E Diel, 1 Nëntor 2026

3 në pranga, vidhnin karburantin e mjeteve të firmës që ndërton rrugën Tiranë- Elbasan

ELBASAN – Policia e Elbasanit ka vënë në pranga 3 persona, të cilët u kapën në flagrancë duke vjedhur karburantin e automjeteve të firmës greke që ndërton autostradën Tiranë- Elbasan.

Burime zyrtare nga policia e Elbasanit konfirmuan se prangosja e tre shtetasve nga Bërzhita e Tiranës, u bë e mundur falë një pune intensive dhe investigimeve disa ditore.

Prej kohësh kompania greke që ndërton autostradën Tiranë -Elbasan kishte shprehur shqetësimin për vjedhjet masive të karburantit të automjeteve të saj nga persona të ndryshëm, duke i shkaktuar asaj një dëm të madh ekonomik.

Pas këtij denoncimi, policia paraprakisht ka arritur të dokumentojë vjedhjen e kryer në bashkëpunim nga tre shtetas nga fshati Bërzhitë i Tiranës. Sipas burimeve zyrtare, pasi është dokumentuar me prova të shumta vjedhja e tyre, uniformat blu kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Gëzim Koka 21 vjeç, Hamza Tarja 20 vjeç dhe Sajmir Pali 20 vjeç.

Këta tre shtetas dyshohet se vetëm gjatë dy ditëve të fundit kanë vjedhur në automjetet e firmës greke rreth një mijë litra karburant të cilin më pas e shisnin me një çmim më të lirë në tregun e zi. 

(er.nu/f.popja/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›