E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, sot gjyqi ndaj Islamit. Nano: Gabim fatal përjashtimi i Islamit nga PS

Berisha e Nano, dje gjate promovimit te librit te Fevziut

Një nga vlerat më themelore që ka PS, është solidariteti njerëzor e respekti për kontributet
Ish-kreu socialist, Fatos Nano, e cilësoi të gabuar përjashtimin e Kastriot Islamit nga Grupi Parlamentar Socialist. I ndodhur dje në ceremoninë e promovimit të librit Enver Hoxha të gazetarit Blendi Fevziu, Nano u shpreh se një përjashtim i tillë do të ishte me pasoja për Partinë Socialiste. I pyetur nga Panorama se çfarë mendon për përjashtimin e mundshëm të Islamit nga Grupi Parlamentar Socialist, Nano tha: Nuk e di sa e qartë është kjo situatë, por do të ishte një veprim shumë i gabuar, jo vetëm politikisht, por edhe për një nga vlerat më themelore që ka Partia Socialiste, solidaritetin njerëzor dhe respektin për kontributin për të gjithë brezat, u shpreh ish-kryetari i Partisë Socialiste. Ai bëri apel që Partia Socialiste të mos përsërisë të njëjtat fenomene dhe dukuri si ato të Partisë së Punës së Enver Hoxhës. Nano kërkoi solidaritet dhe stabilitet të brendshëm për të ruajtur mbështetjen e saj në popull. Kam besim që PS nuk mund të lëshohet kaq kollaj në ethet e së kaluarës, si kjo që përshkruan edhe Fevziu në bibliografinë për Enver Hoxhën. Do të ishte një gabim fatal, por unë dua të besoj se socialistët dinë të ruajnë solidaritetin dhe mbi të gjitha, vlerësimin që mbajnë stabilitetin politik elektoral të partisë gjallë, u shpreh Nano.
Kryesia
Për ish-kreun socialist, edhe mënyra se si u zgjodh Kryesia e re e PS-së, e cila la jashtë saj disa emra të rëndësishëm, janë filozofi e gabuar. Në eksperiencën dhe filozofinë time, kjo është rruga e gabuar, u shpreh Nano. Ish-kreu socialist ishte i shoqëruar dje në promovimin e librit të Fevziut nga bashkëshortja e tij Xhoana, ndërsa gjatë gjithë kohës ai ka pasur takime me personalitetet e larta që ndodheshin në këtë ceremoni. Blendi Fevziu, i zoti i shtëpisë, bëri të mundur një shtrëngim duarsh mes Nanos dhe Kryeministrit Berisha, i cili ndodhej në këtë ceremoni. Mes dy burrave, përveç një shtrëngimi duarsh nuk pati deklarata politike, por ata pyetën njëri-tjetrin për shëndetin dhe familjet. Pak minuta më pas, Nano dhe Berisha u ndanë prej tyre, ndërsa ka qenë ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ai që u takua me ish-kreun socialist me të cilin Nano shkëmbeu urimet e kortezisë. Pas tij, një tjetër diplomat i rëndësishëm në Tiranë, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i cili gjithashtu shkëmbeu pak fjalë me kryeministrin e fundit socialist. Duke komentuar politikën shqiptare jashtë politikës së ditës dhe mbi palët, Nano shprehu angazhimin e tij të vazhdueshëm për të mbajtur sa më gjatë konsensuset në politikën shqiptare. Kam thënë që me eksperiencën politike dhe filozofinë e krijimit të konsensuseve më të mëdha kombëtare në dobi të integrimit dhe përshpejtimit të axhendës europiane të Shqipërisë, jam, kam qenë dhe do të jem prezent në axhendën politike të vendit, jo vetëm tani, por edhe në 2012, 2013 e më tej. Kjo nuk lidhet as kushtëzohet me ndonjë post të caktuar, nuk lidhet me kuorume mbështetësish apo fansash, ky është një imperativ që e ka çuar vendin para deri sot e që duhet të konsolidohet në mënyrë që të mos biem viktima të ngërçeve të reja politike, u shpreh Nano. Pak ditë më parë, ish-kreu socialist shprehu hapur kandidaturën e tij për president vitin e ardhshëm. Në një intervistë dhënë në Top Channel nga Londra, Nano u shpreh se është duke gjetur partnerët e duhur nga të dy kampet. Unë dhe oferta që ju e shprehet në mënyrën tuaj profesionale, jemi aty, me angazhimin dobiprurës për më shumë iniciativa dhe hapësirë bipartizane ose jopartizane në politikën shqiptare dhe në komunikimin e saj me familjen europiane, për të bërë të kundërtën e asaj që ka ndodhur për fat të keq dy vitet e fundit. Jam shumë i vëmendshëm për të gjetur partnerët, në të dy kampet, që më në fund do ta bënin të qëndrueshme prirjen që po shfaqet muajt e fundit, për të konkurruar me njëri-tjetrin, pa shkatërruar axhendën kombëtare të integrimit, u shpreh Nano në intervistën e tij në Top Channel.

Grupi parlamentar i PS do debatojë rreth propozimit të Ramës për ta çregjistruar

Deputeti takon Ruçin: Dua mbledhje të hapur për mediat.
Grupi Parlamentar Socialist do të mblidhet sot në orën 13:00 për të diskutuar çregjistrimin e Kastriot Islamit. Deputetët socialistë janë konsultuar dje nga kryetari socialist, nga ku kanë mësuar se në këtë mbledhje do të ketë propozim konkret për të çregjistruar nga grupi deputetin Islami, i cili në seancën e fundit parlamentare u largua dhe nuk mori pjesë në votimin e Bujar Leskajt për kreun e KLSH-së. Sinjalin e parë për këtë masë e dha kryetari socialist, Edi Rama, në mbledhjen e parë të Kryesisë socialiste ditën e premte, ku kërkoi zbatimin e statutit për të gjithë ata që shkelin vendimet politike të grupit parlamentar. Por pasi ka bërë propozimin, Rama në mbledhjen e Kryesisë nuk ka dashur të diskutohet më tej, duke ia lënë të gjithë barrën e diskutimit dhe vendimit mbledhjes së Grupit Parlamentar Socialist. Dhe pse ishte vendosur që kjo çështje të mos bëhej publike dhe të ruhej si sekret i brendshëm i PS-së, lajmi u bë publik në media, ndërsa asgjë zyrtare nuk mbërriti në adresë të deputetit që pritet të çregjistrohet.
Islami-Ruçi
Islami mësohet se ka kontaktuar dje me kreun e Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi, të cilit i ka kërkuar një mbledhje të hapur për mediat për të ballafaquar qëndrimet dhe filozofinë e tij politike me atë të lidershipit të PS-së. Mësohet se Islami i ka sqaruar Ruçit se përjashtimi që kërkon Rama nuk ka të bëjë as me rregulloren e as me disiplinën, por me konceptin europian të sjelljes së PS-së dhe filozofinë e bashkimi të së majtës për të garantuar fitoren e saj përballë interesave politike të Ramës dhe veprimeve radikale në funksionin të forcimit të pozitave të tij në krye të PS-së. Kjo është arsyeja që kërkoj mbledhje të hapur me mediat, në mënyrë që të ballafaqohen këto dy filozofi, njëra në funksion të fitores të së majtës dhe tjera për forcimin e pozitave të kryetarit dhe kontrollin e PS-së, mësohet ti ketë kërkuar Islami kreut të Grupit Parlamentar, Ruçi. Pritet që mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar Socialist të zhvillohet mes debateve të forta, dhe pse përkrahësit e çregjistrimit të Islamit nga Grupi Parlamentar do të mundohen të mos ushqejnë debate gjatë mbledhjes. Pritet që të ketë një votim në fund të mbledhjes, ndërsa ende nuk konfirmohet pjesëmarrja e të gjithë deputetëve të Grupit Parlamentar Socialist. Mbledhja e kryesisë socialiste nuk kaloi pa debate për këtë çështje. Anëtari i kësaj Kryesie, Arben Malaj, i ka kërkuar Ramës që të mos ndërmarrë masa ndëshkuese e përjashtuese, sepse sipas tij, ato do të jenë të dëmshme për sfidat politike të PS-së. Ne nuk duhet të synojmë rritjen e efikasitetin tonë politiko-elektoral duke rritur masat ndëshkimore ndaj çdo deputeti socialist, edhe në rastet kur mospjesëmarrja në votime apo votimi abstenues nuk prodhon një rezultat politik negativ për PS-në, por shkelje të disiplinës. Me mospjesëmarrjen e tyre, kolegët deputetë të PS-së nuk i sollën një dështim politik PS-së në votimin përkatës, është shprehur Malaj në mbledhjen e parë të Kryesisë së re të PS-së. Nga ana e tij, edhe deputeti Ben Blushi kërkoi një dëgjim të deputeti socialist para se të nisë një diskutim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›