Blendi Fevziu promovon në Tiranë librin “Enver Hoxha”
Pas suksesit të 32 mijë kopjeve të shitura, evenimenti i djeshëm mblodhi bashkë pothuaj gjithë politikën shqiptare, trupin diplomatik, intelektualë të fushave të ndryshme, miq e gazetarë. Mungesat që ranë në sy: presidenti Topi dhe kreu i PS-së, Rama
32 mijë kopje të shitura
Vizitorët në sallën e madhe të Galerisë Kombëtare të Arteve mbrëmjen e djeshme ishin disi të pazakontë, po aq edhe evenimenti që i kish mbledhur.
Miq, kolegë, intelektualë, njerëz të artit e kulturës, gazetarë, politikanë të majtë e të djathtë, diplomatë, deputetë, kryetarja e Kuvendit shqiptar, ministra dhe kryeministrat e Shqipërisë e Kosovës, Sali Berisha e Hashim Thaçi, shëtisnin nëpër mjediset ku ishin ekspozuar piktura nga koha e realizmit socialist me sloganet shabllone të Partisë së Punës dhe veprave të shokut Enver, karikaturat që ironizonin imperializmin perëndimor, të cilat ishin thjesht shoqërueset e protagonistit të vërtetë, librit “Enver Hoxha” të gazetarit Blendi Fevziu.
Të gjithë të mbledhur për një arsye. Promovimin e biografisë, e cila bëri jehonën më të bujshme këtë vit dhe la gjurmë që do të mbahen mend gjatë në historinë e vendit.
Biografia e një prej diktatorëve më të egër të regjimeve komuniste të shteteve të Bllokut Lindor, e pasuruar me fakte, dokumente, dëshmi të rralla, që e panë dritën e botimit në faqet e këtij libri, të mbledhura e shkruara ftohtë dhe profesionalisht nga gazetari Fevziu.
Dukej se ky përshkrim biografik në nota aq reale që i sjellin atë epokë gjysmë shekullore aq të gjallë edhe pas 20 vitesh të pluralizmit e demokracisë, ai vizatim i vërtetë i zhveshur nga mitizimi i diktatorit, i kishte lënë të gjithë në një mendje... Politikanë të djathtë e të majtë ndodheshin në sallë. Por ndoshta jo të gjithë të një mendjeje- pasi nuk kaloi pa u vënë re mungesa e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi.
Mbrëmja ceremoniale e shoqëruar me elegancë nga të pranishmit dhe atmosferë shik, ishte rasti më i mirë ku autori Fevziu pas suksesit të padiskutueshëm që korri këtë fundviti me librin, të mund të falënderonte ata njerëz pa të cilët puna nuk do të kishte marrë formën e tanishme. Të besuarit që ia lexuan librin në dorëshkrim dhe nga të cilët korri opinionet e para, drejtoreshën e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika, për të gjitha dokumentet që paraqiten në libër; drejtorin e Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi; shkrimtarin Ismail Kadare për redaktimin e parë; dhe drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari.
“Suksesi i këtij libri sipas e-maileve që kam marrë qëndron në atë se thuajse të gjithë gjejnë diçka nga vetja tek ai”, tha Fevziu, duke radhitur komunistët që u përndoqën burgjeve nga sistemi, për të rinjtë brilantë që nuk merrnin dot bursa studimit për biografinë e keqe, duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli; për shqiptarët e Kosovës, që e kuptuar propagandën false të Hoxhës për lirinë e tyre; ata komunistë të përkushtuar që vitet ’90 i gjetën po aq të varfër sa edhe të përndjekurit; dhe për ata studentë e intelektualë që u ngritën kundër regjimit për një shoqëri të lirë. Ceremoninë e promovimit e hapi botuesi i librit, Henri Çili, i cili vërejti se “Kur planifikuam me Blendi Fevziun botimin e librit, bëmë llogari të gabuara. Llogari të gabuara në lidhje me autorin, në lidhje me subjektin, por sidomos në lidhje me dëshirën e shqiptarëve për të mësuar historinë e tyre, për të lexuar mbi atë çfarë ka ndodhur në një nga periudhat më të egra të historisë së tyre. Por pas kësaj llogarie të gabuar, shtëpia botuese e Universitetit Europian të Tiranës ka hedhur në qarkullim brenda tetë javëve rreth 40 mijë kopje, nga të cilat janë shitur 32 mijë kopje”
Dokumentari
Gjatë ceremonisë u transmetua edhe një instert i shkurtër filmik me materiale të marra nga Arkivi Qendror i Shtetit, që tregojnë fragmente nga jeta personale e diktatorit Enver Hoxha , por edhe nga suksesi i librit gjatë Panairit, takimet e ndryshme të autorit me lexues, studentë etj. në Shqipëri e Kosovë. Pasi e mbylli fjalën e tij me një citim nga presidenti i ndjerë i Çekosllovakisë, Vaclav Havel, se ligjshmërinë e trishtë të dyzet viteve të fundit duhet ta pranojmë si një mëkat kundër vetes sonë dhe, nëse e pranojmë të tillë, do të jetë vetëm në dorën tonë të bëjmë diçka për të, Fevziu tha: “Unë jam 42 vjeç, kam kaluar 21 vjet në komunizëm dhe 21 në post komunizëm dhe nuk di të them se kush ka qenë periudha që më ka ndikuar më shumë”.
Kanë thënë për librin “Enver Hoxha”
Ismail Kadare
“Nga ky libër kam mësuar shumë gjëra që mendoja se i dija, por që nuk i kam ditur kaq qartë dhe kaq të dokumentuara”.
Jozefina Topalli
“Memoria e shqiptarëve, për fatin tonë të keq, në disa raste është shumë e shkurtër. Edhe pse njerëzit duhet të shohin nga e ardhmja, por këtë e konsideroj një kontribut realisht të vlefshëm sidomos për brezin e ardhshëm...”
Spartak Ngjela
“Shumë mirë që 60 për qind e librit janë paraqitje e fakteve. U ke thënë njerëzve: Shikojeni, kjo është historia.”
Sali Berisha
“Meritë të veçantë në linjën e përzgjedhur; linjën e pushtetit dhe mbajtjes së pushtetit. Ky libër lexohet me një frymë”.
Henri Çili
“Kur planifikuam me Blendi Fevziun botimin e librit, bëmë llogari të gabuara. Llogari të gabuara në lidhje me autorin, në lidhje me subjektin, por sidomos në lidhje me dëshirën e shqiptarëve për të mësuar historinë e tyre, për të lexuar mbi atë çfarë ka ndodhur në një nga periudhat më të errëta të historisë së tyre.
Por pas kësaj llogarie të gabuar, shtëpia botuese e Universitetit Europian të Tiranës hodhi në qarkullim brenda tetë javëve rreth 40 mijë kopje, nga të cilat janë shitur 32 mijë kopje.”
Fjala e Blendi Fevziut në promovimin e librit
Fevziu: Papjekuria më e madhe e shoqërisë,
ndroja për t’u përballur me të kaluarën
“Europa Lindore filloi ndërtimin sistemeve të lira duke njohur dhe analizuar së pari atë që kishte ndodhur, shprehet Urs Altermat! Ne nuk e bëmë këtë, nuk e kemi bërë ende. Vërtitemi mes tundimit për të hyrë thellë në atë regjim dhe frikës së çfarë mund të gjejmë aty.”
"Jetojmë në një mjedis të ndotur moralisht. E ndotëm moralin duke thënë diçka të ndryshme nga ajo që mendonim. Mësuam të mos i besonim asgjëje, të shpërfillnim njëri-tjetrin, të kujdeseshim vetëm për veten tonë. Koncepte të tilla si dashuria, miqësia, dhembshuria, përulësia apo falja e humbën thellësinë dhe dimensionin e tyre".
Kjo pjesë e fjalimit të famshëm të Vaclav Havelit ditën që ai u bë President i Çekosllovakisë, vetëm 4 muaj pasi qe arrestuar për herë të fundit nga autoritetet komuniste, ishte gjëja që më vinte në mend më së shumti, kur zhytesha mes dokumenteve dhe shënimeve që lideri komunist Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij kishin lënë me shumicë në arkivat e Komiteti Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Një botë e frikshme, ku krimi, vrasja, mosbesimi, burracakëria dhe mungesa e çdo skrupulli dhe virtyti njerëzor bëhej thuajse therëse.
Ndërsa shkruaja librin, thellë-thellë, më dukej sikur po i hyja në hak shoqërisë së sotme, po ngjallja një kohë që e kishim lënë pas, me një urim të vetëm: Dashtë Zoti, nuk vjen më kurrë! Në asnjë lloj forme dhe emri. Pak nga pak, pata frikë se ai libër po më fuste në një tunel, ku do të ecja i vetëm, ku nuk do të më ndiqte askush. Ku do të më linin të vetëm në perversitetin e një regjimi që e kisha urryer dhe kisha uruar, për shumë kohë, të harrohej përgjithmonë.
Për fatin tim të mirë, frika ose hezitimi im rezultuan të pashkak. Libri pati një rekord shitjesh dhe sot, kur do edhe tri ditë të shënojë 2-muajshin e publikimit, ka shitur mbi 30 mijë kopje.
Jam munduar këto kohë të kuptoj diçka nga suksesi i tij. Jam i sigurt që ai s'ka lidhje as me mua dhe as me fondin e lexuesve, për fatin tonë të keq, ende modest në Shqipëri.
Suksesi i këtij libri, sipas e-maileve dhe mesazheve që kam marrë, qëndron në atë se thuajse të gjithë gjejnë diçka nga vetja tek ai.
Ata që nuk e kanë dashur atë regjim, që e kontestuan dhe u përpoqën të mbijetojnë pa u bërë pjesë e tij, gjejnë vërtetimin dokumentar të drejtësisë së mendimeve të tyre.
Ata komunistë që u përndoqën dhe përfunduan në burgje më të gjata sesa ajo që e quanin klasë e përmbysur, gjejnë shpjegimin për dramën e tyre që u erdhi papritur dhe në besnikëri të plotë ndaj liderit.
Te ky libër gjejnë veten edhe ata të rinj brilantë që regjimi nuk u jepte të drejta studimi sepse kishin biografinë e keqe!
Edhe ata kosovarë, që më në fund e kuptuan se Hoxha veç një propagande false, ka bërë pak ose aspak për lirinë e tyre. Dhe s'kish sesi ta favorizonte lirinë e Kosovës një njeri që ishte armiku më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë Perëndimore
E gjejnë veten edhe ata komunistë të përkushtuar, që në vitin 1990 nuk dinin se si t'ua shpjegonin fëmijëve se përse ishin po aq të varfër dhe tëa paushqyer sa edhe ata që kishin persekutuar.
Edhe ata intelektualë dhe studentë që u ngritën kundër regjimit në vitin 1990, me bindjen se Shqipëria kish nevojë për një sistem dhe një shoqëri të ndryshme, një shoqëri të lirë.
E gjejnë veten ata intelektualë që e ndjenë se Partia e Punës duhej riformuar dhe kthyer në një parti të vërtetë që respektonte rregullat e shoqërisë së re pluraliste.
Ky libër, duket se u ka shërbyer edhe gjithë atyre studentëve në dhjetëra universitete, që më kanë rrëfyer se përmes faqeve të tij kanë kuptuar jetën e prindërve dhe gjyshërve të tyre dhe kanë hyrë në një dialog real me ta.
Në këtë libër, unë ka bërë maksimumin e përpjekjeve që gjithçka të jetë e vërtetë, reale, e dokumentuar, dhe sot, dy muaj më pas, kam kënaqësinë të them që asnjë dokument i këtij libri nuk është kontestuar. Madje as citimet e tij.
Pa e zgjatur, do them edhe dy fjalë. Unë nuk jam historian, as studiues. Jam një gazetar që ndihet mirë në profesionin e tij. Por unë mendoj se sot ne s'duhet të humbasim kohë me debate shterpë. Do ishte më mirë të bënim më shumë kërkime, të hapnim më thellë arkivat, të analizonim më shumë atë që ka ndodhur. Të përpiqeshim të kuptonim mekanizmin që vuri në punë dhe e ktheu në një mostër Enver Hoxhën. Sepse ai nuk ishte pjellë e vetvetes, por e sistemit. Ai s'ishte as më i mirë, por as më i keq se shumë prej bashkëpunëtorëve të tij. Ai ishte njeriu që pati talentin të imponohej, dhe duke aplikuar një sistem kriminal dhe në mungesë të plotë lirie, e çoi vendin në pragun e një katastrofe.
Europa Lindore filloi ndërtimin sistemeve të lira duke njohur dhe analizuar së pari atë që kishte ndodhur, shprehet Urs Altermat! Ne nuk e bëmë këtë, nuk e kemi bërë ende. Vërtitemi mes tundimit për të hyrë thellë në atë regjim dhe frikës se çfarë mund të gjejmë aty. Dënojmë Hoxhën, por kemi frikë të shohim drejt dhe siç duhet mekanizmin që ndërtoi ai për të shuar çdo ndjesi lirie. Ndruajmë të përballemi me të vërtetën dhe kjo është papjekuria më e madhe e kësaj shoqërie, ajo që po na lë pas vendeve të tjera, që tashmë po ecin drejt kohëve moderne, pa asnjë barrë të së shkuarës mbi shpinë.
Ndaj, po e mbyll me një tjetër citat të Havelit, këtij njeriu që na mungon sot:
"Do të ishte e paarsyeshme të kuptoje ligjshmërinë e trishtë të dyzet viteve të fundit si diçka të huaj, të cilën na e la trashëgim një kushëri i largët. Përkundrazi, duhet ta pranojmë këtë trashëgimi si një mëkat kundër vetes sonë. Nëse e pranojmë si të tillë, do të kuptojmë se është në dorën tonë, dhe vetëm në dorën tonë, të bëjmë diçka për të."
Ceremonia, batutat Berisha-Nano,
mungojnë vetëm Topi e Rama
Tetë kryeministra, ish-kryeministra, në mbrëmjen e promovimit të librit. Nano e Berisha takim e batuta për presidentin dhe përjashtimin e Islamit
Eventi i djeshëm i promovimit të biografisë së Enver Hoxhës ishte një rast i mirë ku mund të shihje pothuaj gjithë politikën shqiptare bashkë. Përveç presidentit Bamir Topi, gjithë njerëzit që kanë qeverisur Shqipërinë dhe Kosovën, nga dy kryeministrat aktualë Berisha dhe Thaçi (ky i fundit me 5 ministra të kabinetit) e deri te pesë ish-kryeministrat socialistë Nano, Meta, Bufi, Majko e Fino, nuk kanë preferuar të humbasin rastin për të qenë prezent në mbrëmjen ku protagonist ishte Blendi Fevziu.
Me gjithë Bujar Bukoshin e Kosovës, kryeministra e ish-kryeministra bëheshin plot tetë. Por kishte dhe shumë ambasadorë nga më të rëndësishmit dhe opozitarë, përveç Edi Ramës, që si duket nuk ka dashur të vihet përballë sikletit të shtrëngimit të duarve me Berishën, Nanon, Metën e ndonjë tjetër. Përveç tij dhe presidentit Topi, që edhe ky duket se ka pasur të njëjtin shkak si Rama, gjithë të tjerët ishin aty së bashku me shumë gazetarë, artistë, shkrimtarë e intelektualë të sferave të ndryshme. Biografia e Enver Hoxhës i bën të gjithë bashkë, mund të thoshte dikush, por rasti i djeshëm nuk kishte të bënte me këtë arsye, sesa me autorin e librit, Fevziun, në emisionin e të cilit prej 15 vitesh kanë kaluar së paku njëherë të gjithë të ftuarit e djeshëm. Edhe pse vetë Rama ka snobuar duke mos qenë në eventin më të bujshëm të mbrëmjes së djeshme, shumë eksponentë të socialistëve ishin aty, maje edhe më të rinjtë, si Erion Veliaj e Endri Fuga. E si ndodh në raste të tilla, nuk kanë munguar takimet e shtrëngimet e duarve mes gjithë të ftuarve. Por më i prituri dhe i kërkuari, si gjithmonë, mbeti ai mes kryeministrit Berisha dhe ish-kreut të PS, Nano, për vetë shpalljen e ambicies së ish-kreut të PS-së për të qenë kandidat për President. Në qendër të vëmendjes ishte edhe Kastriot Islami, fati politik i të cilit do të vendoset mesditën e sotme me votim në grupin parlamentar të PS-së. Berisha, si mjeshtër i këtyre situatave, nuk ka lënë t’i ikë nga duart rasti i ‘përjashtimit’ të Islamit, por gjithmonë shënjestër të humorit të tij ka pasur kryetarin e PS-së.
Ndërsa me Nanon, për të cilin vetëm katër ditë më parë tha se s’mund të jetë kandidat i së djathtës për president, preferoi ta spostonte bisedën e shkurtër, që shoqëroi shtrëngimin e duarve, sërish te vendimi i sotëm i deputetëve socialistë për Islamin.
I shoqëruar nga bashkëshortja Xhoana, Nano u kujdes të paktën mediatikisht të kursente fjalët, duke u mjaftuar vetëm me pyetjet e zakonshme rreth familjes. Ndërsa Berisha duke iu drejtuar paraardhësit ë tij në qeveri tha se “Sot batuta është vetëm e Islamit. Çfarëdo që të thuash, kombi e ka mendjen vetëm te Kaçi...(qesh), derisa t’i ‘pritet koka’”. Madje, në këtë pikë ai ka krahasuar Edi Ramën dhe Kastriot Islamin me personazhet e librit. “Njerëzit që kanë lexuar librin, bëjnë lidhjen e fatit të Kaçit nesër dhe personazheve të librit të Enverit. S’kemi ç’t’i bëjmë, dhe po reflektoi si Mehmeti, nuk reflekton ai tjetri, se është Enveri (qesh)”. Vetë Islami është takuar me kryeministrin Berisha dhe me një pjesë shumë të vogël të socialistëve, si Arben Malaj apo Ylli Bufi, ndërsa këta të fundit janë takuar dhe me ish-kryetarin e tyre Fatos Nano. Ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së kanë kaluar disa minuta me ish-kryeministrin, ndërsa në pjesën më të madhe janë shoqëruar me kryeministrin Berisha. Kryeprokurorja Ina Rama ka qenë gjithë kohën e shoqëruar nga bashkëshorti, ndërsa nuk ka takuar politikanë, pavarësisht prezencës së madhe të tyre. I pranishëm, princi Leka është parë nën shoqërinë e shumë deputetëve dhe ministrave demokratë.
Berisha: Libri fakton se
Hoxha ishte diktatori më mizor
Kryeministrit Berisha tha dje për “ABC” se “Mendimi i parë që më ka ardhur në mendje është: një vepër e shkëlqyer, më e mira e këtij zhanri që unë kam lexuar. Dhe kjo, së pari, për temën që trajton, e cila është tema më madhore e së shkuarës sonë 43-vjeçare, para rënies së diktaturës. Së dyti, libri ka një vërtetësi ekzemplare. Gjer më sot, mbështetësit e Enver Hoxhës nuk kanë qenë në gjendje të përgënjeshtrojnë qoftë një fakt të vetëm të librit. Së treti, libri u fakton shqiptarëve se njeriu që qeverisi Shqipërinë 43 vjet ishte ndofta diktatori më mizor. Unë kam lexuar libra për diktatorë të tjerë, por gjer më sot nuk kam gjetur që ata vetë, me firmë, të urdhëronin ekzekutime pa gjyq, për persona të caktuar, siç gjenden këto në librin “Enver Hoxha”. Libri është shkruar me stil e lexohet me kënaqësi të madhe. Libri është dokument i një rëndësie të jashtëzakonshme për të rinjtë shqiptarë, të cilët nuk e kanë njohur atë sistem, por edhe për të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e për ata qindra e dhjetëra mijëra shqiptarë që u burgosën, torturuan dhe u ekzekutuan, duke pasur për idhull udhëheqësin e Shqipërisë. Ata janë heronj të vërtetë, kanë qenë patriotë të mëdhenj, të cilët njohën shtypjen më të egër, por qëndruan të pamposhtur ndaj nacionalizimit serb. Ata nuk mund të imagjinonin se njeriu për të cilin bënin burgun, për të cilin këndonin e ngrinin dolli ishte një nga armiqtë e egër të Kosovës. Edhe kur Tempo apo Degjer apo historianë të tjerë botonin këto dokumente, ata kurrë nuk mund t’i besonin dhe e vërteta është se libri fakton se për Enver Hoxhën Kosova nuk ishte asgjë tjetër veçse një plaçkë tregu me Josip Broz Titon, se Partia Komuniste e Shqipërisë u themelua nga Partia Komuniste e Serbisë dhe u drejtua për vitet e luftës, por problemi është se u drejtua duke luftuar krahun nacionalist, duke përmbysur marrëveshjen e Bujanit, duke bërë gjithçka për shndërrimin e Shqipërisë në republikë të 7-të, u drejtua nga Enver Hoxha, duke kthyer në Kosovë me dhjetëra e qindra kosovarë që kërkonin lirinë në Shqipëri e duke mbushur burgjet e Shqipërisë me kosovarë të tjerë që i konsideronte titistë. Enver Hoxha, me asgjësimin e lirive e të drejtave njerëzore në Shqipëri, bëri që e gjithë bota të mendojë se shqiptarët në Kosovë, ndonëse nën pushtim, kanë të drejta shumë më të mëdha se shqiptarët në Shqipëri. Pra, libri hapi dyert apo hedh dritë në një tunel, i cili shpresoj se do të shkojë duke u ndriçuar gjithnjë e më shumë. Wiston Churchill thotë se sa më lart të shohësh të shkuarën, aq më mirë e kthjellët projekton të ardhmen. Më vjen shumë mirë që sot, mesa shoh, lexues kryesorë të këtij libri janë të rinjtë. Dhe kjo është një mençuri e madhe e tyre.”