PDSH përshëndet vendimin për maqedonishten
Udhëheqësit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Nikolla Todorov dhe Lindita Qazimi, të shkojnë. Kështu ka kërkuar organizata joqeveritare “Realiteti”, duke përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për abrogimin e vendimit që nxënësit shqiptarë të mësojnë maqedonisht nga klasa e parë. Ndërkohë, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi vendimin për mësim të gjuhës maqedonase nga klasa e parë. Kjo parti gjithashtu u ka shprehur falënderime gjithë shoqatave të cilat kontribuuan në këtë çështje, arsimtarëve dhe nxënësve, të cilët nuk lejuan që të zbatohet kjo ide e mbrapshtë e BDI-së, që maqedonishtja të mësohet nga klasa e parë te shqiptarët. Leonard Kaja nga ‘Realiteti’ tha se këtë kërkesë e justifikon me faktin se kohë më parë, pa pikë përgjegjësie kanë sjellë një vendim si ky. “I bëjmë thirrje ministrit Todorov dhe bashkëpunëtorëve të tij, gjegjësisht zëvendësministres që pretendon të përfaqësojë interesat e shqiptarëve, e cila nuk arriti ta parandalojë miratimin e këtij vendimi, si dhe përgjegjësit të sektorit për arsim fillor në kuadër të ministrisë, të japin dorëheqje të parevokueshme nga postet e tyre, si shenjë përgjegjësie morale që e kanë obligim para qytetarëve dhe para institucionit që e përfaqësojnë”, tha Kaja.
#