30 prill-1 maj, ftesë për të ikur jashtë Tiranës
Edi Lesi
Dita apokaliptike agoi. Sipas asaj që na tregon opozita, sot më 30 prill, në të ngrysur, një përmbysje titanike do të ndodhë në Shqipëri, një jetë më e mirë do të nisë dhe kështu marrin fund rrathët e ferrit në këtë vend. Një ngjarje me të vërtetë me përmasa biblike. Por nëse nisim të heqim pak mister nga gjithë kjo, do të mund të kuptojmë se çfarë po ngjet realisht dhe se çfarë ka gjasa të na zënë sytë ditën e fundit të këtij muaji.
Për të rrokur më qartë këtë zhvillim politik, na vjen në ndihmë të shohim se kush janë dhe çfarë përfaqësojnë profetët që kërkojnë dhe premtojnë ndryshimin e madh.
Fotoja është e qartë. Nëse nuk e quajmë dot darka e fundit, të paktën mund ta cilësojmë si kafja e radhës. Në krye gjendet Edi Rama. Dishepujt që e rrethojnë janë një pjesë të njëjtët, shto këtu ca myshterinj që gjithaq kanë zënë vend në tavolinë. Kjo në një sallë hoteli, ku po gatuhet e ardhmja e vendit.
Edi Rama është kryetari i Partisë Socialiste, megjithatë dihet botërisht se ai nuk i përfaqëson të gjithë socialistët. E ka marrë ndërkohë partinë, ka në dorë gjithë institucionet e saj dhe ka arritur të lërë pas dere kundërshtarët. E ka futur strukturën më të vjetër politike të vendit në një këmishë force dhe e zotëron. Zor se ka fituar zemrën e saj. Kjo kuptohet nga mënyra se si po funksionon PS-ja dhe forumet, ku kryetarit i duhet prore ndihma e disa muskulozëve të sertë të partisë për të përballuar një debat idesh me ata që mendojnë ndryshe nga ai. Të ndryshmit, kur e kur bëjnë ndonjë deklaratë, por më së shumti kanë filluar të pajtohen me situatën dhe thjesht po rrinë mënjanë, si ata në qendër, ashtu dhe në bazë.
Më tej, rrotull tij, regëtijnë kryetarët e disa partive, të cilët paçka se janë çdo ditë të pranishëm në ekrane, nuk kanë më shumë se dy apo tre pasues në çdo qytet të Shqipërisë. Kështu që me një matematikë të thjeshtë, secilit aleat nuk i bëhen me shumë se 99 frymë në gjithë vendin. Aq sa ka në fakt edhe shpresa e të majtës, G99. Profecia e drejtuesit të kësaj force politike doli vetëpërmbushëse. Para zgjedhjeve të fundit parlamentare, ai tha se simbolika e numrave në siglën e tij kishte të bënte me faktin se ata janë 99 dhe presin gjithkënd për t’u bërë 100. Ata asnjëherë nuk u bënë një lëvizje me 3 shifra.
Ky grup udhëheqësish ka ndërmend të ndryshojë rrjedhën e zhvillimeve në Shqipëri më 30 prill.
Dikush mund të thotë me të drejtë se për ta sendërtuar formulën apokaliptike nuk ka shumë rëndësi se kë përfaqëson, por çfarë në fakt përfaqëson.
Atëherë do të duhet të shohim idetë dhe alternativën e tyre. Mirëpo, deri më tani ajo çfarë artikulohet mbetet në nivelin e denoncimit. Kutitë e zgjedhjeve, kriza e gjithanshme. Në këtë sens, opozita ka treguar me të vërtetë forcë. Shigjetat më helmuese i ka marrë INSTAT, një institucion modest, të cilin po të duash e beson, po të duash jo, ai nuk ka asgjë në dorë të na ndikojë jetën tonë.
Lëvizjet e tjera anti-mazhorancë kanë treguar se opozita ka humorin e një semafori. Kur hapet jeshilja, deputetët hyjnë në Kuvend. Atje qëndrojnë derisa zë e nxjerr krye portokallia. Me pretekstin më të parë, semafori socialist bëhet i kuq, dhe përfaqësuesit e popullit dalin sërish në rrugë. E kanë kthyer Parlamentin si një shkollë me kohë të pjesshme, ku shkohet vetëm për të dhënë ndonjë provim dhe ku në fund të mandatit 4-vjeçar merret diploma. Prania në tempullin e demokracisë po shitet shtrenjtë nga PS-ja, sikur të jetë një nder që i bëjnë ata Qeverisë dhe jo çka është në të vërtetë, detyrë dhe përgjegjësi për t’u ushtruar. Porosi që pos të tjerëve, po ua kujton çdo ditë edhe Evropa me deklaratat e përsëritura për ndërprerjen e bojkotit.
Të gjithë këto elementë janë korpusi i politikës anti-Berishë që bën opozita. Për çudi mungon një alternativë. Kryetari i PS-së po i fton njerëzit derë më derë të dalin e të rrëzojnë qeverinë me 30 prill, se ajo është përgjegjëse për faturat e larta, për papunësinë, për rënien e cilësisë së jetës, për rritjen e vazhdueshme të barrës fiskale, etj. Këto fakte mund të qëndrojnë dhe askush nuk ka nevojë t’i dëgjojë nga dikush tjetër për t’i besuar. Kryetari i opozitës nuk thotë asgjë se çfarë ai mund të bëjë në kushtet e sotme për t’i kthyer në nul të gjithë këto fenomene që kanë lodhur shoqërinë. Si do t’ua bëjë ai jetën më të mirë shqiptarëve. Alternativa e tij e vetme mbetet; hajde të rrëzojmë Qeverinë, se ne jemi më të mirë se ata.
Në mijëvjeçarin e tretë, kjo tezë politike është shumë e varfër për të përmbysur një mazhorancë dhe për të mbajtur mijëra vetë në shesh më shumë se 3 orë. Zhurma dhe sasia e njerëzve në bulevard nuk e fshehin dot boshin e mendimit dhe projektit opozitar. Dhe kjo të bën të besosh se në të kapërxyell të prillit, nuk do të jetë tjetër veçse një ditë e nxehtë pranverore, dhe fakti se arteria qendrore e kryeqytetit do të jetë e bllokuar, kjo më shumë se sa një arsye për të festuar triumfin e Edi Ramës do të jetë një shkak i mirë për të ikur nga Tirana, në një vend më të qetë dhe më pak stresues. Gjithaq, festa tërësisht e panevojshme që planifikon të bëjë Qeveria të nesërmen e protestës e mbyll krejt spiralin e absurdit, dhe kjo në fakt është arsyeja tjetër e fortë për të qëndruar jo një, por dy ditë larg metropolit, me shpresën se e hëna e parë e majit do të sjellë normalitet.