E Shtunë, 31 Tetor 2026

3 vjet në kërkim për një gabim të policisë

Tiranë- Një gabim në datën e lindjes në dokumentat e identitetit i ka kushtuar një 66-vjeçari një seri procesesh gjyqësore dhe pas dënimit që ka marrë nga togat e zeza si falsifikator, tashmë ai u lutet autoriteteve ta heqin nga listat e personave të kërkuar nga ligji pasi ka marrë edhe pafajësinë nga gjykata.

Llazar Biti, lindur më 5 tetor 1946 dhe aktualisht emigrant në Greqi, nëpermjet avokatit të tij, Leonard Gremi i është drejtuar me një letër drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit si dhe drejtorit të përgjithshëm të gjendjes civile ku dhe i tregon historinë e tij dhe, duke parashtruar edhe kërkesën e tij të rrallë.

Duke folur për interesat e klientit të tij, avokati tregon se Llazar Biti ka aplikuar për tu pajisur me kartë identiteti dhe me pasaportë pranë zyrës konsullore ne ambasadën tonë në Athinë. Por, atje  - thotë avokati – i është thënë se kjo gjë nuk i lejohet pasi është ndaluar nga strukturat e Ministrisë së Brendshme.

Pa dijeninë e klientit tim, i cili jeton prej 20 vitesh në Greqi – thotë avokati – është zhvilluar një proces gjyqësor më shtator 2009 dhe gjykata e shkallës së parë ka vendosur shpalljen e tij fajtor për fallsifikim të dokumentave dhe e ka dënuar me 6 muaj burg. Gjykata e Apelit e ka prishur këtë vendim dhe e ka dërguar dosjen për rigjykim, pasi gjykimi ka shkelje të rënda proceduriale.

Më tej avokati tregon fabulën e ngjarjes për të cilën klienti i tij hyri në listën e personave me precedentë penalë. Më 17 tetor 2008, i akuzuari ka aplikuar për tu pajisur me pasaportë për jashtë vendit. Në këtë aplikim në çertifikatën e tij të lindjes, ai figuron me datëlindje 5 tetor 1946. Por nga të dhënat e nxjerra në aplikimin që ai kishte bërë disa vite më parë, kur kishte marrë pasportën për jashtë vendit, më 20 maj 2003, ai figuronte me të dhënat e datëlindjes 25 tetor 1946.

Avokati thotë se vetë i akuzuari nuk ka shënuar datëlindjen me pasaktësi të qëllimshme, sepse sipas tij gabimi është i nëpunësve të policisë në rajonin numër katër, të cilët janë marrë me kërkesat. Ne nuk e kuptojmë se si nga kjo pasaktësi e kryer nga nënpunës të policisë që merreshin me plotësimin dhe kontollin e pasaportave më maj 2003, gjykata e dënon Llazar Bitin më 2009?

Avokati këmbengul se kjo pasaktësi nuk është bërë për ndonjë qëllim përfitimi, aq më tepër që shkrimi nuk është i të akuzuarit. Avokati bashkangjit dëshmi të efektivit të policisë E. Naska, i cili tregon se pasaktësia prej 20 ditësh diferencë nuk është përgjegjësi e 66-vjecarit. Në dëshmi punonjësi i policisë thotë se datëlindjen e Llazar Bitit gjatë aplikimit e kishte ngatërruar me datëlindjen e gruas së tij që e ka më 25.

Në këto kushte, kur qëndrimi i klientit tim është korrekt, ne duam që klienti im të mos pengohet për tu pajisur me kartë identiteti aq me tepër ku vendimi i shkallës së parë është prishur.

Në letrën drejtuar kreut të policisë së shtetit, avokati thekson: Në kushtet kur vendimi numër 1189 datë 30.9.2009 është prishur me vendim të formës së prerë me numër 815 datë 15.05.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë, shtetasi Llazar Biti nuk mund të jetë i fajshëm. Për kërë arsye kërkojmë heqjen e emrit të shtetasit Z. Llazar Biti nga lista e personave në kërkim dhe pajisjen e tij me kartë identiteti dhe pasaportë biometrike.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Një gabim bankar e shndërron mësuesin indian në super miliarder U nis të kontrollonte online llogarinë e tij prej 200...
  2. Guinness në Gjykatën e Tiranës, 6 vjet gjyq për një padi Tiranë- Paditë në Gjykatën e Tiranës ndaj kompanisë KESH apo...
  3. Të parashikosh gabim motin mund të të kushtojë 10 vjet burg Të parashikosh gabim motin mund të të kushtojë deri në...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›