E Shtunë, 31 Tetor 2026

3 plumba në kokë, RENEA ekzekuton në rrethim të kërkuarin

Policia: Kërcënoi të hidhte një granatë kundër policisë. U qëllua vetëm pasi kishte dështuar negocimi dhe mund të rrezikoheshin punonjësit e policisë

RENEA ekzekutoi me tre plumba në kokë të kërkuarin për grabitje me dhunë. Sipas policisë, në momentin që i është kërkuar dorëzimi, Elidon Prendi ka nxjerrë një granatë dhe ka kërcënuar se do e hedhë në drejtim të tyre. Prendi, që fshihej në një banesë me qira, nën emër të rremë, ka mbetur i plagosur rëndë pas përplasjes me policinë, ndërsa ka humbur jetën më vonë gjatë transportit për në spital.

Rrethimi

Të lajmëruar nga policia lokale për praninë në fshatin Gurëz të Kurbinit të një personi të kërkuar të armatosur dhe të rrezikshëm, forcat speciale RENEA kanë mbërritur atje në mesditë. Ata kanë rrethuar banesën ku Prendi jetonte i vetëm dhe i kanë kërkuar këtij të fundit të dorëzohet. Burime nga policia thanë se ai nuk ka pranuar kërkesën e policisë dhe, sipas tyre, është shfaqur me një granatë në dorë, duke kërcënuar se do ta hidhte drejt tyre nëse ata nuk largonin rrethimin. RENEA është përpjekur të negociojë me të kërkuarin. Ata i kanë bërë disa herë thirrje që të lërë granatën dhe të dorëzohet, madje, sipas policisë, në një moment forcat kanë qëlluar në ajër për ta trembur. Përkundër dorëzimit që ka pritur policia, 40-vjeçari është parë, sipas tyre, t’i heqë granatës siguresën dhe në këtë moment forcat speciale e kanë qëlluar tri herë. Elidon Prendi ka mbetur i plagosur rëndë nga plumbat dhe ka humbur jetën rrugës për në spital. Sipas policisë, situata përbënte rrezik për jetën e specialëve dhe punonjësve të tjerë të policisë dhe për këtë arsye është vendosur të neutralizohet i kërkuari. Policia informoi se rrethimi kishte zgjatur rreth 2 orë dhe është mbyllur në orën 12.30, pas ekzekutimit të të kërkuarit.

Zbulimi

Elidon Prendi, nga Puka, fshihej në fshatin Gurës të Kurbinit prej kohësh dhe i kishte vënë vetes emrin e rremë Alfred Seferi. Policia ka rënë në gjurmët e tij pas disa grabitjeve të ndodhura në këtë zonë dhe pas verifikimeve me kolegët e qarkut të Shkodrës është vërtetuar se bëhej fjalë për Prendin, të dënuar më parë për grabitje me armë. Policia tha se ai u kishte shpëtuar disa herë rrethimeve të policive lokale në Kurbin dhe Pukë, dhe i kishte kundërshtuar ata me armë në një rrethim të mëparshëm. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse pasi kishin izoluar të kërkuarin në shtëpinë e marrë prej tij me qira rreth orës 11.00, forcat e policisë së Kurbinit kanë kërkuar ndihmën e RENEA-s.

Grabitjet

Sipas policisë, Prendi ishte një person i kategorisë shumë i rrezikshëm, por ende nuk ka të zbardhura krime të kryera prej tij. Tashmë dihet që ai ishte dënuar më herët me burg për grabitje me dhunë, ndërsa policia thotë se dyshohet në të paktën 10 grabitje me armë të ndodhura në Mirditë dhe Pukë. Sipas forcave të rendit, Prendi dyshohet për grabitje të pasagjerëve në akset rrugore dhe po ashtu edhe për hyrje me forcë në banesa të këtyre zonave. Policia tha se ka sekuestruar disa armë dhe municione në shtëpinë ku jetonte Prendi, gjithashtu në të janë gjetur edhe sende e mallra të vjedhura prej tij.

Kush ishte Elidon Prendi

Ai është nga fshati Lufaj i Pukës dhe ishte babai i një fëmije të mitur. Një vit më parë ai ishte dënuar nga ana e gjykatës për veprën penale të “grabitjes me dhunë” të ndodhur në Pukë dhe ndodhet në listën e të kërkuarve nga Interpoli. Sipas policisë, ai vazhdimisht ushtronte grabitje në asket rrugore dhe nëpër banesa të ndryshme, duke përdorur armët. Në shtëpinë e marrë me qira fshihej me emrin Alfred Seferi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›