewicz për vizitën e tij në Shqipëri. Zoti Bogdan Borusewicz  është një ndër personalitetet më të rëndësishme dhe më të nderuara në Poloni, është një ndër opozitarët e parë në këtë vend dhe një ndër profilet më të larta të lëvizjes së Solidarnostit.
Unë edhe njëherë e falënderova për pritjen që më është bërë gjatë vizitës zyrtare në Poloni. E falënderova për mbështetjen që Polonia,  ky vend kaq i rëndësishëm, anëtar i Bashkimit Europian, i ka dhënë Shqipërisë edhe në kuadrin e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, si dhe në proceset e tjera integruese. Biseduam së bashku për nivelet e shkëlqyera politike, për shkëmbimet në nivelet më të larta politike, por të cilave duhet ti korrespondojnë nivele po kaq të mira edhe në zhvillimet ekonomike.
Ne folëm për fusha të ndryshme në të cilat bashkëpunimi ynë ekonomik mund të orientohet. E falënderova për marrëveshjen e nënshkruar midis ministrive përkatëse të arsimit,  për bursat që u jepen studentëve shqiptarë. E falënderova për marrëveshjen që ekziston ndërmjet dy parlamenteve tona dhe për mbështetjen që i japin adminstratës së Kuvendit të Shqipërisë.
Të dy jemi të bindur se intensifikimi i mëtejshëm i raporteve midis dy parlamenteve tona do jetë një inkurajim shumë i rëndësishëm për zhvillime të mëtejshme në fusha të tjera. Unë e falënderova gjithashtu z. Borusewicz edhe për faktin që Polonia, që më 26 shkurt,  ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ky sigurisht është një kontribut tjetër i këtij vendi për rajonin tonë. Është shumë inkurajuese për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin mbështetja që Polonia i jep avancimit të mëtejshëm të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.   Z. Borusewicz: Do të doja të falënderoja që në fillim për ftesën dhe për mundësinë që më dhatë për të vizituar Shqipërinë. Zonja Kryetare ne e theksuam gjatë takimit që ne kemi kontakte më të shpeshta se kryetarët e qeverive tona dhe kjo në sajë të diplomacisë ndërparlamentare, e cila është shumë e nevojshme. Do të doja të thoja që vizita e sotme është kthimi i vizitës së zonjës Topalli në Poloni. Diskutuam për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve, si dhe për çështje të tjera që i përmendi më lart zonja Kryetare. Në përbërje të delegacionit polak janë katër senatorë, prej të cilëve tre janë anëtarë të Grupit të Miqësisë Poloni-Shqipëri. Ndërkohë që pjesë e delegacionit është edhe Zëvendësministri i Ekonomisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›