Arvizu: Përplasjet në Kuvend, të nxitura nga mosbesimi reciprok

Flet Ambasadori amerikan Alexander Arvizu: “Druaj se ky mund të jetë vetëm fillimi. Por shpresoj dhe në fakt mendoj se ne duhet të ruajmë shpresën se mirëkuptimi dhe mirë-arsyetimi të prevalojë dhe mund të prevalojë”
Një ditë pas përplasjeve mazhorancë-opozitë në Kuvend, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu tha se një situatë e tillë vjen nga mungesa e besimit mes palëve. Arvizu tha se vazhdon të ketë një mungesë të theksuar besimi, çka e ka penguar Shqipërinë të avancojë drejt Bashkimit Europian. Duke reaguar mbi zhvillimet e seancës plenare të së enjtes, ku mazhoranca zgjodhi Elvis Çefën anëtar të KLD-së dhe opozita refuzoi të bëhej pjesë e votimit me kuti edhe atij të fshehtë me elektronikë, ambasadori amerikan apeloi që mes palëve të prevalojë arsyetimi dhe gjuha e mirëkuptimit. Arvizu theksoi gjithashtu se priste të shihte të njëjtin konsensus që u demonstrua në plotësimin e vendit kandidat të Seserit, edhe në votimin e kandidaturës për anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Mendova që, mënyra se si u mbulua pozicioni vakant që kishte lënë Seseri ishte më e mirë se sa mënyra se si u mbulua pozicioni bosh për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ajo që dua të them është se ka një boshllëk sa i takon të besuarit mes dy palëve politike. Kjo gjë është përgjegjësi për sa i përket krizës ekonomike që po zhvillohet. Është ky boshllëk besimi përgjegjës për krizën politikë këto vite, ndërsa ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në pamundësinë e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat”, u shpreh Arvizu. Lidhur me rolin e komunitetit ndërkombëtar ambasadori Arvizu tha se ata nuk mund t’u thonë shqiptarëve se çfarë duhet të bëjnë, por ofrojnë të gjithë ekspertizën e duhur për të ndërtuar klimën e mirëbesimit mes palëve. “Ne sigurisht nuk mund t’u themi njerëzve se çfarë të bëjnë. Por në një mënyrë të vogël, ne mund të vazhdojmë të bëjmë atë që jemi munduar ta bëjmë që të ndërtojmë besim mes palëve, duke përdorur këshillimet e ekspertë të ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Por përsa kohë kjo nuk bëhet rruga drejt Bashkimit Europian do të jetë shumë e vështirë. Dhe sigurisht ata që vuajnë më shumë janë njerëzit e shkretë të Shqipërisë”, tha Arvizu. Por në këndvështrimin e diplomatit amerikan në Tiranë, situata nuk është e pashpresë, pasi palët kur duan ia dalin të arrijnë marrëveshje. Duke folur për një komunikim me një mike të tijin, bisedë e provokuar po nga zhvillimet e seancës plenare, Arvizu tha se druhet se ky është vetëm fillimi. “Sikurse ma tha dhe mikja ime: ky mund të jetë vetëm fillimi. Por shpresoj që ajo ta ketë gabim dhe unë ta kem gabim sepse mund t’ia dalin mbanë nëse duan. Dhe në fakt mendoj se ne duhet të ruajmë shpresën se mirëkuptimi dhe mirë arsyetimi të prevalojnë dhe mund të prevalojnë”, përfundoi ambasadori i SHBA-së. Ambasadori i SHBA-së i bëri këto komente dje nga Elbasani ku zhvilloi një vizitë në këtë qytet.
...