E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura 2012, nis plotësimi i formularëve

TIRANË- Maturantët nisin sot plotësimin e formularit A1 dhe A-1Z, ku do të listojnë dy apo tre lëndët që duan të japin si provime me zgjedhje.

Sipas rregullores, afati për të plotësuar këtë formular është më 10 mars. Ky afat do të respektohet edhe nga maturantët që jetojnë në zonat e bllokuara për shkak të kushteve të rënduara të motit.

Provimet e maturës gjatë këtij viti do të shoqërohen me një sërë ndryshimesh, ku risi parashikohet të jetë edhe vendi ku do zhvillohen testimet e detyruara dhe ato me zgjedhje. Për të shmangur praktikat e kopjimeve apo abuzimeve që mund të bëhen, po mendohet që testimet e maturës të mos zhvillohen më në shkollat e mesme, por të zhvendosen drejt hapësirave më të mëdha, në universitete, ku mbikëqyrja mund të jetë edhe më e lartë.

Disa javë më parë është publikuar edhe rregullorja e provimeve të maturës, ku janë përcaktuar rregullat e konkurrimit që do të duhet të ndjekin maturantët e rinj dhe ata të vjetër. Këtë vit maturantët do të përballen me një rregullore ndryshe. Tashmë të rinjtë do të futen në garë të barabartë, me të njëjtin koeficient, pasi nuk ka më gjimnaze të profilizuara.

Provimet e maturës i jep çdo maturant apo kandidat që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme, ka marrë dëftesë pjekurie dhe ka plotësuar formularin e aplikimit A-1 dhe A-1Z. Çdo maturant mbetës në provimet e maturës ka të drejtën e riprovimit të lëndës në sesionet e ardhshme.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›