E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe po na pjekin?!

Edmond Arizaj

Ka 20 vjet që u pastrojmë pusetat, u heqim plehrat e u punojmë arat. Ka 20 vjet që kanë hyrë në Shqipëri dhe po e mjelin këtë vend jo vetëm nga sisët. Ka 20 vjet që na vënë stërkëmbësha, na bëjnë prapaskena e mizanskena për të penguar ecjen tonë para. Ka 20 vjet që na shajnë, na rrahin, na pështyjnë, na tallin, na vrasin. Ka 20 vjet që fusin provokatorë në troje tërësisht shqiptare, për të thërritur “fuck Albania” me gishtin e mesit lart. Ka 20 vjet që japin rroga e pensione në shtetin tonë. Ka dhjetëra vjet që mbajnë ligjin e luftës me Shqipërinë. E tani së fundmi edhe na pjekin në hell. është Greqia, vrima mbyllëse e Evropës, era e së cilës rrezikon të qelbë sot të gjithë Bashkimin Evropian. Ky shtet, po vërteton çdo ditë e më shumë se nuk e dëshiron fqinjësinë e mirë. çdo ditë e më shumë, për 20 vjet rresht, grekët po i tregojnë botës dhe Evropës se ata janë po aq të ksenofobë ndaj të huajve, po aq hakmarrës e vandalë, sa ç’ishte Akili ndaj Hektorit.
Askush nuk të na mbushë mendjen se atje, në Kretë, kemi të bëjmë me një rast të izoluar. Apo kemi të bëjmë me një grup ksenofobësh, që i shohin shqiptarët si fajtorët e krizës ku është mbërthyer ky shtet hileqar. Apo kemi të bëjmë me vendosjen e nderit në vend nga fshatarët e Kretës. Nëse ky do të ishte rasti i parë, edhe mund të dyshonim. Nëse ky do të ishte shqiptari i vetëm që do të jetojë, (të shpresojmë) më pas vetëm me ëndrrat e frikshme të dhunës greke, e do të zgjohet nga gjumi i llahtarisur nga thirrmat helene, edhe mund të besonim. Por nuk është kështu. është vetëm një nga mijëra rastet e përditshme. Diku i përbuzin, diku i rrahin, diku i fusin në burg për t’u kërkuar ndjesë për gabimin pas pesë vjetësh, diku nuk u japin rrogën, diku i shtyjnë e diku nuk i lejojnë të ulen në stolat e autobusit, diku i mbledhin si tufa dhensh me pranga në duar, diku i plagosin e diku i vrasin. E së fundmi edhe i shkojnë në hell.
Ky është një popull i gjithë i mbrujtur me urrejtje. I rritur me urrejtje. Që lë trashëgimi urrejtjen. Që pi urrejtje dhe djersin urrejtje. Ky nuk mund të jetë një popull i shtëpisë së paqme evropiane. As një shtet që herë-herë bën njërin sy qorr e tjetrin të verbër ndaj gjithë dhunës e masakrimit që u bëhet shtetasve të një vendi që e quajnë mik, nuk mund të jetë evropian.
Ne na kanë quajtur ballkanas, lekëdukagjinas, kanunor madje edhe të dhunshëm e flakëvënës. Por nuk ka asnjë rast të dokumentuar ku shqiptarët, qoftë edhe të kenë bezdisur grekët që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri. Nuk ka asnjë rast të dokumentuar që shqiptarët e zhgarravitur ditë me radhë mureve të ambasadës helene për një vizë halli, të kenë shpërthyer në ksenofobi hakmarrëse. Nuk ka asnjë rast që shqiptarët qoftë edhe të kenë protestuar kokëulur ndaj rrjepjes që u bëhet nga “investimet” greke në vendin e tyre. Jo pse nuk u vlon gjaku (kjo u pa disa vite më parë në Himarë), por sepse shqiptarët po duket qartë se kanë ëndërr të jenë pjesë e familjes evropiane. Shqiptarët, po duket qartë se nuk jetojnë me hijet e së shkuarës e as nuk ngrefosen me lavdinë e të parëve, qoftë edhe me legjendat e tyre. Shqiptarët nuk ia ndalojnë askujt të ngrohet edhe në pjesën e diellit që u takon atyre. Asnjë qeveri shqiptare në këta 20 vjet nuk ka ushqyer ndjenja ksenofobiste te shtetasit e vet për grekët. Përkundrazi. Edhe në ngjarjet më të rënda, edhe atëherë kur duhet të protestonin ashpër dhe egër, kanë ruajtur qetësinë, duke marrë mbi supe urrejtjen e pjesës më të madhe të popullit, por duke u përpjekur të mos prishin imazhin e një vendi që kërkon integrim. Evropa duhet t’i verë në kandar të gjitha të bërat e të pabërat e grekëve dhe Greqisë, e të peshojë nga ana tjetër edhe tolerancën e skajshme, deri në vetmohim të shqiptarëve. Nuk është e thjeshtë për 700 mijë shqiptarët që punojnë në Greqi të durojnë çdo ditë dhunë. Nuk është e thjeshtë as për 3 milionë shqiptarët e Shqipërisë të shohin çdo ditë si dhunohen patriotët e tyre pa shkak. është tej mundësive të durimit dhe të përmbajtjes të lexosh se bashkëpatriotin tënd kanë dashur ta pjekin si një qengj pashkësh. Jemi së bashku në NATO, e shumë shpejt edhe në Evropë. Por mendjemadhësia dhe pashpirtësia greke, kërkon një mësim të mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›