3 mijë banorë, katër muaj pa ujë
Banorët e fshatit Daullas, në Komunën Qendër të rrethit të Fierit, edhe pse banojnë shumë pranë qytetit të Fierit vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Komuniteti i Daullasit ka katër muaj që nuk furnizohet me ujë. Daullasi ndodhet vetëm 2 kam larg qendrës së Fierit dhe regjistron më tepër se 3 mijë banorë. Këta të fundit janë shprehur se kanë që nga muaji mars që nuk furnizohen me ujë. “Që nga fundi i shkurtit dhe fillimi i marsit ne nuk marrim ujë. Më parë vinte normalisht, edhe pse hera-herës me orare, por nuk mungonte gjatë gjithë ditës”, tha Sherif Hysi, banor i Daullasit. Ujin që përdorin për konsum 3 mijë banorët e Daullasit e sigurojnë tashmë nga dyqanet ku blejnë për çdo ditë një numër të konsiderueshëm uji të ambalazhuar. Ndërsa për shërbimet e tjera uji sigurohet nga puset artizanale. Banorët i kanë kërkuar fillimit kryeplakut të fshatit që të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj situate, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete. Pas kësaj, ata i janë drejtuar Komunës Qendër, por kësaj situate kritike nuk i është dhënë ende zgjidhja e merituar. Burime zyrtare të komunës lidhur me mungesën e ujit të pijshëm në fshatin Daullas thonë se shkak për këtë është ujësjellësi, ndërsa zyrtarë të këtij të fundit thonë se shpërdorimi i ujit nga fermerët për vaditje ka bërë që shumë familjeve të mos furnizohen me ujë. Deri më tani asnjë institucion kompetent nuk i ka dhënë zgjidhje shqetësimit të banorëve. Rrjedhimisht, popullata e kësaj komune ka mbetur në mes të katër rrugëve, duke vuajtur mungesën e ujit në këto ditë të nxehta të verës.
#