E Diel, 1 Nëntor 2026

Temperaturat e larta, 6 të vdekur, të tjerë në spital

Berat

Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë rritur numrin e pacientëve me sëmundje kronike, të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore në spitale. Vetëm gjatë një dite, në spitalin e Beratit kanë kërkuar ndihmë mjekësore pranë repartit të urgjencës 40 të sëmurë kronikë kardiakë. Burime pranë këtij reparti bëjnë të ditur se pacientët me sëmundje kronike nga zemra dhe hipertensioni nuk respektojnë rekomandimet e mjekëve për qëndrime në ambiente të freskëta në këto ditë të nxehta, fakt që ka shkaktuar përkeqësimin e shëndetit të tyre. Pacientët e moshave të dyta dhe të treta mësohet se janë paraqitur në urgjencë me çrregullime të tensionit, duke iu nënshtruar në këtë mënyrë ndihmës së menjëhershme mjekësore. Gjatë ditëve të fundit, fluks të vizitave ka pasur edhe pranë mjekëve të familjes në qendrat shëndetësore të lagjeve, ndërkohë që mjekët rekomandojnë të sëmurët kronikë të tregojnë kujdes në përdorimin e rregullt të ilaçeve dhe shmangien e qëndrimit gjatë orëve të paradites në diell. Madje gjatë kësaj jave, sipas mjekut të urgjencës Petrit Bano, gjashtë persona kanë ndërruar jetë. Disa prej tyre kanë qenë të sëmurë kronikë, por edhe pse mjekoheshin nuk kanë mundur t’i përballonin temperaturat e larta. Temperaturat tepër të larta, sipas mjekëve të kardiologjisë, janë shumë të dëmshme, kështu që duhen evituar për të parandaluar problemet e ndryshme shëndetësore.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›