Studimi për shpenzimin e kohës, shqiptarët, 9 orë gjumë dhe 5 orë kafe
Femrat shpenzojnë 7 herë më shumë kohë sesa meshkujt, për punë të papaguar, që arrin në 5.40 minuta në ditë, ndërsa për burrat 48 minuta
Shqiptarët e harxhojnë pjesën më të madhe të kohës për gjumë dhe kafe, ndërkohë që femrat janë ato që punojnë më shumë, por paguhen më pak. Sipas një studimi të kryer gjatë këtij viti nga Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe Ministria e Punës, ku janë anketuar 2250 familje nga rrethe të ndryshme të vendit, në 24 orë, shqiptarët ia kushtojnë plot 38% të kohës, ose 9 orë, gjumit; dhe pjesa tjetër, 20%, pra rreth 5 orë në ditë, e kalojnë në kafe. Puna e paguar, aktiviteti që sjell të ardhura, në gjithë hapësirën kohore zë vetëm 13%, ndërsa pjesa e mbetur e kohës shpenzohet për aktivitete të tjera. Përsa i përket ndarjes mes femrave dhe meshkujve, burrat janë ata që punojnë më pak, por janë më të paguar. Për orë të barabarta të shpenzuara në punë të paguar nga burrat dhe gratë, orët e punës totale të grave i tejkalojnë orët e punës totale të burrave, pasi “turni i dytë” i punës për gratë është puna e papaguar. Kështu, pavarësisht përpjekjeve, burrat vazhdojnë të jenë pakicë kur bie fjala për punët e shtëpisë, pasi ajo që ndodh brenda 4 mureve vazhdon të mbetet detyrë e grave. Në këtë pikë 95% e fermave të moshës 15-64 vjeç dhe vetëm 37% e meshkujve 15-64 vjeç janë të përfshirë në punët e shtëpisë, kujdesin për fëmijët, përgatitjen e ushqimit etj. “Te popullsia 50-64 vjeç vihen re dhe diferencat më të mëdha gjinore. Femrat shpenzojnë 7 herë më shumë kohë sesa meshkujt për punë të papaguar. Mesatarisht gratë harxhojnë 5.40 minuta në ditë për punë të papaguar, ndërsa meshkujt 48 minuta. Pjesa e mbetur që bëjnë punë të paguar është sa dyfishi i grave. Pra, 66% e meshkujve që bëjnë punë të paguar kundrejt 36% të grave që bëjnë punë të paguar”, - thotë Pranvera Elezi, koordinatore e INSTA-it. Megjithë këto shifra, sipas studimit të INSTAT-it, struktura e përdorimit të përditshëm të kohës në Shqipëri ndjek modele të ngjashme me ato të disa vendeve europiane: Itali, Norvegji dhe Slloveni, veçse ka një dallim të konsiderueshëm në ndarjen gjinore të punës së paguar dhe asaj të papaguar. Vihet re se në Shqipëri dhe Itali struktura e përdorimit të kohës ka modele shumë të ngjashme, për shkak të ngjashmërive që karakterizojnë stilin e jetës së vendeve mesdhetare. Koha e harxhuar për aktivitete të punës së papaguar nga gratë shqiptare dhe italiane duket se ka të njëjtin model, ndërkohë që në Itali burrat harxhojnë më shumë kohë me punët e shtëpisë sesa burrat shqiptarë. Ndërkohë që krahasuar me Norvegjinë nuk ka ndryshim fare në kohën e harxhuar për aktivitetet prodhuese që përfshijnë punën e paguar, punët e papaguara të shtëpisë dhe punën vullnetare, (12 minuta, që ndoshta është brenda intervalit të besimit), ndërsa në Itali dhe Slloveni ndryshimi është një orë në ditë. Studimi tregon gjithashtu se të rinjtë, në veçanti meshkujt, pjesën më të madhe të kohës së tyre të lirë ia kushtojnë televizorit dhe videos. Ndërsa sportet dhe leximi zënë një pjesë shumë të vogël të kohës së tyre të lirë. Në prezantimin e studimit për shpenzimin e kohës në Shqipëri ishte e pranishme edhe përfaqësuesja e OKB-së në Tiranë, Zineb Benjelloun. Ajo ka vlerësuar publikimin e këtyre statistikave, por apeloi që qeveria shqiptare të punojë me qëllim që diferencat gjinore në drejtim të punësimit të jenë më pak të ndjeshme.
95% e grave dhe vetëm 39% e burrave merren me punë shtëpie, kujdesen për fëmijët, përgatisin ushqimin, bëjnë pazarin dhe aktivitete të tjera që kanë lidhje me punën e papaguar gjatë ditëve të javës. I njëjti model shfaqet dhe në ditët e fundjavës
Modeli i përgjithshëm i harxhimit të kohës
• Gjatë ditëve të javës, njerëzit në Shqipëri kalojnë mesatarisht 9 orë e 30 minuta duke fjetur dhe duke u kujdesur për veten, 3 orë e 15 minuta duke punuar, 3 orë duke bërë punë shtëpie dhe duke u kujdesur për të tjerët, dy orë e 30 minuta në aktivitete të kohës së lirë, 1 orë e 50 minuta duke parë TV dhe 2 orë e 15 minuta duke ngrënë.
• Në fundjavë njerëzit në Shqipëri kalojnë mesatarisht 10 orë duke fjetur dhe duke u kujdesur për veten, 2 orë duke punuar, 3 orë e 20 minuta duke bërë punë të papaguar, 3 orë e 20 minuta në aktivitete të kohës së lirë, 2 orë duke parë TV dhe 2 orë e 15 minuta duke ngrënë.
• Përdorimi i kohës në Shqipëri ndjek një model shumë të ngjashëm me disa vende europiane: ka një ndryshim të konsiderueshëm në ndarjen gjinore të punës së paguar dhe punës në shtëpi dhe në përgjithësi gratë kanë më pak kohë të lirë se burrat.